SYRI TV/ 'Fluturojnë' çmimet në Tiranë: 64 vite punë për të blerë një apartament

11:38, 29/11/2022
A+ Aa A-

64 vite punë i duhen sot një shqiptari me pagë mesatare për të blerë një apartament në Tiranë, dy herë më shumë se në vitin 2015. Brenda vetëm një viti, çmimet e apartamenteve janë rritur me 39%, ndërsa pagat kanë rritje shumë herë më të ngadaltë dhe të ulët krahasuar me inflacionin

SYRI TV

Me çmimet e apartamenteve, që pothuajse janë dyfishuar brenda një dekade, dhe pagat që janë rritur me ritme shumë më të ulëta, sot një individ me pagë mesatare do të duhet të punojë 64 vjet që të blejë një shtëpi. 

Nga llogaritjet që marrin në bazë inflacionin, interesat e kredive dhe vlerën në kohë të parasë, rezulton se duhen 24 vite punë më tepër për blerjen e një apartamenti prej 90 m2, në krahasim me shtatë vite më parë.

Sipas Indeksit të Pronave, rezulton se çmimi mesatar i një apartamenti në Tiranë është 1,214 euro/m2, nga 870 euro/m2 që ishte në 2015, raporton Monitor.

Indeksi Fisher nga Banka e Shqipërisë, që mat ecurinë e banesave të reja, bëri të ditur se në fund të 6-mujorit të parë 2022, çmimet e apartamenteve ishin rritur me 39%, në krahasim me vetëm një vit më parë.

Ndryshe nga apartamentet, pagat reale janë rritur shumë më ngadalë. Sipas INSTAT, në fund të 6-mujorit të parë, paga mesatare në vlerë nominale ishte rreth 60.6 mijë lekë, nga 45.6 mijë lekë në fillim të vitit 2014, me rritje prej 32%.

Ndërsa, e indeksuar me inflacionin që mat realisht fuqinë blerëse duke marrë në konsideratë dhe shtrenjtimin e çmimeve gjatë të njëjtës periudhë, paga reale është rritur me rreth 20%.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco