VIDEO-SYRI TV/ Bizneset: Zhvlerësimi i euros po na çon në falimentim, po rikthehemi në vitin 1992

VIDEO-SYRI TV/ Bizneset: Zhvlerësimi i euros po na çon në falimentim, po rikthehemi në vitin 1992

16:54, 28/04/2023
A+ Aa A-

Zhvlerësimi i euros po na çon drejt falimentimit. Me këtë thirrje, 7 shoqata biznesi kryesisht të eksportit kërkojnë nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave një ndërhyrje urgjente në treg për të stabilizuar situatën me valutën. Bizneset kanë kritikuar qëndrimin e mbajtur një ditë më parë nga Ministrja e Financave që e cilësoi këtë situatë normale dhe pozitive. Për bizneset në praktikë kjo është krejt e kundërta

Nga SYRI TV

Teksa monedha europiane e ka mbyllur këtë javë në vlera rekord të zhvlerësimit përballë lekut, 7 shoqata të biznesit i janë drejtuar me një letër guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministres së Financave, Delina Ibrahimaj duke kërkuar ndërhyrje për të normalizuar tregun. Përmes kritikave për qëndrimin e një dite më parë nga kreu i financave, sipas tyre kjo situatë po çon drejt falimentit bizneset eksportuese

‘Ky fenomen nuk mund të lihet në rënie “të lirë”, me arsyetimin e thjeshtë se çdo gjë e përcakton tregu. Asnjë qëndrim zyrtar nga Banka e Shqipërisë dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk është përcjellë për publikun e biznesin, lidhur me shkaqet e kësaj anomalie të theksuar, analizën e impaktit në ekonomi dhe për masat që janë marrë apo që mendohet të merren për vënien në kontroll të këtij fenomeni shkatërrues!

Nëse vërtetë mendohet se “duke ulur koston e importeve me pasojë uljen e eksporteve është një zhvillim pozitiv ekonomik dhe tregues i një ekonomie të forte”, atëherë po rrezikohet kthimi mbrapa në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”!’, thuhet në letrën e biznesit.

Sipas shoqatave të biznesit, konsumatorët shqiptar nuk kanë përfituar asnjë ulje të çmimeve të produkteve të importit, ndërsa theksojnë se nga zhvlerësimi i monedhës kanë përfituar vetëm individë importues të veçantë dhe ekskluzive.

‘Ky fenomen negativ ju kushton masivisht qytetarëve shqiptarë humbjen e vendeve te punës, reduktimin e mundësive për vende të reja pune dhe në mënyrë të pashmangshme mos rritjen në vazhdim të pagës (veçanërisht për afro 200,000 të punësuarit në ndërmarrje eksportuese).

Sigurisht që kjo gjë do të shoqërohet me reduktim të të ardhurave në arkën e shtetit. Pasojat negative në tregun vendas, do të jenë afatgjata dhe do të jetë e pamundur të kompensohen me disa efekte pozitive të përkohshme’, vazhdon letra e bizneseve.

Për këto arsye grupet e interesit dhe shoqatat kanë kërkuar një analizë të detajuar mbi situatën dhe impaktin që po sjell në ekonomi ky fenomen, hetim dhe transparencë për faktorët natyrale dhe jonatyrale që ndikojnë dhe vendimmarrje direkte për të normalizuar kursin e këmbimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco