Rritja e pagave efekte të zbehta në buxhet në 5-mujor, kosto sa 2.6% e të ardhurave shtesë

Rritja e pagave efekte të zbehta në buxhet në 5-mujor, kosto sa 2.6% e të ardhurave shtesë

12:26, 29/06/2023
A+ Aa A-

Qeveria prezantoi në prag të zgjedhjeve lokale një plan ambicioz për rritjen e pagave të punonjësve buxhetorë, që nisi që nga prilli 2023 dhe do të vijojë në dy vitet e ardhshme, me qëllim dyfishimin e tyre.

Fatura buxhetore e janar-maj tregon se rritja e fondit të pagave për buxhetorët është e zbehtë, në krahasim me premtimin e qeverisë.

Kosto e rritjes së pagave në janar-maj 2023 ishte sa 2.6% e fondeve shtesë të arkëtuara në buxhet në këta 5 muaj. Në të njëjtën periudhë, qeveria ka grumbulluar 24.5 miliardë lekë, ose rreth 220 milionë lekë më shumë se viti i kaluar dhe fondi i shtesë i pagave ishte 3,2 miliardë lekë.

Rritja e pagave shtoi shpenzimet në këtë zë vetëm 9% në 5-mujorin e parë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin maj, kur efektet e rritjes ishin të plota, shpenzimet për pagat e personelit publik arritën 7,7 miliardë lekë me 6.3 milionë euro më shumë se në majin e vitit të kaluar. Gjithsej në 5-mujorin 2023 u shpenzuan 37,7 miliardë lekë ose 9.4% më shumë se vitin e kaluar, me një shtesë rreth 28 milionë euro.

Më shumë se sa një faturë buxhetore, rritja e pagave në vitin e parë të reformës së prezantuar nga qeveria vetëm sa shtoi pabarazinë. Punonjësit në shërbimet themelore të vendit, mësuesit, mjekët dhe infermierët dhe trupa policore në terren morën vetëm 7% rritje të pagës, ndërsa funksionet e larta të qeverisëse, deputetet, ministrat dhe zv.ministrat përfituan rritje të pagës nga 50-deri 98 për qind sipas vendimeve të fundit me reformën e pagave që po diskutohet në Kuvend.

Paga e Ministrave rritet me 82%, duke shkuar në 310,250 lekë në muaj nga 174,760 lekë që është aktualisht. Rritje me mbi 72% shënoi edhe paga e kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, ndërsa paga më e lartë në vend, ajo e Presidentit, që është në krye të hierarkisë së pagave, arriti me 425.000 lekë nga 257, 000 lekë që është aktualisht me rritje 65%.

Por nga ana tjetër, trupa më e madhe e administratës përfitoi nga 1 prilli i këtij vetëm me 7% rritje. Praktikisht rritja reale e pagave të tyre është zero për qind pasi rritja është vetëm një indeksim me inflacionin i cili vitin e kaluar ishte 6.7%.

Teksa përfitimet për 686,923 pensionistë dhe mijëra të tjerë që janë në skemën e ndihmës ekonomike mbeten të pandryshuara. Qeveria ka planifikuar të indeksojë pensionet në vjeshtë gjatë tetorit.

Teksa vendet e rajonit vijuan reformat e rritjes së pagave për punonjësit ë thjeshtë edhe këtë vit, Shqipëria renditet si vendi me pagën më të larta të funksionarëve publikë dhe me pagat më të ulëta të personelit në shërbimet bazë publike, arsim, shëndetësi dhe rend./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco