Importet e sheqerit ranë me 28% për 10-mujorin/ Importuesit: Tregtohet 30% më lirë se vjet

Importet e sheqerit ranë me 28% për 10-mujorin/ Importuesit: Tregtohet 30% më lirë se vjet

14:05, 30/11/2023
A+ Aa A-

Konsumi i sheqerit në vend vijon të këtë rënie, pavarësisht se çmimi i shitjes me shumicë është 30% më i lirë se vjet.

Në periudhën janar-tetor 2023, sipas të dhënave të Doganave u importuan 38,4 mln kg sheqer. Krahasuar me njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet ranë me 28%.

Importuesit pohojnë se arsyet kryesore mbeten emigracioni i të rinjve dhe rënia e kërkesës nga industria agropërpunuese, pasi çmimet e shitjes së sheqerit janë ulur.

Shitjet e çmimit të sheqerit me shumicë, sipas të dhënave nga grosistët, aktualisht sheqerin po e tregtojnë 100 lekë për kg nga 130 lekë për kg që u shit vjet. Ndryshimi i çmimit të sheqerit është ndikuar nga rënia e shitjes së tij në bursa dhe ndryshimi i kursit të këmbimit të dollarit, monedha me të cilin tregtohet produkti në bursa.

“Konsumi i sheqerit nga viti i kaluar ka rënie. E para ka rënie nga konsumatorët. Mungojnë banorë në Shqipëri nga emigracioni, kryesisht janë të rinjtë që largohen. Ndërsa pjesa e turizmin ka pasur ndikim pozitiv, por jo aq të theksuar. Produkti i sheqerit bazë ka konsumin e përditshëm nga konsumatori dhe industrinë”, tha për Monitor një nga drejtuesit e kompanisë importuese të sheqerit.

Pakësimi i importeve është ndikuar edhe nga industria përpunuese. Në fabrikat e përpunimit në muajin shtator në pikun e sezonit, prodhimi i reçelrave, marmelatës dhe kompostove shqiptare u përgjysmua, për shkak të mungesës së frutave.

Nevion Telha agronom në zonën e Korçës shpjegoi më herët për Monitor se prodhimi i pemëtarisë sivjet u reduktua, pasi në periudhën e lulëzimit të gjitha pemët u prekën nga lagështira e lartë.

Rajoni i Korçës është shumë i përshtatshëm për prodhimet bujqësore, sidomos zona e Pojanit kultivon disa variete kumbullash që shërbejnë si lëndë e parë për agroindustrinë. Telha nënvizoi se nga 8,000 deri në 10,000 ha tokë të mbjella të zonën e Korçës me varietetin e kumbullës “tropojanë” vetëm 20% e tyre patën prodhimtari.

Importuesit veçojnë se tendenca rënëse e sheqerit ka nisur që pas pandemisë nga Covid-19 edhe për shkak të këshillave të mjekëve për mospërdorim të shumtë të tij./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco