Birra e importit 'pushton' tregun, arrin 60%; Rikuperohet lehtë edhe prodhimi vendas nga turizmi

Birra e importit 'pushton' tregun, arrin 60%; Rikuperohet lehtë edhe prodhimi vendas nga turizmi

11:48, 16/04/2024
A+ Aa A-

Prodhimi vendas i birrës, prej gati 1 viti që gjendej në vështirësi kostoje, pas dyfishimit të akcizës që nisi zbatimin nga 1 janari 2023, në muajt e parë të vitit ka nisur të rikuperohet.

Sipas të dhënave të Doganave, në muajt janar-mars u prodhuan 6,8 milionë litra birrë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023, prodhimi vendas është rritur me 11%.

Administratori i fabrikës së prodhimit të birrës “Stela”, Enzo Panteqi pohon se nivelet e prodhimit vijojnë të mbeten larg nga sasia e prodhuar në 2021 dhe 2022.

Nga 1 janari 2023, kompanitë shqiptare po paguajnë dyfishin e akcizës. Ndryshimi i akcizës shtoi edhe me 20% kostot e prodhuesve, që ishin të goditur edhe nga shtrenjtimi i lëndës së parë birrës malto, materialeve ambalazhuese dhe rritja e pagave të punonjësve. Për këtë arsye, vjet në muajt janar, shkurt dhe mars, disa fabrika mbyllën përkohësisht prodhimin, pasi nuk arrinin të përballonin kostot.

Sipas të dhënave të Doganave, sasia e birrës së prodhuar në muajt janar-mars 2023 u ul me 22% krahasuar me 2022.

Z. Panteqi thotë në janar-mars 2024, në fabrika po prodhohet birrë më tepër se vjet, për shkak të motit të mirë dhe turizmit që favorizon shitjet, por edhe për shkak të shtimit të fuqisë blerëse e ndikuar nga rritja e rrogave.

Ndërsa Xhim Begeja, drejtues i Shoqatës së Mikro Birrave Artizanale Shqiptare, por edhe operator i vogël në treg, me kapacitet prodhues 700 deri në 750 litra në ditë, pohon me shqetësim se sektori është në vështirësi nga kostot e larta pas dyfishimit të akcizës.

“Kostot për prodhimin janë shtuar veçanërisht pas ndryshimeve të akcizës. Kjo po dëmton prodhuesit e birrës artizanale vendase. Presim nisjen e sezonit turistik për të parë ecurinë e kërkesës, pasi birra artizanale vendase më tepër preferohet nga turistët e huaj. Por edhe në periudhë turizmi, ndihet mungesa e shitjeve, veçanërisht nga prodhues larg zonave turistike”.

Rritet pesha e birrës së importit, zë 60% të tregut

Birrat e importit vijojnë të zgjerojnë terren në tregun shqiptar. Për periudhën janar-mars birra e importit zuri 59% të tregut bazuar në të dhënat e prodhimit dhe importit. Sasia e importuar për muajt janar-mars sipas të dhënave të Doganave u rritën 30%.

Njëzëri prodhuesit vendas ngritën disa herë shqetësimin se dyfishimi i akcizës jo vetëm do të rriste peshën e birrës së importit në treg, por do të çonte drejt falimentimit industrinë vendas. Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco