Lajmi i fundit

INTERVISTA/ Shpërthimi i Edi Ramës me 'RAI 3' dhe dosja e Olsi Ramës

'Rritja e pagave do të dëmtojë bizneset e vogla, që nuk kanë aftësi paguese'

'Rritja e pagave do të dëmtojë bizneset e vogla, që nuk kanë aftësi paguese'

08:10, 22/04/2023
A+ Aa A-

Rritja e pagave do të ndikojë më shumë punësimin te biznesi i vogël se sa inflacionin, thotë Erald Pashaj, ekspert i burimeve njerëzore dhe administrator në “ep & partners consultancy (EPPC) ltd”.

Ai thotë se biznesi i madh dhe ai i mesëm mund ta përballojnë rritjen e pagave që vjen nga presionet e tregut të punës.

Por, biznesi i vogël dhe i mesëm duhet të fillojnë të ofrojnë përfitime të tjera, si më pak orë pune, më shumë elasticitet në orare, cilësi pune më të thjeshtë, mundësi për të mësuar, etj.

Zoti Pashaj, a ka ekonomia shqiptare hapësira të pashfrytëzuara për të çuar në një nivel tjetër pagat? 

Mendoj se ka hapësirë, por më lejoni që ta segmentoj sektorin privat në tre kategori: Të madh, të mesëm dhe të vogël.

Biznesi i madh ka hapësirë për rritje page në nivel të pagës me vendet e tjera të Ballkanit.

Nëse shohim madhësinë e investimeve të biznesit të madh në ndërtesa, infrastrukturë, makineri dhe pajisje, mjete transporti, etj., shohim që këto investime janë në linjë me rajonin, ndërsa pagat nuk janë aspak.

Atëherë lind pyetja, se si ka mundësi që kanë hapësira për investime, importe, etj., ndërsa për paga nuk kanë?

Besoj se cilido e kupton që investimet, importet, mallrat etj., kanë një çmim në treg, që nëse nuk e paguan, nuk e merr, kështu që janë të detyruar të paguajnë çmimin e tregut, ndërsa për çmimin e punës nuk ka pasur presione rritëse.

Sot që tregu (në fakt ka dy vjet) ka presione rritëse, mungesë force pune etj., biznesi i madh po e gjen hapësirën e munguar.

Ndërsa biznesi i mesëm, natyrisht do ta ketë shumë vështirë për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe të tërheqë punonjës. Bizneset e mesme të konsoliduara do t’ia dalin, ndërsa të tjerat do ta kenë shumë vështirë të rriten më tej.

Për sa i përket biznesit të vogël dhe shumë të vogël, do të bëhet edhe më i vogël. Natyrisht, biznesi i vogël shërben si portë hyrëse në tregun e punës, për një pjesë të popullsisë, por nuk e mban dot gjatë punonjësin.

Hapësira e tyre është vetëm për atë pjesë të forcës së punës që mbetet nga dy kategoritë e mësipërme, por edhe forcë të pakualifikuar, familjare, etj., do të jenë ende të pranishëm te biznesi i vogël.

Megjithatë, paga më të larta ata nuk mund t’i përballojnë.

Biznesi i vogël dhe i mesëm duhet të fillojë të ofrojë përfitime të tjera, si më pak orë pune, më shumë elasticitet në orare, cilësi pune më të thjeshtë, mundësi për të mësuar, etj. Të gjitha sa më lart do të vetërregullohen nga dinamikat e tregut të punës.

Cilët sektorë kanë mundësi të ofrojnë pagesa më të larta dhe cilët jo? 

Duke iu përmbajtur kategorizimit më lart, por edhe duke bashkëngjitur sektorët me më shumë mundësi, mund të them se hapësira dhe paga më të larta do të ofrohen nga ata sektorë që kanë më shumë nevojë për punë të kualifikuar; teknologji informacioni, kujdes shëndetësor, nafta dhe gazi, sektori financiar, profesionet e lira, etj.

Përdorimi i pagave, si një mjet i shpejtë për stimulimin e forcës së punës, pa kaluar në një shkallë më të lartë të produktivitetit a mund të bëhet shkak për rritjen e inflacionit? 

Jo, nuk e shoh kaq të madh këtë rrezik. Natyrisht, për shkak të rritjes së pagave do të kemi edhe shtrenjtim të çmimit të produkteve që bizneset do të ofrojnë, por nuk gjykoj që kjo tendencë do të jetë kaq e madhe sa të frikësohemi.

Rritjet e mëdha të çmimeve sot, në një ekonomi globale ndikohen shumë nga rritjet në tregjet e mëdha, apo burimet e rralla natyrore si energjia, karburantet, lëndët e para, transporti, importet e mallrave, etj.

Ndikimi i rritjes së pagave besoj do të jetë minimal në inflacion.

Përveç rritjes së pagave, si duhet të rimodelohet ekonomia në mënyrë që të kemi paga efektive?

 Mendoj që, pikë së pari, duhet të kemi një ekonomi konkurruese.

Rritja e konkurrueshmërisë në çdo sektor do ta përmirësojë të gjithë tablonë.

Së dyti, duhet të kemi një sistem taksimi të sheshtë ose progresiv, por shumë të thjeshtë, si në llogaritje, ashtu edhe në barrë fiskale për tatimin mbi të ardhurat nga punësimi.

Taksimi i ashtuquajtur progresiv dhe i arnuar keq e më keq disa herë, ka pjesën e tij të dëmit në këtë situatë. Së treti, nevojitet formalizim i tregut të punës, si dhe fokus për të zhvilluar, për të ndihmuar dhe për të lehtësuar biznesin e mesëm./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco