Kriza në bujqësi/ Pas blegtorisë, bie edhe peshkimi në vitin 2022

Kriza në bujqësi/ Pas blegtorisë, bie edhe peshkimi në vitin 2022

19:02, 27/06/2023
A+ Aa A-

Të dhënat e bujqësisë që po publikohen nga INSTAT tregojnë se sektori i bujqësisë nuk ka shënuar një vit të mbarë në 2022.

Pas blegtorisë, që pa rënie të ndjeshme të numrit të krerëve, edhe peshkimi ka rezultuar me tkurrje. 

Sipas INSTAT, në vitin 2022, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 17.799 tonë nga 18.503 tonë që ishte në vitin 2021, duke shënuar një rënie me 3,80 %.

Kategoritë ujore të peshkimit janë: det, bregdet, laguna, ujëra të brendshme, akuakulturë dhe molusqe. Kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit janë, “Akuakultura” me 44,87 % dhe peshkimi “Detar” me 24,27 %, pasuar nga “Ujërat e brendshme” me 19,03 %, ndaj prodhimit gjithsej.

Në vitin 2022, rritjen më të madhe e ka shënuar kategoria “Molusqe” me 55,48 % të zënieve gjithsej, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Bregdeti” me 18,34 %. Kategoria ujore “Laguna” ka pësuar rënie me 27,25 % në vitin 2022, krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2022, për sa i përket kategorive ujore, det, bregdet dhe laguna, specia, e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Karkaleci i thellësisë” me 18,08 % ndaj zënieve gjithsej, pasuar nga “Açuga” me 17,94 % dhe “Merluc” me 12,45 %. Përsa i përket zënieve në ujërat e brendshme, specia “Karas” zë përqindjen më të madhe të zënieve gjithsej me 25,62 %, pasuar nga “Skortë” me 17,80 % dhe specia “Krap” me 17,30 %.

Flota detare

Në vitin 2022, janë 784 subjekte të licensuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit. Flota vepron pothuajse plotësisht në Nën-Zonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut). Gjatë vitit 2022 janë regjistruar 32 subjekte më shumë se një vit më parë.

Në vitin 2022, porti me numrin më të madh të anijeve të licensuara është porti i Durrësit me 37,24 % të flotës së përgjithshme, porti i Vlorës ka 30,48 % të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga porti i Sarandës me 15,18 %.

Portet e peshkimit me përqindjet më të vogla të subjekteve të licensuara për peshkim janë ato të Lushnje-Fier me 2,30 % dhe Himarës me 1,53 %.

Flota detare shqiptare nisur nga qëllimi i anijes ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica me 70,92 % si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike) me 25,00 %, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera.

Prodhimi i rasateve

Një fokus të veçantë po i kushtohet prodhimit të rasateve si: Trofta Ylber, Koran dhe Krap si një vëmendje e shtuar dhe ndihmesë për ruajtjen e biodiversitetit. Në vitin 2022, u prodhuan dhe u hodhën në liqenin e Ohrit 9 milion rasate të Troftës Ylber, 1,60 milion rasate të Koranit dhe 1,60 milion rasate Krap./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco