A po bie konsumi?! Përveç karburanteve, importet e akcizës me rënie të fortë në janar

A po bie konsumi?! Përveç karburanteve, importet e akcizës me rënie të fortë në janar

07:50, 29/02/2024
A+ Aa A-

Importet e mallrave të akcizës pësuan rënie të mprehtë në muajin janar të këtij viti, përveç karburanteve.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në muajin e kaluar, importet e karburanteve arritën mbi 46 mijë tonë, me rritje vjetore 13%, por importet e birrës, kafesë dhe cigares pësuan rënie me ritme dyshifrore.

Në janar 2024 u importuan 218 tonë cigare, ose 25.7% më pak se në janarin e vitit të kaluar. Importet e cigareve, në janar të vitit të kaluar, panë një rritje jo të zakontë mujore, ndaj baza e krahasimit me këtë vit tregon rënie më shumë statistikore se sa me trendin e konsumit.

Importet e kafesë pësuan rënien më të fortë në janar 2024. U importuan gjithsej 363 tonë kafe, me rënie 32 % në krahasim me janarin 2023, ndërsa edhe importet e birrës gjithashtu shënuan tkurrje me 27%.

Bizneset e lidhura me tregtinë kanë pohuar se këtë vit konsumi ka shfaqur shumë dobësi në janar-shkurt. Në njërën anë, çmimet e larta dhe në anën tjetër ka pakësim të popullsisë rezidente. Teksa sezoni turistik ende nuk ka nisur, konsumi po vuan nga tkurrja dhe ndryshimi i strukturës së popullsisë drejt moshave më të vjetra.

Një anketë e “Gallup international” e ka renditur Shqipërinë në 10 vendet me nivelin më të lartë të emigracionit në botë në raport me popullsinë në vitet 2021-2022. Shumica e të larguarve, mbi 80% janë të rinj, grupi që ka prirje më të lartë për të blerë veshje, ushqime dhe pajisje teknologjike.

Sipas raportit të tremujorit të tretë për ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, u rrit me 2,06%. Kjo është rritja më e dobët që nga periudha e pandemisë, kur konsumi ra për shkak të kufizimeve që u diktuan nga pandemia.

Konsumi nuk u rrit edhe pse vendi u përball me një fluks jo të zakontë turistësh. Mbi 10 milionë persona vizituan vendin, sipas të dhënave zyrtare, por nga ana tjetër rritja konsumit nuk e reflekton këtë bum.

Konsumi i cigareve, kafesë dhe karburantet realizohet 100% me import, pasi mungon prodhimi vendas në këto artikuj.

Birra e importuar e ka ndikuar negativisht industrinë vendase e cila e kishte të zhvilluar industrinë prodhimit.

Rritja e importeve dhe mungesa e politikave për mbrojtjen e prodhimit vendas i kanë vënë fabrikat në vështirësi, duke i çuar drejt mbylljes./B.Hoxha/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco