Tiranë, bashkia pret 140 mln euro të ardhura, gati 34% vetëm nga lejet e ndërtimit

Tiranë, bashkia pret 140 mln euro të ardhura, gati 34% vetëm nga lejet e ndërtimit

08:09, 05/12/2022
A+ Aa A-

Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend planifikon që të arkëtojë 16.3 miliardë lekë (140 milionë euro) në vitin 2023 nga taksat dhe tarifat, sipas projektbuxhetit të vitit 2023.

Ky është niveli më i lartë rekord i pritshëm dhe është 14% më i lartë sesa parashikimi i vitit 2022.

Duke përfshirë dhe transfertat nga pushteti vendor, që arrijnë në rreth 12 miliardë lekë, buxheti, që do të ketë në dispozicion Bashkia e Tiranës në vitin elektoral do të jetë një rekord prej 28.8 miliardë lekësh (246 milionë euro), ose 22% më shumë sesa parashikimi për vitin 2022.

Rreth 34% e të ardhurave të Bashkisë do të vijnë nga lejet e ndërtimit

Ashtu si në vitet e fundit, zëri kryesor i të ardhurave të Bashkisë është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet, që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.

Nga ky zë Bashkia parashikon të arkëtojë 5.6 miliardë lekë të ardhura, që përbën 34% të totalit të të ardhurave të veta të Bashkisë, duke e bërë institucionin menaxhues të kryeqytetit tepër të varur nga lejet e ndërtimit, për sigurimin e të ardhurave të veta.

Në krahasim me parashikimin e 2022-it, (që ishte 4.8 miliardë lekë) nga ky zë pritet të arkëtohen rreth 16% të ardhura më shumë, ndërkohë që pritshmëria faktike e 2022-t është 6.5 miliardë lekë, një tregues se këtë vit Bashkia ka dhënë leje përtej parashikimeve.

Rekordi i deritanishëm është viti 2021, me 7.4 miliardë lekë të ardhura.

Edhe në 2024-n dhe 2025-n, vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë, teksa Bashkia parashikon rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura për secalin vit.

Referuar vlerësimeve të drejtorisë përgjegjëse pritet që ecuria e arkëtimit për vitin 2023 të jetë nën nivelin e viteve të fundit dhe do të jetë në rritje në vitet në vazhdim, sipas relacionit. Kjo për arsye se të ardhurat nga kjo taksë parashikohet të mbështeten kryesisht në zhvillimet e reja që pritet ti shtohen Tiranës në zonën e mirëplanifikuar të Bulevardit të Ri, ku është miratuar edhe Plani i Detajuar Vendor nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Sipas relacionit të Bashkisë, fokusi në të ardhmen pritet të jetë zhvillimi i Tiranës policentrike, me disa qendra. “Jemi duke zhvilluar Organizimin e Tiranës në disa qendra kryesore dhe dytësore të cilat do të ndihmojnë në procesin e dendësimit me anë të përdorimit të zgjuar të tokës dhe shpërndarjes së funksioneve dhe shërbimeve të njëjta në gjithë territorin.

Ky prioritet ka në qendër krijimin e 5 epiqendrave urbane për kapërcimin e dyzimit qendër-periferi dhe për të nxitur zhvillimin e balancuar të qytetit. Kinostudio, Kombinati, Farkë-Qytet Studenti, Bulevardi i Ri dhe Lapraka janë polet e parashikuara për t’u zhvilluar nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të Planeve të Detajuara Vendore që do të sigurojnë rivitalizimin dhe forcimin e identiteveve sipas karakterit të çdo poli”, thuhet në relacion.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, për 9 mujorin e 2022-t, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në Tiranë arriti një rekord historik prej 1.46 milionë metra katror, ose 17% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të ardhurat e tjera

Dy zërat e tjerë që sjellin më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë Tiranë janë Taksa mbi pasurinë e paluajtshme “ndërtesë” (2.9 miliardë lekë) dhe tarifa e pastrimit (2.6 miliardë lekë). Të dyja këto taksa e tarifa zënë 33% të totalit të të ardhurave të veta të Bashkisë Tiranë dhe pjesa më e madhe e tyre paguhet nga subjektet tregtare.

Një e treta e mbetur e të ardhurave të bashkisë sigurohet nga “Tarifa e parkimit të automjeteve”, “Tarifa për zënien e hapësirave publike”, “Taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore”, Të ardhura të tjera (qiratë, institucionet e varësisë etj)- (shiko tabelën: PARASHIKIMI I TE ARDHURAVE TË BASHKISË TIRANË 2023-2025)

Shpenzimet, rriten kostot për personelin

Në total, Bashkia Tiranë ka në dispozicion për të shpenzuar 28.8 miliardë lekë (të ardhurat e pritshme të vetat+transfertat që merr nga qeveria qendrore) përgjatë vitit 2023.

Totali i shpenzimeve kapitale planifikohet në 12.8 miliardë lek, ose 45% e totalit të të ardhurave.

Projektet strategjike të Bashkisë Tiranë për periudhën 2023-2025, sipas relacionit janë:

o        Teatri Kombëtar,

o        Piramida,

o        Kampusi Universitar,

o        Tirana Policentrike,

o        Zgjerimi i Lumit Lana,

o        Unazat e Tiranës

o        Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik- Teda,

o        Rindërtimi

Numri i punonjësve që pritet të punojnë në Bashki është 6,437, nga të cilët 1,639 në Aparatin e Bashkisë dhe të tjrët në institucionet mbështetëse. Përveç tyre ka dhe 1,894 punonjës në funksionet e pakushtëzuar sektorialë, duke e çuar në total në 8,331.

Shpenzimet për personelin parashikohen në 6.5 miliardë lekë për vitin 2023, ose gati 15% më të larta sesa plani i vitit 2022./MONITOR

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco