Fatura e pagave/ Qeveria do rikthejë TVSH-në në arsim dhe shëndetësi

Fatura e pagave/ Qeveria do rikthejë TVSH-në në arsim dhe shëndetësi

09:25, 02/06/2023
A+ Aa A-

Fatura e lartë financiare e rritjes së programuar të pagave e ka vënë qeverinë përballë nevojës për të siguruar të ardhura shtesë. Sipas planit të shpallur nga kryeministri, rritja e pagës mesatare në 900 euro për nëpunësit publikë ka një faturë prej rreth 40 miliardë lekësh ose gati 360 milionë euro në vit. Tani qeveria po mendohet se ku do t’i gjejë këto para.

Problemi kryesor me rritjen e shpenzimeve për paga është se ato janë të qëndrueshme, pra jo shpenzime one-off, të cilat ndodhin vetëm një herë, por pagesa të përvitshme. Si të tilla, kërkojnë balancim në krahun e të ardhurave po me masa që garantojnë flukse të qëndrueshme hyrëse.

Për këtë arsye në korridoret e qeverisë ka filluar të diskutohet një ide e sugjeruar para 4 vjetësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave. Kjo është rikthimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në arsim dhe shëndetësi.

Aktualisht Shqipëria ka një regjim, i cili e përjashton shëndetësinë dhe arsimin nga TVSH. Arsimin e përjashtoi qeveria e Sali Berishës pas kërkesave të universiteteve private, ndërsa shëndetësinë e përjashtuan socialistët kur erdhën në pushtet. Ligji aktual për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar përcakton se janë të përjashtuara nga kjo taksë furnizimi i shërbimeve për arsimin e fëmijëve ose të rinjve, nga organet arsimore publike ose private. E njëjta situatë përcaktohet në nenin 51 të ligjit të TVSH-së edhe për shërbimet shëndetësore.

Sipas një përllogaritje të ministrisë së Financave, vetëm nga përjashtimi i këtyre dy sektorëve nga TVSH buxheti i shtetit humbet të ardhura në masën 1.4 për qind e Prodhimit Kombëtar Bruto. E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se rivendosja e taksës në arsim dhe shëndetësi do të sillte rreth 250 milionë euro të ardhura shtesë në vit.

Por ndonëse do të siguronte financimin e pjesës më të madhe të faturës për rritjen e pagave, vendosja e TVSH në arsim dhe shëndetësi do të rriste automatikisht me 20 për qind çmimet që qytetarët paguajnë për këto shërbime. Në një vend ku shërbimi publik nuk garanton mbulim universal, këto masa shkaktojnë pasoja të dhimbshme sociale.

Megjithatë ky është ende vetëm një diskutim, pasi akoma nuk ka një vendim final për të rikthyer TVSH-në të dy këta sektorë, i cili sigurisht është vendim politik. Por e sigurtë është se në 1 janar të vitit të ardhshëm, qeverisë do t’i duhet ta ngulë diku çekanin e taksave. Dhe sot idea që ka më shumë mundësi të materializohet është pikërisht kjo e taksimit të shëndetësisë dhe arsimit. Ndërsa masa të tjera shtesë lidhen me rritjen e taksave të pronës./OLIGARKIA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco