SYRI TV/ Çmimet e apartamenteve ulen në BE, 'kapin qiellin' në Tiranë

11:28, 11/04/2023
A+ Aa A-

Çmimi i apartamenteve në Tiranë po shënon rritje me 28,4%,  madje edhe në zonat periferike. Ndryshe nga vendet e BE-së ku çmimet për banesa po shënojnë rënie, në vendin tonë blerja e një apartamenti po bëhet e pamundur për një familje shqiptare. Agjencitë imobiliare pohojnë se rritja në Tiranë është ndikuar nga shtimi i kërkesës dhe shtrenjtimi i kostove. Por për aktorët e tjerë të tregut, kjo rritje ndikohet nga fluksi i parasë informale

SYRI TV

Blerja e një apartamenti në Tiranë po bëhet e pamundur për një familje, pasi çmimet po vijojnë trendin rritës, madje edhe në zonat periferike. Ndryshe nga vendet e tjera të BE-s, ku  çmimet e apartamenteve kanë filluar të bien, kjo tendencë rënieje nuk po ndodh në Shqipëri.

Në Tiranë, për vitin 2022, çmimet e apartamenteve vijuan tendencën e tyre rritëse. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit të kaluar në Tiranë, çmimi i pasurive të patundshme rezultoi 28,4% më shtrenjtë se 6-mujori i mëparshëm. Madje shtrenjtim ka pasur edhe në zonat periferike si Fresku ku çmimet e apartamenteve janë rritur 14%.

Në raport më vitin 2021, çmimet e pronave për periudhën janar-qershor 2022 ishin 39% më shtrenjtë sipas raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë.

Tendenca e rritjes së çmimeve ka vijuar edhe për këtë vit në Tiranë. Agjencitë imobiliare pohojnë se rritja e çmimeve në Tiranë është ndikuar nga shtimi i kërkesës dhe shtrenjtimi i kostove, veçanërisht në zonat e reja rezidenciale që ofrojnë shërbime të shtuara.

Për aktorë të tjerë të tregut, rritja e çmimeve në kryeqytet ndikohet nga fluksi i parasë informale. Ndërtuesit paralajmërojnë shtrenjtim të çmimeve nëse do të miratohet amnistia fiskale, pasi shumë individë, kryesisht emigrantë të ardhurat e disponueshme informale do të nxitojnë t’i legalizojnë në blerjen e apartamenteve.

Por ndërkohë sipas të dhënave të EUROSTAT për 3-mujorin e katërt të vitit 2022, çmimi mesatar i apartamenteve është ulur 1,7% në Eurozonë dhe 1,5% në BE-krahasuar me 3-mujorin paraardhës. Sipas Eurostat, kjo është rënia më e madhe tremujore për çmimet e apartamenteve në zonën e euros që nga 3-mujori i katërt i 2008-s (-1,7%) dhe që nga tremujori i parë i vitit 2009 (-1,9%) për BE-në

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po rritet me shpejtësi. Sipas INSTAT, “pasuritë e paluajtshme” ishin sektori më rritjen më të lartë në 2022, me 11.21%. Edhe ndërtimi ka arritur një nivel rekord në 2022, me vlerë prej 207 miliardë lekësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco