Kuvendit i kërkohet zgjatja edhe 2 vjet e koncesionit të pullave fiskale

Kuvendit i kërkohet zgjatja edhe 2 vjet e koncesionit të pullave fiskale

07:27, 01/02/2023
A+ Aa A-

Koncesioni i pullave fiskale nuk përfundon më 6 shkurt 2023, siç parashikoi më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, por do të shtyhet deri më dhjetor 2024.

Projektligji për shtyrjen e afatit të kontratës i është dërguar Kuvendit, ku parashikon zbatimin deri më 31 dhjetor 2024.

Sipas relacionit të projektligjit “Për miratimin e kontratës shtesë pёr ndryshimin e kontratës sё koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisё, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “sicpa security solutions” sa e “Sicpa Security Solutions Albania”, sh.p.k., për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave, miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011” parashikohet ulja e çmimit të tarifave aktuale të pullave fiskale.

Në draft theksohet se tarifat e rishikuara do nisin zbatimin nga 7 shkurti 2023. Sipas neni 1 pika b, të kontratës, tarifa e re do jetë 10% me e ulët.

Në relacion theksohet se kontrata shtesë synon të rregullojë marrëdhëniet e palëve të kësaj kontrate koncesioni, duke zgjidhur përfundimisht problematikën e mosrealizmit nga ana e autoritetit kontraktor të një pjese të objektit të kontratës që lidhet me pullat e kontrollit të produkteve farmaceutike, objekt i cili nuk është realizuar që në fillim të implementimit të kontratës koncesionare. Mosrealizimi i objektit është ngritur si pretendim nga shoqëria koncesionare në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë viteve të zbatimit të kësaj kontrate.

Nga Monitor më herët është theksuar se pretendimet e kompanisë ishin që kontrata të shtyhej për një afat 10-vjeçar, pasi nuk ishte realizuar komponenti i vendosjes së pullave fiskale te barnat.

“Nёpёrmjet kёtij projektligji synohet pёrmbyllja pёrfundimtare e kёsaj kontrate koncesioni dhe krijimi i kushteve dhe veprimeve procedurale nё vijim pёr administrimin e kёtij shёrbimi tё sistemit tё kontrollit dhe funksionimit tё pullave fiskale nëpёrmjet institucioneve publike tё shtetit shqiptar.

Projektligji synon të shmangë përballjen e palëve kontraktore në Gjykatën e Arbitrazhit, e cila do të sillte pasoja financiare të konsiderueshme për shtetin shqiptar dhe synon të krijojë kushtet e përshtatshme, në mënyrë që në të ardhmen, ky shërbim të mundësohet dhe operohet nga struktura publike të shtetit shqiptar.

Gjithashtu, synohet të rregullohen disa aktivitete të kontratës me objektiv përmirësues për shtetin shqiptar, të tilla si aktivizimi i kontrollit të pullave fiskale në momentin e pagesës së detyrimeve të akcizës, pra në çastin e hedhjes për konsum në territor të produkteve të akcizës; përmirësimi i teknologjisë së implementuar CAPEX; ulja e çmimit të produkteve të kontratës, si dhe përfitimi i trajnimeve të strukturave shtetërore të angazhuara në kontrollin e mallrave të akcizës nga shoqëria koncesionare.

Në përputhje me kontratën ekzistuese në fuqi, sipas ligjit nr.123/2013, “Pёr koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.61/2012, “Pёr akcizat nё Republikёn e Shqipërisë”, të ndryshuar, kjo kontratё shtesё miratohet me ligj nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, citohet në relacion.

Argumentimi i projektaktit lidhur me përparësitë, problematikat, efektet e pritshme

Me anë të këtij projektligji, synohet të amendohet dhe tё pёrmbyllet kontrata e koncesionit, e miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011.

Amendimi i kësaj kontrate shtesё do të mundësojë: vijueshmërinë e këtij shërbimi në fushën e kontrollit fiskal në Republikën e Shqipërisë edhe pas datës 6.2.2023, datë kur kjo kontratë përfundon;

heqjen dorë të palëve nga çdo pretendim për të gjitha vitet që nuk është përmbushur pjesa e kontratës së koncesionit, që lidhet me produktet farmaceutike;
deklarimin e SIPCA Albania dhe tё shoqërisë “Mёmë” se nuk kanё shfaqur apo pretenduar dhe nuk do tё kenë nё tё ardhmen asnjё pretendim apo kёrkesё 3 ndaj autoritetit, pёr zbatimin e produkteve tё tjera, objekt i kontratёs sё koncesionit, miratuar me ligjin nr.10381 datë 24.2.2011.
që shoqëria koncesionare nuk do të ketë pretendime për kompensim, dëmshpërblim retroaktiv dhe nuk do të pretendojë ndonjë penalitet për mospërmbushje të objektit të kontratës nga ana e shtetit shqiptar;
rivlerësimin dhe uljen e çmimeve për njësi të produkteve, të referuara në pikën 17.1 të kontratёs së koncesionit, duke filluar nga data 7.2.2023;
që shoqëria koncesionare të vazhdojë këtë kontratë, duke përdorur teknologjinë aktuale të implementuar, bazuar në kontratёn e koncesionit, me përmirësime teknologjike në fushat e gjykuara si të detyrueshme për funksionalizimin e duhur operacional dhe në terren, që lidhen me platformën ekzistuese – CAPEX;
krijimin e modulit të ri të raportimit të shërbimeve të të dhënave, që i mundëson autoritetit më shumë analitikë përshkruese, duke u fokusuar në atë që ka ndodhur në të kaluarën, analitikë diagnostike që ndihmon në zbulimin e arsyes se pse ndodhën gjërat dhe analitikë parashikuese që mundësojnë parashikimin e asaj që ka të ngjarë të ndodhë në të ardhmen – aktivizimi + integrimi në platformën ekzistuese;
asistencë teknike tek autoriteti me të gjithë ekspertizën teknologjike dhe operacionale të ekspertëve të shoqërisë, për vijueshmërinë dhe funksionimin e sistemit të pullave fiskale, 7 muaj para deri në përfundimin e afatit të kontratës së koncesionit.

Afati i kontratës koncesionare pёrfundon nё datёn 31.12.2024. Gjatë kësaj periudhe, shoqëria koncesionare angazhohet të kryejë një investim që shkon nga 3 deri në 5 milionë euro, sipas skedulimeve që do të detajohen me afate respektive kohore në Bordin e Menaxhimit të Kontratës. Projektligji do të adresojë zgjidhjen e problematikave të kontratës së koncesionit, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave, miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.2011, dhe, përveç efekteve pozitive të sipërcituara, nuk mbart asnjë efekt negativ apo risk fiskal për shtetin shqiptar.

Pse është kundërshtuar nga bizneset koncesioni

Tarifa e lartë e pullave fiskale është kundërshtuar ashpër nga bizneset e mallrave të akcizës, pasi rëndon kostot prodhuese. Në Shqipëri tarifa e pullave fiskale është 22,4 USD për 1,000 copë, ndërsa në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD. Sipërmarrësit vendas paguajnë gati rreth herë më shumë në raporti me çmimin mesatar të pullave në Europë.

Sakaq më herët Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të deklaronte se kontrata është ligjërisht e blinduar për rishikimin e tarifave të pullave fiskale. Referuar kontratës të koncesionit drejtori i MFE-së, Edmond Ahmeti ka pohuar më herët se në asnjë nen të saj nuk mundësohet rishikimi i çmimit të pullave fiskale.

Tarifa e pullave fiskale është përcaktuar në partneritet mes koncensionarit dhe qeverisë të kaluar, pas analizave të volumit të ardhurave të mallrave të akcizës të paraqituara nga qeveria shqiptare, ku mësohet se ka pasur deklarim fiktiv 30% më shumë të ardhurave të akcizës.

Bizneset kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se kontrata koncesionare nuk ka zgjidhur problemin e tregtisë së paligjshme dhe informalitet.

Tashmë u bënë 10 vjet që sipërmarrësit e mallrave të akcizës paguajnë tarifën e pullës fiskale. Për shumë vit radhazi kontrata ka mbajtur në pikëpyetje afatin e përfundimit të saj. nisur nga shqetësimet e herëpashershme të bizneset 1 vit më parë MFE dhe Avokatura e Shtetit ngriti një grup pune për të zgjidhur ngërçin e krijuar për përfundimin e kontratës.

Grupi i punës i strukturave që mori në shqyrtim kontratën koncensionare arriti në përfundimin se data e nisjes të kontratës është e përcaktuar në procesverbalin e përbashkët e mbajtur në atë kohë ku autoriteti konfirmon, si datë efektive 6 shkurt 2013.

Por për kompaninë koncensionare SICPA Security Solutions Albania data efektive e kontratës konsiston nga nisja e zbatimit të komponentit të plotësuar që është ai i vendosjes së pullave fiskale te barnat. Kompania koncensionare pretendon se me fuqizimin e këtij elementi afati i zbatimit vijon edhe për 10 vite të tjera. Kompania prej vitesh mban të pezulluar investimin e ngritur prej saj për vënien në punë të elementit të kontratës për vendosjen e pullave fiskale te barnat.

Në vitin 2016 qeveria aktuale miratoi projektligjin për ndryshimin e kontratës të koncesionit. Qëllimi i propozimit të këtij projektligji ishte ndryshimi i kontratës së koncesionit (me anë të një kontrate ndryshuese) për ngritjen e një sistemi kombëtar për kontrollin dhe gjurmueshmërinë e barnave si dhe ngritjen e një sistemi kontrolli antimashtrim të shpërndarjes së barnave në vend.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje synonte të arrinte një sistem të plotë që jep siguri në qarkullimin e barnave në të gjithë territorin, nëpërmjet gjurmimit të barnave në të gjithë rrugën që ato ndjekin deri tek pacientët.

Por Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë rrëzoi projektligjin me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, pasi nisma do të ndikonte në rritjen e çmimeve të barnave. Pulla e siguruar e barnave do të ishte me çmim 2.4% të çmimit të shitjes me pakicë të çdo produkti farmaceutik. Nga kjo marrëveshje humbiste edhe sistemi i gjurmimit track and trace të barnave dhe sistemi i pullave dyfishe të barnave, i cili i lejonte FDSKSH për gjurmimin e recetave fallso.

Projektligji i paraqitur në Kuvend më 7 tetor 2016, që më pas është tërhequr, nuk parashikonte ndryshime të afatit të kontratës./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco