Kredia e re rritet në maj, por mbetet me rënie për 5 mujorin, kryesojnë tregtia dhe ndërtimi

Kredia e re rritet në maj, por mbetet me rënie për 5 mujorin, kryesojnë tregtia dhe ndërtimi

13:01, 29/06/2023
A+ Aa A-

Kreditimi i bizneseve ka shfaqur shenja gjallërimi në muajin maj, por gjithsesi për pesë muajt e parë të vitit tendenca është në rënie, duke reflektuar një ngadalësim të investimeve të sipërmarrjeve.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në maj kredia e re për bizneset ishte 15.4 miliardë lekë, me rritje prej 10% në krahasim me muajin e mëparshëm dhe 13% më shumë se maji i një viti më parë.
Por, për 5 mujorin, tendenca është në rënie. Huaja e re që është dhënë për të gjithë sektorët e bizneseve ishte 67 miliardë lekë për janar-maj, me një tkurrje prej 6.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e detajuara bëjnë të ditur se për 5 mujorin rënia është ndikuar nga tkurrja për sektorin e ndërtimit. Ky i fundit kishte qenë një faktor kryesore që kishte nxitur kredidhënien e bankave vitet e fundit, në linjë me bumin e ndërtimeve që shënoi ky sektor.

Për 5 mujorin, bankat dhanë për ndërtuesit 15 miliardë lekë, ose 13% më pak se ë njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërtimi është sektori i dytë që merr më shumë hua, me 22.2% të totalit.

Kredimarrësi kryesor mbetet tregtia, bizneset e të cilave për periudhën janar-maj morën 24 miliardë lekë hua, me një rritje prej 21.4% me bazë vjetore, duke zënë 35.6% të totalit.

Për industrinë përpunuese, huaja e re për 5 mujorin u rrit me gati 5%.

Në rënie të ndjeshme ishte kreditimi për sektorin e turizmit, që u tkurr me 18.2%. edhe ky sektor vitet e fundit kishte rritur kërkesën për hua, në linjë me rritjen e interesit të të huajve për Shqipëri, çka nxiti ndërtimin e hoteleve.

Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se stoku i kredisë totale për ekonominë në fund të muajit maj ishte 712 miliardë lekë, me një rritje prej 0.26% në krahasim me muajin e mëparshëm.

Ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, stoku i huasë për ekonominë u rrit me 2.3%./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco