Pasojat e ndryshimeve klimatike në Shqipëri, si po rrezikohet vendi

Pasojat e ndryshimeve klimatike në Shqipëri, si po rrezikohet vendi

07:48, 18/03/2023
A+ Aa A-

Agrumet do të mund të kultivohen më në Veri, akuakultura mund të tranzitojë nga levreku te koca. Incidencat e sëmundjeve po rriten. Reshjet po shkojnë drejt sasive më të ulëta, intervaleve të shkurtra, por intensitetit të lartë. Të gjitha këto janë ndikimet që ndryshimet klimatike do të sjellin në Shqipëri, të cilat në afat të mesëm dhe afat të gjatë do të jenë më të dukshme. Efekti domino ka filluar të ndihet që tani në sektorë si bujqësia, peshkimi, energjia, turizmi, vera. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencës tregojnë se temperaturat mesatare vjetore në vitin e fundit shënuan rritje +1.8 Gradë Celsius, ndërkohë që sasia vjetore e reshjeve në formë dëbore dhe shiu, në dy dekadat e fundit, ka pësuar rënie prej rreth 20%. Ndryshimet klimatike duket se janë “të pandalshme”, ndaj të gjithëve u duhet të gjejnë mënyrën të përshtaten, shkruan Nertila Maho në Monitor.

Dimri që po lëmë pas perceptohet gjerësisht si atipik. Ditë të ngrohta me diell në janar që u ngjajnë pranverës apo mungesa e reshjeve masive të borës krijon idenë se e gjithë kjo nuk është fort normale. I njëjti perceptim është vit pas viti edhe te stinët e tjera. Me verën e temperaturave të larta, thatësirave të zgjatura, zjarret e shumtë, reshjeve që bien në mënyrë intensive në një hark kohor të shkurtër, përmbytjet e shumë e shumë tregues të tjerë.

Ky perceptim mbi “kapriçiot” e stinëve nuk është i gabuar dhe mbështetet edhe nga shifrat që jepen zyrtarisht nga institucionet kombëtare, duke përforcuar idenë se ndryshimet klimatike nuk janë më “te dera”, por kanë nisur të manifestojnë dukshëm efektet e tyre.

Institucionet ndërkombëtare kanë rritur vëmendjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke u kërkuar vendeve të jenë aktivë dhe vigjilentë për të reaguar dhe për të minimizuar pasojat. Efekti i klimës është ai domino dhe pasojat janë të jashtëzakonshme në sektorë jetikë, duke kërkuar që masat e reagimit apo zbutjes të merren seriozisht.

Po Shqipëria, në çfarë faze është?

Sot, vendi ynë ka miratuar një ligj të veçantë “Për ndryshimet klimatike”. Bëhet fjalë për ligjin 155, i datës 17 dhjetor 2020, i cili rendit si qëllime të tij pesë pika.

Së pari, ulja e shkarkimeve të efekteve serrë.

Së dyti, përshpejtimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe zbutja e efekteve të dëmshme.

Së treti, të kontribuojë në përpjekjet globale ndaj ndryshimeve klimatike nëpërmjet plotësimit të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj Konventës.

Së katërti, të krijojë një kuadër gjithëpërfshirës ligjor dhe ndërinstitucional për ndërmarrjen e veprimeve ndaj klimës në nivel kombëtar, në përputhje me legjislacionin e BE-së për ndryshimet klimatike.

Së fundmi, t’u bashkohet shteteve që njohin emergjencën klimatike, sipas vendimit të Parlamentit Europian të 28 nëntorit 2019.

Shqipëria ka gjithashtu një Plan Kombëtar për Energjinë dhe Klimën. Plani parashikon të gjithë politikat dhe objektivat që do të ndërmerren në funksion të klimës dhe energjisë nga ana e vendit tonë deri në vitin 2030.

Sigurisht, në aspektin teorik, si një vend që për vite të tëra ka qenë indiferent ndaj ndryshimeve klimatike, plotësimi i kuadrit është diçka pozitive. Mbajtja e ritmit të duhur për zbatimin dhe arritjen praktike të objektivave është krejt tjetër gjë dhe kjo ka rëndësi të veçantë në kushtet kur ndryshimet klimatike kanë nisur të prekin jetën e të gjithëve.

IGJEO: Reshjet, rënie me 20% në dy dekada, rritet temperatura mesatare vjetore

Instituti i Gjeoshkencave, më i rëndësishmi në vend për monitorimet që lidhen me klimën, në buletinet periodike që publikon, konfirmon efektin e ndryshimeve në Shqipëri. Anira Gjoni, eksperte në IGJEO, shprehet se klima e Shqipërisë nga vrojtimet e viteve të fundit ka ndikime të klimës subtropikale, pra klimë më e ngrohtë.

“Dimrat janë më të ngrohtë dhe më të shkurtër, ndërsa stina e verës është më e gjatë dhe me temperatura më të larta. Ashtu si me shumicën e problemeve socio-ekonomike në botë, ndryshimi i klimës është një çështje që do të prekë më shumë shtresat në nevojë dhe me probleme ndaj përshtatjeve të menjëhershme.

Askush nuk është imun ndaj ndryshimeve klimatike – duke e bërë atë një problem me të vërtetë global”, – shprehet znj. Gjoni. Ajo i referohet vitit të shkuar 2022, duke nënvizuar se u vu re një rritje e numrit të ditëve me temperaturë mbi 40 Gradë Celsius.

“Gjatë vitit 2022 jemi përballur në korrik dhe gusht me vlera të temperaturave mesatare maksimale përkatësisht: korriku +3.6 °C dhe gushti +2.6 °C (referuar të dhënave IGJEO). Muaji korrik u karakterizua me tre valë të të nxehtit, të cilat shkaktuan ditë të njëpasnjëshme me temperaturë të lartë dhe për pasojë thatësira.

Nëse flasim për periudhën e ftohtë të vitit, dimri u shoqërua me situata përmbytjesh. Ajo çfarë vihet re është se sasia e reshjeve që duhej të shpërndahej në harkun kohor të një muaji, tani na rezulton që bie në 4-5 ditë dhe ka intensitet të shtuar”, – nënvizon znj. Gjoni.

Lidhur me treguesit kryesorë, si temperatura dhe reshjet, IGJEO konstaton se temperatura mesatare vjetore në vitin e fundit ka shënuar rritje prej 1.8 °C, ndërsa sasia vjetore e reshjeve në formë bore dhe shiu, në dy dekadat e fundit ka pësuar rënie rreth 20%.

Treguesit
– IGJEO gjatë vitit të fundit sipas monitorimeve vlerëson se është regjistruar shtim i numrit të ditëve me temperatura më të larta se 40℃
– Kemi shtim të numrit të netëve tropikale me temperatura më të larta se 20℃
– Gjatë vitit 2022 jemi përballur gjatë muajve korrik dhe gusht me vlera të temperaturave mesatare maksimale përkatësisht: korriku +3.6℃ dhe gushti +2.6℃
– Si në këndvështrimin e ashpërsisë dimërore ashtu dhe të treguesve të tjerë meteorologjikë muaji janar 2022 shënoi temperatura më të larta se norma me vlerë +0.5°C
– Janari regjistroi vlera mjaft të ulta të reshjeve atmosferike me rreth -63.5%;
– Temperatura mesatare vjetore në vitin e fundit ka pësuar rritje prej +1.8℃.
– Sasia vjetore e reshjeve në formë dëbore dhe shiu, në dy dekadat e fundit ka pësuar rënie prej rreth 20%.

Bujqësia, nën ndikimin e çrregullimeve termike, erozionit dhe sëmundjeve

Kontributi i Shqipërisë te ndryshimet klimatike është thuajse i papërfillshëm, por pasojat e tyre nuk reflektohen në të njëjtin dimension. Ndër vite, studime të ndryshme kanë treguar se një numër i madh sektorësh jetikë do t’i ndiejnë pasojat. Një prej tyre është bujqësia.

Profesor Ilir Kristo, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, konfirmon se toka bujqësore po pëson dëme të mëdha nga erozioni. Një element tjetër me ndikim negativ është çrregullimi i shpërndarjes së temperaturave ditore gjatë muajve dhe stinëve.

“Çrregullimi i regjimit termik dhe hidrik prek direkt bujqësinë, veçanërisht në zonat e ulëta gjatë përmbytjeve, apo në zonat mbi ujë në periudhën e nxehtë, ku për shkak të zvogëlimit të kapacitetit akumulues të tokës për ujë, vështirësohet mbijetesa e bimëve.

Ndikimi tjetër negativ në bujqësi lidhet me erozionin. Gjatë reshjeve intensive, ulet depozitimi i ujit në tokë dhe shtohet rrjedha sipërfaqësore, duke larguar nga tokat një sasi të konsiderueshme të lëndës organike dhe të elementeve ushqyese”, – pohon z. Kristo.

Sipas tij, kohëzgjatja e periudhave të thata si efekt i ndryshimeve klimatike prek veçanërisht tokat mbi ujë (pa sistem vaditës) dhe e gjithë kjo ndikon në uljen e prodhimit.

“Përgjithësisht këto toka shtrihen në rajonet kodrinore dhe malore në gjithë territorin e Shqipërisë.

Kulturat bujqësore që dominojnë këto toka janë foragjeret, drufrutoret, vreshtat dhe ullishtat. Rendimentet e marra në këto toka janë relativisht të ulëta dhe të lidhura shumë ngushtë me reshjet. Më të ndjeshme ndaj thatësirave të zgjatura janë bimët njëvjeçare dhe shumëvjeçaret e reja, pasi sistemi i tyre rrënjor shfrytëzon vetëm ujin në shtresat sipërfaqësore të tokës”, – nënvizon ai.

Ngricat, nga ana tjetër, që në vite të veçanta janë regjistruar në zonën e ulët në vend, në janar-shkurt, kanë krijuar shqetësime për bimët në serrat me ngrohje diellore apo temperaturat relativisht të larta të janarit, pasi mund të kemi çelje të parakohshme të luleve të pemëve frutore, dëmtimit të tyre të mëvonshëm. Kushtet e reja të mjedisit kanë ndikim edhe te sëmundshmëria dhe aktiviteti i patogjenëve që shkaktojnë.

“Nga përvoja e deritanishme, temperaturat e larta dhe pranvera e thatë (mars-prill) ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e popullatave dhe agresivitetin e karkalecave ndaj bimëve bujqësore.

Lagështia e tepërt ka ndikuar në rritjen e dinamikës së popullatës së krimbave tel, në përhapjen dhe agresivitetin e sëmundjeve që janë të pranishme në tokë (verticilioza, fuzarioza phytophtora)

Në rastet e përmbytjeve, fenomeni që po shfaqet shpesh këto vitet e fundit po favorizohen sëmundjet e qafës së rrënjës dhe të rrënjës”, thekson z. Kristo.

Ndërkohë, jo në të gjitha rastet këto rritje temperaturash kanë sjellë efekt negativ. Ai sjell në vëmendje se temperaturat e larta gjatë këtyre viteve, për muajt korrik dhe gusht mbi 29 oC kanë kufizuar dhe sjellë për pasojë mosçeljen e vezëve të mizës së ullirit.

“Këto temperatura kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndaljen e çeljes së vezëve dhe si rezultat në mospraninë e larvave si stad biologjik që dëmton frutën e ullirit”, – shprehet ai.

Harta bujqësore, modifikime të kufizuara, agrumet “ngjiten” më në Veri

Ndryshimi i regjimit termik dhe hidrik, sipas ekspertëve, do të kërkojë që edhe harta e rajonizimit të bimëve bujqësore, të pësojë disa ndryshime, edhe pse këto të kufizuara. Kjo hartë në vetvete tregon se cilat janë kulturat më të përshtatshme për çdo rajon të vendit, sipas tipareve të tokës dhe klimës.

“Kërkesa të tilla të bimëve si: temperaturë minimale e mbirjes, shumat e temperaturave aktive dhe temperaturat optimale për çdo fazë të vegjetacionit, janë treguesit bazë që merren në konsideratë për të përcaktuar rajonet më të përshtatshme për kultivimin e bimëve.

Meqenëse një nga efektet kryesore të ndryshimeve klimatike lidhet me ndryshimet termike, atëherë është e qartë që harta e shpërndarjes së kulturave bujqësore do të pësojë modifikime.

Projeksionet në terma afatmesëm dhe afatgjatë të ndryshimeve termike na tregojnë se zhvendosjet do të jenë të kufizuara dhe do të lidhen kryesisht me bimësi të zonave të ngrohta që do të ngjiten më shumë drejt Veriut dhe lartësive. Këtu mund të përmendim rajonet e përhapjes të agrumeve, ullirit, pjeshkës, luleshtrydhes, serrave me ngrohje diellore etj”, sqaron z. Kristo.

Ai nënvizon se suksesi i bujqësisë do të varet nga kombinimi i duhur i faktorit termik, pra temperaturave dhe sigurimit të ujit të nevojshëm për periudhën deficitare. Në këtë kontekst, për të miradministuar ato burime ujore në dispozicion, profesor Kristo rekomandon që të ketë një qasje më të mirë ndaj metodave më eficiente të ujitjes.

“Për sa i përket periudhës afatshkurtër, problem themelor që duhet të zgjidhet është sigurimi i rezervave të mjaftueshme ujore dhe përdorimi i metodave që miradministrojnë ujin, siç janë ujitja me pika apo me shi-hedhje. Kjo ndërhyrje do të zbuste efektet e mundshme të ndryshimeve klimatike, që mund të shfaqen me thatësira të zgjatura”, – nënvizon ai.

Bujqësia
-Ndryshimi i regjimit të reshjeve sjell rritje të erozionit dhe shpëlarje të tokës gjatë përmbytjeve
-Nga përmbytjet janë të rrezikuara tokat fushore veçanërisht të Ultësirës Perëndimore në mënyrë të veçante ato që lidhen me lumenjtë e Drinit, Bunës dhe Vjosës
-Temperaturat e nxehta shkaktojnë zjarre të cilat shkretojnë vegjetacionin
-Ndryshimi i kushteve klimatike mund të ndikojë pozitivisht apo negativisht ne shumimin e popullatave të patogjeneve specifike në një rajon te dhënë
-Nga përvoja e deritanishme temperaturat e larta dhe pranvera e thatë (Mars-Prill) ka ndikuar drejtpërdrejtë në zhvillimin e popullatave dhe agresivitetin e karkalecave ndaj bimëve bujqësore
-Temperaturat e larta të shfaqura gjatë këtyre viteve për muajt Korrik dhe Gusht mbi 29oC kanë bërë të mundur kufizimin dhe mos çeljen e vezëve të mizës së ullirit
-Lagështia e tepërt ka ndikuar në rritjen e dinamikës së popullatës së krimbave tel, në përhapjen dhe agresivitetin e sëmundjeve që janë të pranishme në tokë (verticilioza, fuzarioza phytophtora)
-Ndryshimet klimatike kanë ndikuar tek shfaqja e patogjeneve të rinj në rajone ku nuk kanë qenë prezent më parë

Vera, kantinat presin të ndikohen nga ndryshimet klimatike

Kantinat anekënd botës, prej vitesh, kanë ngritur alarmin mbi efektin e ndryshimeve klimatike në aktivitetin e tyre.

Kantina të njohura në zonën e Francës apo Italisë theksonin për cilësinë e rrushit apo rendimentin e prodhimit, teksa është vënë re një rritje e prodhimit dhe kantinave në Mbretërinë e Bashkuar, apo rajone të tjera.

Emëruesi i përbashkët për këto zhvillime janë ndryshimet klimatike. Kantinat shqiptare gjithashtu shfaqin shqetësimin për situatën e re dhe të pashmangshme ku do të gjenden në afatmesëm apo afatgjatë, duke e parë këtë si një sfidë që nuk varet shumë në dorë të politikëbërjes vendase.

“Parashikojmë sfida ekonomike, të cilat nuk varen vetëm nga politikat e vendit tonë, por edhe ato ndërkombëtare. Një sfidë që do të doja t’i jepja vëmendje lidhet me ndryshimet klimatike, të cilat po sjellin efekte negative në industrinë e verës.

Ndryshimet drastike të temperaturës përcaktojnë se cilat varietete rrushi mund të rriten, si dhe formësojnë cilësinë dhe rendimentin e lëndës së parë, produktit rrush.

Fenomeni i ngrohjes globale dhe efektet në këtë industri janë bërë temë diskutimi nga shumë specialistë të fushës, të cilët hulumtojnë më gjerë mbi këtë problematikë.

Do të doja të risillja një koment, të një profesori në Universitetin e Linfield, Oregon, i cili shprehet se “rritja e temperaturave ka ndryshuar jo vetëm karakteristikat e rrushit, por edhe kohën e pjekjes së tij apo sezonin kur është gati për t’u vjelë.

Çdo vit, është identifikuar rritje e nivelit të sheqerit dhe janë prodhuar verëra pak më të larta me alkool dhe për këtë arsye, stilet e verës kanë ndryshuar”.

Të gjitha këto ndryshime sigurisht do të vënë në pikëpyetje të ardhmen e prodhimit të verës, pasi do të ndikojnë në kostot e prodhimit, të ardhurat dhe fitimet e prodhuesve të verës, të cilët duhet të gjejnë strategji të menaxhimit të rrezikut dhe të përshtatin biznesin e tyre të prodhimit të verës për një botë më të ngrohtë”, tha për “Monitor”, Rigers Kaçorri, nga Kantina Arbëri vetëm pak kohë më parë.

Sfida e një sektori si vera është reale dhe tashmë kantinat anekënd botës po kërkojnë zgjidhje te kultivimi i varieteteve më rezistentë ndaj ndryshimeve klimatike. “Bloomberg” citonte gjatë janarit të këtij viti se kultivimi i llojeve të reja të rrushit është tashmë një tendencë që po ndodh kudo.

“Vitin e kaluar, me siguri keni shijuar një numër varietetesh të njohura të rrushit të verës, qoftë cabernet sauvignon, chardonnay, pinot noir apo sauvignon blanc.

Megjithatë, në të ardhmen do të jenë disa shije nga emra më pak të njohur: counoise, vaçarèse, mencía, picpoul blanc dhe cabernet Pfeffer. Vreshtarët nga Kalifornia, Teksasi, Europa dhe Amerika e Jugut po mbjellin ose ringjallin këto varietete pak të njohura, ndonjëherë pothuajse të zhdukura.

Një pjesë e qëllimit të tyre është të shpëtojnë trashëgiminë botërore të vreshtarisë. Por arsyeja më e madhe që ata po i mbrojnë këto varietete rrushi është sepse ato mund të përshtaten më mirë në një klimë të ndryshueshme, sesa ato të njohurat si pinot noir aq i ndjeshëm ndaj temperaturës”, – citonte artikulli.

Akuakultura, drejt specieve “më tolerante”, duhet monitorim ndaj invazivëve

Në dy-tre vitet e fundit, peshkimi por më shumë akuakultura janë përfshirë nga cikli i rritjes së kostove, si efekt zinxhir i post-pandemisë, por edhe luftës Rusi-Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit të shkuar.

Pesha e problemeve që ka ardhur si efekt i këtyre zhvillimeve ka zbehur disi peshën e problemeve nga ndryshimet klimatike, por kjo sigurisht nuk i zhbën ato.

Peshkimi, akuakultura detare dhe ajo e brendshme po ndikohen dhe do të preken edhe më shumë në afatgjatë nga kushtet e reja që po sjellin ndryshimet klimatike. Rigers Bakiu, përgjegjës i Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit, UBT, shprehet se përballja e sektorit me këto ndryshime është reale.

“Ndryshimet e klimës edhe në vend janë bërë më të dukshme. Në dhjetor kemi pasur temperatura si në pranverë, ndërsa thatësira nuk është ndier aq sa në vendet fqinje si Greqia dhe Italia.

Sa i takon peshkimit dhe akuakulturës, pritshmëritë për rritje të efekteve të ndryshimeve klimatike janë ende të mëdha, edhe pse për fat të mirë ne kemi burime të ujërave të brendshme që na ndihmojnë për akuakulturën e ujërave të brendshme. Kurse në atë detare, efektet janë ndier disi më pak”, – shprehet ai.

Në këtë kontekst të ri, sektori duhet që të ketë qasje drejt përshtatjes më të mirë, çka do të thotë se në akuakulturë duhet të ketë një tranzitim ndaj modeleve më të qëndrueshëm dhe kultivimit të llojeve të peshkut më rezistentë ndaj temperaturave.

“Sa i takon akuakulturës, doja të nënvizoja një problem me të cilin po përballet dy vitet e fundit akuakultura e brendshme, jo vetëm ajo detare. Rritja e temperaturave ka efekt direkt në këtë sektor, pasi imponon servirjen e një ushqimi në sasi më të madhe për peshqit.

Kam të freskët rastin e Vaut të Dejës, ku bëhet rritja e troftës së ylbertë. Shpenzimet e fermerit për të ushqyer me ushqim të përgatitur importi janë rritur ndjeshëm.

Sa herë që temperatura rritet mbi 20 gradë ka një tendencë për të dhënë më shumë ushqim, pasi ulet ritmi i metabolizimit dhe ushqimi shërben për ta mbajtur gjallë peshkun.

Sa i takon akuakulturës detare duhet një përshtatje drejt llojeve që tolerojnë temperaturat e larta. Lloje si levreku, që nuk janë përshtatur kaq mirë ndaj temperaturave të larta, do kenë probleme. Levreku ka probabilitet më të lartë sëmundshmërie, ndaj duhet që kjo industri të kanalizohet te kultivimi i kocës”, – shprehet ai.

Një pikë e rëndësishme që duhet të mbahet në vëmendje, sipas z.Bakiu, është monitorimi i specieve invazive që nën efektin e ndryshimeve klimatike nuk po mungojnë as në ujërat tona. Stabilizimi i popullatave nga këto specie mund të ketë pasoja jashtëzakonisht të dëmshme për peshkimin.

“Kemi folur më herët për Lagocephalus sceleratus, që është i dëmshëm. Në vitin 2020 u raportua një rast, pasi vetëm një individ i tillë u kap, por sesa ka avancuar ai sot, nuk kemi të dhëna.

Po kështu peshku luan, apo “Lionfish”, në vitin 2020 që u raportua në Sarandë për herë të parë, është parë edhe në Veri. Nga raportimi i fundit ai është peshkuar edhe në Kune-Vain-Tale, çka tregon për zgjerim të mëtejshëm të habitatit të tij në ujërat territoriale të Shqipërisë.

Kjo është një specie që ende nuk ka stabilizuar popullatat, por është jashtëzakonisht i dëmshëm për peshqit e tjerë, pasi ushqehet jo vetëm me peshqit e rritur, por edhe me larvat apo juvenilët, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme.

Ky peshk grabitqar shkatërron ekosistemet që popullohen nga peshqit dhe ka pasoja në peshkimin industrial dhe atë artizanal.

Doja të shtoja një peshk tjetër invaziv, siç është peshku diell. Ky është hasur në liqenet e Belshit dhe konsumon vezët e familjes së llojeve të krapit dhe shfaros peshqit që janë subjekt i akuakulturës”, shprehet z. Bakiu.

Akuakultura dhe Peshkimi
-Në strukturën e ekosistemeve ujore, ndikimi më i madh ka qenë në pjesën bregdetare apo detare
-Vit pas viti në det janë raportuar specie të ndryshme invazive (specie pushtuese konsiderohet një organizëm që nuk është vendas apo tipik në një zonë të caktuar)
-Me rritjen e temperaturave kemi edhe rritjen e incidencës së sëmundjeve. Kjo do të thotë që sëmundshëmria është më e lartë në këto raste e sidomos kur behet fjale për salmonidet, si trofta e ylberte.
-Duhet një përshtatje drejt llojeve që tolerojnë temperaturat e larta.
-Peshku Levrek ka probabilitet më të lartë sëmundshmërie, ndaj duhet që kjo industri të kanalizohet tek kultivimi i kocës./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco