Durrësi pas tërmetit: Spitalla ende e pamarrë në dorëzim, vijohet me dëmet DS4, fundi nuk dihet

Durrësi pas tërmetit: Spitalla ende e pamarrë në dorëzim, vijohet me dëmet DS4, fundi nuk dihet

07:21, 02/12/2023
A+ Aa A-

Bashkia e Durrësit, më e goditura nga tërmeti i nëntorit 2019, po vijon ende me programin e rindërtimit.

Teksa një pjesë e mirë e pallateve individuale brenda territorit të Bashkisë kanë përfunduar, Spitalla, e cila është një nga projektet më të mëdha, ende nuk është marrë në dorëzim.

Bashkia konfirmoi për “Monitor” se ende ka punë para dhe se po vijohet edhe me dëmet DS4 që kërkojnë riforcim, si në banesa individuale, edhe në pallate.

Lidhur me zhvendosjen e banorëve në Spitallë, herë pas here ka pasur kundërshti për të mos u larguar nga qyteti ku më herët kishin apartamentin, por Bashkia shprehet se po negociohet dhe se një pjesë e tyre kanë pranuar të shkojnë në zonën e re.

Në çfarë faze ndodhet sot procesi i rindërtimit në Bashkinë e Durrësit katër vite pas ngjarjes së 26 nëntorit 2019?

Procesi i rindërtimit vijon dhe është në faza të ndryshme për objekte të ndryshme.

Për çdo fazë të procesit të rindërtimit, Bashkia e Durrësit ka publikuar në faqen zyrtare www.durres.gov.al të gjithë informacionin e nevojshëm, sipas Vendimeve përkatëse të Këshillit Bashkiak të Durrësit, si dhe ka njoftuar subjektet, të cilat nuk plotësojnë kriteret ligjore për këtë proces.

Si ka qenë ecuria e ndërtimeve për pjesën që u klasifikuan DS4 dhe DS5. Sa ndërtime të reja kemi sot të përfunduara?

Për sa u përket objekteve me nivel dëmi DS4, janë në total 96 objekte me nivel dëmi DS4 pallate dhe 101 shtëpi individuale për të cilat janë miratuar fondet për riforcimin e tyre, disa prej tyre kanë përfunduar, disa të tjera janë në proces zbatimi punimesh riforcimi.

Pallate me nivel dëmi DS5, të cilat kanë mbaruar ndërtimin janë: pallati në rrugën “Petraq Boshnjaku” nr.14; pallati në rrugën “26 Nëntori” nr.1062; pallati në rrugën “Bajram Tusha” nr.92, Shkozet; pallati në rrugën “Isuf Molla” nr.21; pallati në rrugën “Telat Noga” nr.8; pallati në rrugën “Spiro Treska” nr.19; pallati në rrugën “Hysen Myshketa” nr.30. Gjithashtu kanë mbaruar dhe 9 pallate në zonën e re për zhvillim Manëz.

Sa familje kanë marrë sot një apartament nga ky proces?

Familje të cilat kanë marrë një apartament deri në këto momente janë rreth 331. Procesi i rindërtimit nuk ka përfunduar ende.

A ka përfunduar plotësisht pjesa e Spitallës dhe Manzës që ishin dy zona krejtësisht të reja të zhvilluara dhe nëse jo, kur pritet të përfundojë gjithçka?

Për sa i përket sitit të ri në Spitallë është ende në proces dhe apartamentet nuk janë dorëzuar, ndërsa për sa i përket sitit i ri të Manzës ka përfunduar.

A keni hasur vështirësi për të bindur banorët për zhvendosjen nga Durrësi në këto zona të reja të zhvilluara apo ka dakordësi?

Në lidhje me banesat individuale kanë shprehur vullnetin e tyre qytetarët për t’u zhvendosur në zonat e reja për zhvillim, ndërsa në lidhje me banorët që kanë jetuar në apartamente është hasur vështirësi në fillim, por me punën dhe angazhimin e njësive është bërë i mundur ndërgjegjësimi i familjeve dhe është marrë mirëkuptimi dhe kanë pranuar të transferohen shumë familje.

A keni projekte për të rigjallëruar këto zona krejtësisht të reja me projekte mbështetëse të Bashkisë, si dhe ndërhyrje që synojnë ndërlidhje më të lehtë me qytetin?

Nga ana e Bashkisë së Durrësit, në bashkëpunim dhe me institucionet e tjera si FSHZH, janë realizuar rikonstruksioni i disa segmenteve rrugore që ndodhen në zonën e rindërtimit në Spitallë, janë realizuar disa rrugë të brendshme po në këtë zonë rindërtimi, gjithashtu pranë kësaj zone nga qeveria shqiptare do të realizohet dhe akademia dhe shkolla e futbollit “Manchester”.

Nga Bashkia e Durrësit gjithashtu do të vlerësohet mundësia e rehabilitimit të zonës brenda zonës së re për zhvillim në Spitallë, duke e përputhur atë me standardet e nevojshme.

Kur parashikohet të përfundojë i gjithë procesi i rindërtimit për Bashkinë që u godit më rëndë nga tërmeti?

Duke qenë se është një proces që nuk varet vetëm nga Bashkia e Durrësit, pasi ka dhe shumë institucione të tjera që janë pjesë e këtij procesi, nuk mund të parashikohet se kur do të përfundojë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco