Banka e Shqipërisë ndryshon rregulloret për licencimin e shoqërive të kursim-kreditit dhe institucioneve të mikrokredisë

Banka e Shqipërisë ndryshon rregulloret për licencimin e shoqërive të kursim-kreditit dhe institucioneve të mikrokredisë

13:20, 12/12/2022
A+ Aa A-

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e fundit disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre”.

Këto ndryshime synojnë zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të Moneyval, gjatë Raundit të Pestë të Vlerësimit për Shqipërinë, lidhur me plotësimin e kërkesave për pastërtinë e figurës së anëtarëve themelues të Shoqërive të Kursim – Kreditit, si dhe për pagesat ose shtimin e kapitalit.

Sipas rregullore së re, pjesë e dokumentacionit që do t’u kërkohet subjekteve që aplikojnë për licencë do të jenë vërtetimet për secilin anëtar themelues të SHKK-së se personi nuk është në ndjekje penale, nuk është në gjykim për vepra penale, nuk është i dënuar penalisht (nga Ministria e Drejtësisë) dhe personi nuk është objekt i procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm (nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor). Dokumentet e lartpërmendura duhet të jenë lëshuar jo më herët se tre muaj nga data e paraqitjes së aplikimit në Bankën e Shqipërisë.

Shoqëritë e kursim-kreditit apo kooperativat financiare janë shoqëri që ofrojnë shërbime vetëm për personat e anëtarësuar në to. Në këto shoqëri, individët e anëtarësuar mund të vendosin depozita, si edhe të përfitojnë kredi apo edhe shërbime pagesash. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar, sidomos për fermerët dhe individët që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale të vendit.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi edhe disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka” Këto ndryshime qartësojnë më mirë kufizimin e të drejtës së institucionit financiar të mikrokredisë, për të ushtruar veprimtari të tjera, të ndryshme nga kredidhënia dhe shërbimet këshilluese për veprimtarinë e kredidhënies.

Konkretisht, ndryshimet në rregullore i përjashtojnë institucionet e mikrokredisë dhe ato të blerjes së kredive me probleme nga e drejta për të zhvilluar veprimtarinë e agjentit në sigurime.

Sipas argumentimit të Bankës së Shqipërisë, përkufizimi i institucionit financiar të mikrokredisë parashikon si objekt të aktivitetit vetëm kredidhënien dhe shërbimet këshilluese për të.

Nisur nga ky interpretim, banka qendrore ka gjykuar se është e nevojshme të saktësohet në rregullore se veprimtaria e agjentit në sigurime është e lejueshme dhe e aplikueshme vetëm për institucionet financiare jo banka, por jo për institucionet financiare të mikrokredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, i njëjti trajtim parashikohet edhe për institucionet financiare që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre vetëm blerjen e kredive me probleme.

Drejtues të institucioneve të mikrofinancës janë shprehur të pakënaqur me ndryshimet rregullatore të miratuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas tyre, kufizimi cenon jo vetëm potencialet e biznesit të institucioneve mikrofinanciare, por edhe hapësirat për të zhvilluar më tej tregun e sigurimeve.

Ata mendojnë se sektori i mikrofinancës ka një bazë shumë të gjerë klientele dhe mund të shërbejë për të rritur përhapjen e produkteve të sigurimit dhe për të ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. Nga ana tjetër, tregtimi i produkteve të sigurimit po shihet nga disa institucione të mikrofinancës si një mënyrë për të diversifikuar biznesin dhe për të gjeneruar të ardhura shtesë.

Statistikat tregojnë se Shqipëria është e fundit në rajon dhe ndër vendet e fundit në Europë për sa i përket zhvillimit të tregut të sigurimeve. Për vitin 2021, treguesi i densitetit të sigurimeve ishte rreth 55 euro prime të shkruara bruto për frymë në vit, niveli i dytë më i ulët në Europë, para Moldavisë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco