Inflacioni i Eurozonës u rrit lehtë në 7%, a do të ndihet në Shqipëri?!

Inflacioni i Eurozonës u rrit lehtë në 7%, a do të ndihet në Shqipëri?!

08:16, 03/05/2023
A+ Aa A-

Inflacioni i Eurozonës u rrit pak, në 7% në prill, duke ndërlikuar tablonë për përcaktuesit e normave në Bankën Qendrore Europiane, kur ata të takohen ditën e enjte për të përcaktuar kostot e huamarrjes.

Shifra për çmimet e konsumit (6.9% muajin e kaluar), ishte më e lartë nga parashikimet e ekonomistëve.

Eurostat, agjencia e statistikave e BE-së, tha se inflacioni bazë vjetor, i cili nuk merr parasysh çmimet e energjisë dhe ushqimeve, për të dhënë një tregues më të mirë të trysnive bazë të çmimeve, ra në 5.6% në prill, nga 5.7% një muaj më parë. Zyrtarët e BQE-së kanë thënë se, nuk presin të ndalojnë rritjen e normave, derisa inflacioni bazë të bjerë ndjeshëm.

Norma e inflacionit mujor, u ngadalësua nga 0.9% në mars, në 0.7% në prill.

Nga ana tjetër, kërkesa për kredi nga bizneset e Eurozonës, ka rënë me ritmin më të shpejtë, që nga kriza financiare e vitit 2008, sipas të dhënave të BQE.

BQE tha se bankat treguan “një shtrëngim të mëtejshëm të konsiderueshëm neto të standardeve të kredisë, për kreditë për firmat dhe për blerjet e banesave” në tremujorin e parë, pasi rritja e kostove të huamarrjes dhe zbehja e besimit, ndikuan mbi aktivitetin ekonomik.

Përcaktuesit e normave, thanë se rezultatet e anketës tremujore të bankave, e cila u krye në javën e fundit të marsit dhe javën e parë të prillit, mund të jenë një kontribut vendimtar në diskutimet e tyre, se sa do të rriten normat në mbledhjen e kësaj jave.

Sjellja e bankave po vëzhgohet nga afër nga bankierët qendrorë, për shkak të trazirave të fundit në sektor, që shkaktoi falimentimin e Silicon Valley Bank në SHBA dhe e shtyu Credit Suisse, te rivali i saj UBS në mars.

Ekonomistët thonë se, trazirat do të intensifikojnë tkurrjen e kreditimit dhe do të kufizojnë kërkesën, duke reduktuar nevojën, që BQE të rrisë normat.

BQE tha se bankat e Eurozonës i kishin shtrënguar standardet e tyre të kredisë në maksimum, që nga shpërthimi i krizës së borxhit të Eurozonës në 2011. “Shtrëngimi për kreditë për firmat dhe për blerjen e banesave, ishte më i fortë se sa kishin pritur bankat, në tremujorin e kaluar dhe tregon për një dobësim të vazhdueshëm të dinamikës së kredidhënies”.

Nxitësit kryesorë për tërheqjen e bankave nga kreditimi, ishin perceptimet më të larta të rrezikut dhe toleranca më e ulët ndaj rrezikut. Por, rritja e paprecedentë e kostove të huamarrjes nga BQE dhe ulja e likuiditetit të saj në muajt e fundit, gjithashtu rriti kostot e financimit për bankat dhe pati një ndikim shtrëngues në standardet e kredisë.

BQE ka rritur normën e saj të depozitave nga minus 0.5% verën e kaluar, në 3% në mars. Politikëbërësit kanë thënë se, një rritje tjetër ka të ngjarë të njoftohet pas takimit të së enjtes, por të dhënat do të përcaktojnë nëse ajo qëndron në një rritje gjysmë përqindjeje, ose ngadalësohet në një lëvizje çerek pike.

Tërheqja e likuiditetit nga sektori bankar, do të përshpejtohet në qershor, kur maturohet financimi shumë i lirë i BQE-së prej 480 miliardë euro, për bankat e Eurozonës dhe banka qendrore pritet të përshpejtojë ritmin e tkurrjes së portofolit të saj prej 5 trilionë eurosh.

Niveli i kërkesave për kredi të refuzuara nga bankat, u rrit në nivelin më të lartë, që nga viti 2015.

A do ndihet efekti në Shqipëri?!

Në mars inflacioni në Shqipëri zbriti në 5,3%, një vit më parë ky ndryshim ishte 5,7%. Treguesi ka rënë ndjeshëm nga 7.1% që ishte në shkurt dhe 8.3% që arriti në tetor 2022, duke shënuar rekordin që nga viti 1998.

Për shkak të varësisë së lartë që ka vendi nga importet, rritja e çmimeve në Europë, që në prill u ndikua në pjesën më të madhe nga ushqimet, mund të ketë efekt edhe në Shqipëri.

Sipas Bankës së Shqipërisë  më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi.

Nga vendet e BE-së Shqipëria importon rreth 50% të mallrave, sipas INSTAT. Banka e Shqipërisë rriti sëri normën bazë pak javë më parë, duke e çuar në 3%./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco