Qeveria sërish me akt normativ: Të investohen 570 mln për dy muaj, gjysma e fondit vjetor

Qeveria sërish me akt normativ: Të investohen 570 mln për dy muaj, gjysma e fondit vjetor

07:10, 09/12/2022
A+ Aa A-

Në aktin e katërt normativ për ndryshimin e buxhetit 2022, qeveria e çoi më rritje fondin e investimeve publike edhe më shumë se programi fillestar edhe pse deri në fund të tetorit ky zë buxhetor kishte një ecuri mjaft të dobët.

Rishikimi i fundit tregon një rritje të shpenzimeve kapitale në 122,6 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë euro.

Rritja e këtij zëri u bë në një kohë përgjatë 10 muajve, nga janari në tetor 2022 janë shpenzuar vetëm 55,7 miliardë lekë dhe për dy muaj autorizohen të shpenzohen edhe 67 miliardë lekë.

Në dy muaj qeveria do të angazhojë 54.5 % të gjithë programit vjetor të investimeve, shumica e të cilave do të alokohen në muajin dhjetor.

Me herët në qëndrimet zyrtare Ministria e Financave lajmëroi se rishikimet buxhetore do të kryheshin sipas ecurisë së zërave. Në rastet kur nuk kishte realizim sipas programit fondet do të rialokoheshin. Sipas kësaj logjike fondi i parealizuar i investimeve duhet të shkonte për shërbimin e borxhit, i cili tani po përballet me kosto të larta nga rritja e normave të interesit.

Siç shihet nga të dhënat e Ministrisë së Financave në grafikët bashkëngjitur fondi për investimet kapitale ka ndryshuar tre herë në aktet normative.

Në buxhetin fillestar, fondet për investime u përcaktuan në 119,4 miliardë lekë dhe me tej në mars 2022 u ulen në 109 miliardë lekë për shkak të ecurisë së dobët në tremujor. Në korrik 2022 fondet për investimet kapitale u rishikuan me rritje ne 112 miliardë lekë dhe në aktin e fundit u përcaktuan në 122,6 miliardë lekë gati 3 milionë euro më shumë se programi fillestar.

Angazhimi i një shume të tillë investimesh e stimulon rritjen ekonomike të vendit në një kohë që kërkesa e brendshme konsumatorë ka pësuar rënie. Rritja e stimulit fiskal do të ndihmojë rritjen ekonomike të qëndrojë në territor pozitiv, mirëpo përqendrimi vetëm në dy muaj i rreth 570 milionë eurove ose 55% e fondit vjetor vë në diskutim eficencën e këtij zëri.

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Auditit në Ministrinë e Financave prej vitesh kanë ngritur shqetësimin në auditet ndaj buxhetit të shtetit se ka mospërputhje të midis zbatimit dhe ligjit të buxhetit.

Me ndryshimet e fundit, të ardhurat buxhetore rriten 5 miliardë lekë, duke arritur në 581,8 miliardë lekë nga 576,8 miliardë lekë që ishin programuar në aktin normativ të miratuar në muajin korrik.

Shpenzimet në aktin normativ arrijnë në 665,6 miliardë lekë, nga 660,6 miliardë lekë të parashikuara më parë./B.Hoxha/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco