'Në pritje të zgjedhjeve'/ Rënia e euros prek tjetër rekord historik, kursi po 'rrokulliset' drejt 110 lekëve

'Në pritje të zgjedhjeve'/ Rënia e euros prek tjetër rekord historik, kursi po 'rrokulliset' drejt 110 lekëve

13:16, 25/04/2023
A+ Aa A-

Rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun u thellua edhe shumë ditën e martë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 111.34 lekë, në rënie me 0.47 pikë krahasuar me ditën e hënë dhe duke prekur një minimum të ri historik.

Që nga fillimi i vitit, kursi i euros ka rënë me 2.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e euros ka arritur në 7.6%.

Agjentët e tregut të këmbimit valutor dëshmojnë për ofertë shumë të lartë të valutës së huaj dhe sidomos të euros.

Oferta e bollshme e valutës ka qenë një tipar konstant në tregun valutor që prej vitit të kaluar, por në javët e fundit kjo ofertë po rritet edhe më shumë.

Sipas ekspertëve, kjo mund të shpjegohet me një shtim të të ardhurave nga turizmi, efektin e përvitshëm sezonal të festave të Pashkëve, por ndoshta edhe me fushtën për zgjedhjet lokale të datës 14 maj.

Sipas tyre, periudhat para zgjedhjeve shoqërohen me flukse të shtuara të euros në tregun valutor, ndonëse është e vështirë të identifikohet burimi i këtyre prurjeve.

Rënia e kursit të euros dhe mbiçmimi i monedhës vendase ka ndikime të rëndësishme në ekonomi.

Euro është monedha mbizotëruese në këmbimet e tregtisë së jashtme të vendit dhe mbiçmimi i lekut kundrejt saj i bën më të lira importet dhe po vazhdon të amortizojë një pjesë të shtrenjtimit të mallrave nga tregjet e huaja. Leku i fortë është një nga faktorët pse Shqipëria ka nivele të inflacionit krahasimisht më të ulëta me ekonomitë fqinje dhe ato të vendeve të Bashkimit Europian.

Leku i fortë ka një efekt pozitiv edhe në importet e shërbimeve dhe sidomos të turizmit, duke e bërë më të leverdisshme për shqiptarët të udhëtojnë dhe të pushojnë jashtë vendit.

Një segment tjetër që po përfiton ndjeshëm nga forcimi i lekut është ai i huamarësve në valutë të huaj. Sidomos në segmentin familjar, shumica e tyre i kanë të ardhurat në lekë dhe kjo bën që mbiçmimi monedhës vendase të ulë shpenzimin e tyre për këstin mujor të kredisë. Një familje që ka kredi në euro me normë interesi fikse sot paguan pothuajse 8% më pak nga sa paguante një vit më parë. Një nga huamarërsit më të mëdhenj përfitues është vetë qeveria shqiptare.

Banka e Shqipërisë llogariste se vitin e kaluar forcimi i lekut e uli me 37 miliardë lekë stokun e borxhit në valutë të huaj dhe me pothuajse dy pikë përqindje raportin e borxhit publik ndaj PBB-së. Një tendencëe tillë po vazhdon edhe në gjysmën e parë të këtij viti.

Por, forcimi i lekut po bëhet një kërcënim gjithnjë e më i madh për bizneset eksportuese dhe sidomos për ato që e kanë vështirë të rrisin çmimet për të kompensuar efektin e humbjes nga kursi.

Nëse një subjekt me të ardhura në lekë dhe shpenzime në euro ka fituar rreth 8% brenda një viti, për një subjekt me të ardhura në euro dhe shpenzime në lekë efekti është i përmbysur dhe përkthehet në humbje me pothuajse 8% nga kursi.

Një ndryshim i tillë përbën një trysni të konsiderueshme mbi marzhet e fitimit të bizneseve, sidomos në sektorët e fasonerisë.

Ky efekt po prek edhe bizneset e sektorit turistik dhe sidomos hotelerinë, që i shet shërbimet e veta kryesisht në euro. Sektori turistik shqiptar ka pasur një lloj avantazhi konkurrues në tërhqjen e turistëve të huaj, falë çmime relativisht më të lira krahasuar me destinacionet konkurruese në Europë. Por, rritja e çmime për shkak të forcimit të lekut dhe rritjes së kostos së punës mund ta zbehin këtë avantazh.

Forcimi i lekut po ushtron një ndikim negativ në vlerën e kursimeve të qyetetarëve shqiptarë në monedhë të huaj. Në vitet e fundit, euro po bëhet gjithnjë e më dominuese në strukturën e depozitave bankare, pavarësisht nënçmimit të ndjeshëm që ka pësuar kundrejt lekut.

Në teori, kjo bën që vlera e kursimeve, e shprehur në lekë, të ulet, por depozituesit nuk duken shumë të ndjeshëm ndaj këtij efekti, ndoshta edhe për shkak të euroizimit të ekonomisë së brendshme dhe faktit që shumica e aseteve me vlerë të qëndrueshme në kohë kuotohen në euro./MONITOR

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco