SYRI TV/ Rekord në Evropë: Paratë e shqiptarëve shkojnë për ushqime

11:11, 31/01/2023
A+ Aa A-

Krahasuar me të ardhurat, familjet shqiptare kanë shpenzimet më të larta në Evropë për ushqime dhe bukë. Sipas Eurostat, shqiptarët duhet të mendojnë fillimisht për ushqim dhe më pas për shpenzime të tjera, si pasojë e të ardhurave të ulëta

SYRI TV

Familjet shqiptare vijojnë të mbajnë rekord në Evropë për shpenzimet  e kryera për bukë dhe ushqime. Në një tregues të varfërisë, shpenzimet për bukë dhe ushqime gjatë vitit 2021 ishin sa 4.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja për Bashkimit Evropian është 1.1%, sipas Eurostat.  

Duke qenë se të ardhurat janë të ulëta, familjet shqiptare detyrohen të shpenzojnë fillimisht për ushqime dhe bukë, më pas mund të mendojnë për shpenzimet e tjera.

Edhe për grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, Shqipëria sërish mban rekord në raport me të ardhurat.

Çmimet mesatare të ushqimeve dhe pijeve alkoolike në Shqipëri janë sa 83.3% e mesatares së Bashkimit Europian, duke u renditur e dyta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë. Ndërkohë, paga mesatare në Shqipëri është më e ulëta në rajon dhe ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqim.

Sipas Eurostat, gati një e treta e të ardhurave që krijon ekonomia vendase në një vit shkon për tu ushqyer. Shpenzimet nominale për ushqime dhe pije jo alkoolike, ndaj PBB-së, në vitin 2021 për Shqipërinë ishin 31.6% e PBB-së, nga 7.1% që është ky tregues për mesataren e Bashkimit Evropian.

Në vitin 2020, kur janë të disponueshme të dhënat e fundit për Shqipërinë, një familje normale shpenzonte 43.6% të totalit për ushqime, nga 14.3% në Evropë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco