Kreditimi i individëve: Fiton kuotë huaja për konsum, ngadalësohet ajo për blerje banesash

Kreditimi i individëve: Fiton kuotë huaja për konsum, ngadalësohet ajo për blerje banesash

10:29, 29/11/2023
A+ Aa A-

Rritja e kredisë konsumatore është përshpejtuar në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa kredia për blerje banesash është rritur me ritme më të ngadalta.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia konsumatore për individët u rrit me 10% në tremujorin e tretë të vitit, rritje kjo me dy pikë përqindje më e lartë se mesatarja e tremujorëve të mëparshëm.

Ndërkohë, kredia hipotekare u rrit me 13.5% në tremujorin e tretë, rreth 3 pikë përqindje më pak se në gjashtëmujorin e parë të vitit. Pavarësisht konkurrencës së lartë mes bankave dhe lehtësimit të vazhdueshëm të kushteve në këtë segment, kërkesa e individëve është ngadalësuar në pasqyrim të rritjes së kostos së kredisë për banesa dhe shtrëngimit të buxhetit familjar nga çmimet e larta të jetesës.

Banka e Shqipërisë vëren se gjatë muajve të verës, një faktor me ndikim në ecurinë e kredisë hipotekare ka qenë dhe ngërçi i përkohshëm në gjenerimin e dokumentacionit të nevojshëm nga shërbimi online i hipotekave.

Në tërësi, kredia për individë ka vijuar të rritet me ritme dyshifrore gjatë tremujorit të tretë, ndonëse rritja pre 12.5% në këtë tremujor ishte 1.4 pikë përqindje më e ulët se në gjashtëmujorin e parë. Kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i ngadalësimit të kredisë në valutë.

Normat e interesit për kreditë në lekë të individëve në tremujorin e tretë kanë vijuar të ulen. Kjo ulje ka reflektuar kryesisht ecurinë rënëse të yield-it të bonove 12-mujore, i cili përdoret në indeksimin e pjesës më të madhe të kredive të kësaj kategorie.

Interesi mesatar i kredisë në lek për individë shënoi 6.7% në tremujorin e tretë nga 7% dhe 7.6% që ishte në dy tremujorët paraardhës.

Individët kanë përfituar nga rënia e interesave për kredinë hipotekare, ndërkohë që tek kredia konsumatore ulja ka qenë minimale në 9.3%, nga 9.4% që ishte në pjesën e parë të vitit. Interesat e kredisë për blerje banese rezultuan 4% nga 4.3% që ishte mesatarja në gjashtë muajt e parë të vitit.

Ndërkohë, interesi i kredisë hipotekare në euro ka njohur rritje, duke sjellë diferencialin e interesave me kredinë në lek në terren negativ.

Interesi mesatar i kredisë së re në euro për individët shënoi një rritje të lehtë duke arritur në 5.5% në tremujorin e tretë, nga 5.3% dhe 4.1% që ishin vlerat e dy tremujorëve të mëparshëm. Interesat e kredisë tek kjo kategori dominohen nga ecuria rritëse e normës së interesit për kredinë hipotekare (5.3% nga 4.3%), në reflektim të rritjes së normave referencë.

Bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, politikat e kreditimit për individët përgjatë vitit 2023, ndryshe nga bizneset, kanë qenë më lehtësuese. Në tremujorin e tretë të vitit, bankat i lehtësuan më tej kushtet dhe termat e kreditimit për individët, nxitur prej një ambienti konkurrues në të cilin bankat veprojnë. Në kreditë e reja akorduar individëve në tremujorin e tretë, bankat vijuan të ulin marzhet mbi normat referencë, sikurse edhe në gjysmën e parë të vitit.

Politikat lehtësuese të kreditimit kundrejt individëve, krahas elementit çmim u shprehën edhe në kushte të tjera joçmim më të favorshme, të tilla si: kërkesa më të ulëta për kolateral në kreditë hipotekare, si dhe në miratim të madhësive më të larta të kredive për individët./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco