Trafiku i pasagjerëve në Europë, afër rikuperimit të plotë nga pandemia, TIA mes aeroporteve me performancë më të lartë

Trafiku i pasagjerëve në Europë, afër rikuperimit të plotë nga pandemia, TIA mes aeroporteve me performancë më të lartë

12:01, 07/12/2023
A+ Aa A-

Trafiku i pasagjerëve në Europë është rikuperuar pothuajse plotësisht nga pandemia e Covid-19, njoftoi Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI).

Pavarësisht se ishte -1,7 për qind nën nivelet e pandemisë në muajin tetor, trafiku i pasagjerëve shënoi një rritje prej 11,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Drejtori i Përgjithshëm i ACI Europe, Olivier Jankovec, vuri në dukje vrullin e fortë drejt rimëkëmbjes së trafikut të pasagjerëve në aeroportet europiane në tetor, pavarësisht një rritjeje prej 36.3 për qind të biletave ajrore dhe tensioneve të rritura gjeopolitike nga konflikti në Izrael.

Aeroportet rajonale dhe më të vogla vazhduan të tejkalojnë nivelet e trafikut të pasagjerëve para pandemisë në tetor, duke demonstruar një rritje mbresëlënëse prej +9.1 për qind.

Ndërsa trafiku i pasagjerëve në pesë aeroportet kryesore europiane – London Heathrow, Stamboll, Paris-CDG, Amsterdam Schiphol dhe Frankfurt – u rrit me 14.6 për qind krahasuar me tetorin 2022.

Megjithatë, ai mbeti 5 për qind nën nivelet para pandemisë.

Aeroportet me performancën më mbresëlënëse ishin ato të vendosura në tregjet në zhvillim të aviacionit, duke përfituar nga ndryshimet në modelet e trafikut që rezultojnë nga konflikti në Ukrainë, si Uzbekistani (+139 për qind), Armenia (+66 për qind), Kazakistani (+51 për qind), dhe/ose nga stimulimi i transportuesit me kosto ultra të ulët (ultra low-cost), si Shqipëria (+134 për qind).

Ndërsa midis vendeve të BE-së, performanca dukshëm të lartë, duke u mbështetur në turizmin hyrës dhe trafikun VFR*, Islanda shënoi një rritje prej 25 për qind, e ndjekur nga Greqia me 21 për qind, Sllovenia me 20 për qind dhe Portugalia me 16 për qind.

Në tregjet kryesore europiane kryesuan Italia (+8 për qind) dhe Spanja (+8 për qind), të dyja të varura nga turizmi. Ata u pasuan nga Mbretëria e Bashkuar (-2 për qind), Franca (-3 për qind) dhe Gjermania (-16 për qind).

Megjithatë, jo të gjithë aeroportet përjetuan rritje të trafikut të pasagjerëve. Me përjashtim të Ukrainës, e cila përjetoi një humbje të plotë të trafikut ajror tregtar që nga shkurti 2022, aeroportet në vendet e mëposhtme mbetën shumë më larg arritjes së rimëkëmbjes së plotë, si: Izraeli (-49 për qind), Finlanda (-32 për qind), Suedia (-22 për qind). Sllovakia (-20 për qind) dhe Republika Çeke (-18 për qind).

Muajin e kaluar, ACI Europe zbuloi gjithashtu se trafiku i pasagjerëve nëpër aeroportet europiane u rrit me 12.1 për qind në tremujorin e tretë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./ ACI-Europe

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco