EurActiv: Tirana, ndër qytetet më të shtrenjta! Varfëria është në rritje

EurActiv: Tirana, ndër qytetet më të shtrenjta! Varfëria është në rritje

10:46, 10/01/2023
A+ Aa A-

Agjencia e njohur e Brukselit, EurActiv raporton se kryeqyteti shqiptar, Tirana është ndër qytetet më të shtrenjta për të jetuar në Ballkanin Perëndimor.

Duke iu referuar studimit të Numbeo për kostot e jetesës, agjencia shkruan se Tirana është qyteti i tretë më i shtrenjtë pas Budvës dhe Beogradit.

Në Ballkanin Perëndimor, Prishtina është një nga vendet më të lira për të jetuar, së bashku me Nishin në Serbi, Krajovën në Rumani dhe Tuzlën në Bosnje.

Beogradi është më i shtrenjti, pasuar nga Budva dhe Tirana. Në Beograd, kostoja e jetesës është 57.5 përqind më e ulët se në Nju Jork, kurse në Tiranë është 59 përqind, një rritje me 3.7 përqind nga viti i kaluar.

Agjencia shkruan se Tirana është shumë e shtrenjtë për standardet lokale. “Rritja e kostove dhe inflacioni në arrati kanë bërë që mijëra njerëz të shtyhen drejt pragut të varfërisë. Aktualisht, gjysma e popullsisë ose jeton në varfëri ose në rrezik të varfërisë”.

“Sipas INSTAT, 12.6 përqind e shqiptarëve të punësuar janë gjithashtu në rrezik të varfërisë në periudhën 2021-2022. Rreziku i varfërisë është më i lartë te të papunët, duke arritur në 39 përqind, ndërsa te pensionistët është më i ulët, rreth 14 përqind. Organizata e OKB për Punën (ILO) vlerëson se në vitin 2020 në Shqipëri, 12 përqind e të gjithë të punësuarve fitonin paga nën kufirin e varfërisë relative prej 5 dollarë në ditë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco