BSH: Bankat të kufizojnë kreditë, që jepen duke anashkaluar kuadrin e administrimit të rrezikut

BSH: Bankat të kufizojnë kreditë, që jepen duke anashkaluar kuadrin e administrimit të rrezikut

11:22, 02/05/2023
A+ Aa A-

Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga bankat kufizimin e kredive, që jepen si raste përjashtimore, duke anashkaluar kuadrin e përgjithshëm të administrimit të rrezikut të kredisë.

Sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2022 janë kryer në total 13 ekzaminime në vend të institucioneve financiare të mbikëqyrura, ku pjesa më e madhe e tyre u janë adresuar bankave, konkretisht 4 ekzaminime të plota dhe 4 ekzaminime tematike.

Banka e Shqipërisë vë në dukje se edhe gjatë vitit 2022, një vëmendje e shtuar iu kushtua rrezikut të kredisë, nëpërmjet ekzaminimeve të targetuara për këtë rrezik në 3 banka të mëdha të sistemit, si dhe nëpërmjet vlerësimeve të thelluara të këtij rreziku në ekzaminimet e plota të bankave të tjera.

Konkluzionet e vlerësimit evidentuan se, në përgjithësi, bankat shfaqin një qasje të kujdesshme në administrimin e rrezikut të kredisë, si dhe një nivel në rritje të kuadrit të qeverisjes dhe atij rregullator përkatës.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë shprehet se organet drejtuese duhet të sigurojnë një trajtim më të kujdesshëm lidhur me vlerësimin kritik dhe kufizimin e përshtatshëm të kredive që miratohen si raste përjashtimore nga kuadri i përgjithshëm i administrimit të rrezikut të kredisë.

Paralelisht me vlerësimin e rrezikut të kredisë, ka ecur edhe vlerësimi i kërkesave përkatëse për kapital, duke qenë se rreziku i kredisë përbën rreth 87% të kërkesave totale për kapital të bankave.

Vlerësimi i llogaritjes së kërkesave për kapital ka njohur përmirësim, në kushtet kur bankat kanë investuar në sisteme dhe programe të dedikuara, me qëllim një llogaritje sa më të saktë të kërkesave dhe një përputhshmëri të lartë me kërkesat rregullative.

Megjithatë, i rëndësishëm mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i kësaj infrastrukture, për tu përshtatur me ndryshimet rregullative, si dhe për të siguruar instrumentet e përshtatshme në funksion të kontrollit dhe të planifikimit të kërkesave të ardhshme për kapital.

Një tjetër rrezik që ka qenë objekt i kontrolleve dhe ekzaminimeve të bankës qendrore është ai operacional dhe i teknologjisë së informacionit.

Me shtimin e sulmeve të jashtme ndaj institucioneve të rëndësishme në vend, përfshirë edhe bankat apo subjektet e tjera financiare, Banka e Shqipërisë vlerëson se sigurimi i një mbrojtjeje efektive ndaj integritetit të sistemeve, aktiveve të klientëve dhe të dhënave të tyre personale është kthyer në domosdoshmëri.

Në funksion të mbikëqyrjes së rrezikut të likuiditetit dhe të tregut, krahas angazhimeve në inspektimet e plota, janë kryer edhe inspektime paralele dedikuar vlerësimit të mjaftueshmërisë së kuadrit të brendshëm rregullator e proceseve për implementimin e kërkesave të reja rregullatore, lidhur me financimin e qëndrueshëm neto të bankave. Inspektimet janë zhvilluar kryesisht në tremujorin e fundit të vitit 2022, në katër banka me rëndësi sistemike dhe do të vijojnë edhe gjatë vitit 2023 me pothuaj të gjitha bankat e tjera.

Nga inspektimet, rezultojnë mangësi në drejtim të procesit të qeverisjes për implementimin e treguesit të mbulimit me likuiditet, si edhe pasaktësi në përllogaritjen e tij.

Një pjesë e mirë e bankave kanë orientuar një pjesë të investimeve të tyre në instrumente të borxhit në tregjet ndërkombëtare dhe ato vendase, duke u ekspozuar në këtë mënyrë ndaj luhatjeve të çmimeve që ndodhën gjatë vitit 2022, për shkak të rritjes së normave të interesit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, të gjitha bankat arritën t’i përballonin këto goditje, duke riorientuar më pas strukturën e instrumenteve financiare në bilancet e tyre./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco