Sektori pa orientim, edhe bujqësia organike shënoi rënie më 2022

Sektori pa orientim, edhe bujqësia organike shënoi rënie më 2022

11:27, 30/06/2023
A+ Aa A-

Sektori i bujqësisë, më i madhi në ekonominë tonë, po vuan rënien e prodhimit në të gjitha degët e saj që nga blegtoria, bimët e arave, peshkimit dhe tani së fundmi bujqësisë organike.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, prodhimet organike shënuan rënie me 20% për qind vitin e kaluar në raport me vitin 2021.

Bujqësia organike në vendin tonë dominohet nga bimët aromatike dhe mjekësore që rriten ne gjendje të egër me rreth 65% dhe pastaj pjesa tjetër nga ullishtet dhe vreshtat organike të certifikuara tashmë. Prodhimi organik në sera pothuajse është nuk ekziston.

Rënia gjatë vitit të kaluar është krijuar nga bimët mjekësore, ku u grumbulluan 1369 tonë nga 2113 në vitin 2021. Vitin e kaluar u pa një rënie e kërkesës në tregjet ndërkombëtare për këto bimë, teksa janë rritur vështirësitë për grumbullimin e tyre nga mungesa e punonjësve në zonat rurale ku rriten bimët.

Rritje shënoi vetëm prodhimi i ullirit organik për shkak të sezonit të mbarë. Gjithsej u prodhuan 445 tonë ullinj organik në vitin 2022 me rritje 218 % në krahasim me vitin 2021.

Aktualisht prodhimet organike më të zakonshme në vendin tonë janë bimët mjekësore që rriten në gjendje të egër në natyrë, si sherbela, boronica, çaji i malit, rigoni etj. Po ndërkohë mjalti, kërpudhat, perimet në serra dhe sektori i bujqësisë ka nisur të orientohet drejt prodhimit organik. Në serrat e Lushnjës ka nisur të eksperimentohet një metodë e re që ngordh dëmtuesit pa pesticide.

Sa i përket tregtisë, pozicioni gjeografik strategjik i Shqipërisë përbën një avantazh, ndërkohë që rritja e të ardhurave të konsumatorëve në Shqipëri paraqet një mundësi për tregun e brendshëm. Bujqësia organike në Shqipëri vazhdon të jetë në fazat e saj fillestare të zhvillimit, teksa përballet me disa sfida.

Pavarësisht progresit në legjislacionin e bujqësisë organike, ka ende boshllëqe sa i përket përputhjes me legjislacionin e BE-së për bujqësinë organike (ose Politikën e Përbashkët Bujqësore).

Nga ana tjetër, kapacitetet e shërbimit këshillimor bujqësor janë të pamjaftueshme për t’u ballafaquar me zbatimin e standardeve për prodhimin organik. Mungesa e bashkëpunimit mes operatorëve pengon prodhuesit shqiptarë në tregtimin e produkteve organike në Shqipëri. Mbështetja buxhetore për bujqësinë në Shqipëri vijon të jetë mjaft e ulët, por për bujqësinë organike, ajo është thuajse inekzistente.

Që nga viti 2008, Ministria e Bujqësisë ofron mbështetje për certifikimin e produkteve bujqësore të kultivuara, kryesisht të destinuara për tregun e brendshëm vendas, por megjithatë numri i përfituesve në mesin e fermerëve mbetet shumë i ulët, krahasuar me potencialin./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco