Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

Shqipëri: Rritet 30% përdorimi i internetit në celular

Shqipëri: Rritet 30% përdorimi i internetit në celular

07:16, 30/09/2022
A+ Aa A-

Përdorimi i internetit nga rrjetet celulare shënoi një rekord të ri në tremujorin e dytë të vitit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), çdo përdorues i shërbimeve celulare konsumoi mesatarisht 7.77 GB internet në muaj, shifër kjo 7.5% më e lartë krahasuar me mesataren e tremujorit të parë dhe 30.5% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Trafiku total i internetit i gjeneruar në rrjetet celulare gjatë tremujorit të dytë arriti një total prej rreth 49 milionë GB, shifër kjo 33.4% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas AKEP, në fund të tremujorit të dytë numëroheshin 2.1 milionë përdorues të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare, 2.1% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Edhe ky tremujor po konfirmon tendencën e shpejtë të orientimit të përdorimit të celularit drejt shërbimit të internetit. Interneti po zëvendëson në një masë të madhe edhe shërbimet klasike të komunikimit direkt nëpërmjet rrjetit, si thirrjet zanore apo mesazhet e shkruara. Aplikacionet e lloji OTT të komunikimit po sjellin një ulje të vazhdueshme të këtyre shërbimeve. Sipas AKEP, për tremujorin II, ra në 1.3 milionë minuta, 8.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përdorimi mesatar mujor i thirrjeve nga çdo përdorues zbriti në 167 minuta, 13.3% më pak krahasuar me tremujorin II 2021.

Edhe numri i SMS-të dërguara zbriti në 134 milionë, në rënie me 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe përdorimi mesatar mujor ra në 17 SMS në muaj, 8.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e AKEP ofrojnë informacion për ndarjen e tregut të shërbimit të internetit me brez të gjerë vetëm sipas numrit të përdoruesve. Të dhënat e tremujorit të tretë konfirmuan një tendencë në rritje të shpejtë të operatorit ONE, me 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, Vodafone Albania dhe Albtelecom Mobile pësuan rënie të abonentëve broadband edhe në këtë tremujor, përkatësisht me 1.7% dhe 5.1%.

Megjithatë, Vodafone vazhdon të ketë pjesën më të madhe të tregut të matur si numër përdoruesish, me 45%, i ndjekur nga ONE, me 41% dhe Albtelecom Mobile me 14%.

Tendenca globale e zhvendosjes së përdorimit të rrjeteve celulare për internetin po bëhet një faktor përcaktues edhe në mënyrën e zhvillimit të tregut dhe në strategjitë e biznesit. Ofrimi i një shërbimi cilësor internet, që tashmë po bëhet elementi kryesor konkurrues, kërkon investime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme prej operatorëve. Ky zhvillim e bën më të vështirë mbijetesën e operatorëve më të vegjël në treg, çka dëshmohet edhe nga shitja e kompanisë Albtelecom dhe bashkimi i saj me operatorin më të madh celular, ONE.

Nevoja për investime dhe për rritje të eficiencës do të marrë një rëndësi edhe më të madhe me kalimin e afërt në teknologjinë 5G. AKEP porositi një studim për kalimin në teknologjinë 5G tek kompania Jones Group International.

Dokumenti i miratuar nga AKEP pranon sfidat që paraqet procesi dhe evidenton se zbatimi i arkitekturës 5G varet kryesisht nga aftësitë e vendosjes së qelizave të vogla dhe ndërlidhja e tyre me sistemin bazë, duke përdorur një infrastrukturë të rrjetit me brez të lartë të bazuar në teknologjinë e fibrave optike. Ky proces është aktualisht i vështirë për shkak të komplikimeve të ndryshme që dalin në gjetjen e vendeve për stacionet e reja bazë, marrjen e lejeve për vendosjen e tyre dhe procedurat që duhet të ndiqen gjatë instalimit të infrastrukturës së rrjetit kabllor.

Nga ky këndvështrim, analiza e AKEP dhe konsulentit Jones Group International evidenton se është e nevojshme të ofrohet lehtësim për operatorët, në procedurat e dhënies së lejeve për vendosjen e kullave, stacioneve, por edhe reduktimi i kostove të vendosjes së infrastrukturës së rrjetit, duke rekomanduar se objektet e reja duhet të ndërtohen me një infrastrukturë të detyrueshme të instaluar me fibër optike. Më konkretisht, analiza sugjeron ndërhyrje ligjore për të thjeshtuar procedurat dhe për të mundësuar marrjen e shpejtë dhe të lehtë të miratimeve për ndërtimin e rrjetit të ri 5G.

Procesi i tenderimit të frekuencave nuk ka nisur ende zyrtarisht, por, edhe për shkak të këtyre problemeve, operatorët celularë në vend janë shprehur pesimistë për mundësinë e implementimit të shpejtë të teknologjisë 5G.

Sipas tyre, investimi në 5G nuk mund të fillojë përpara vitit 2023 dhe mund të duhen të paktën 12 muaj për të mundësuar ndërtimin e plotë të rrjetit, qoftë edhe për qytetet e rëndësishme të vendit.

Operatorët e kanë parashikuar periudhën 2022-2023 për prova teknike dhe studime marketingu, ndërsa investimet e konsiderueshme në teknologjinë 5G priten kryesisht periudhën 2024-2025. Ata vlerësojnë se procesi do të marrë kohë. 5G, duke qenë një investim intensiv dhe duke ndryshuar teknologjinë aktuale, ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë kohë për t’u vendosur sesa rrjeti 4G. /E.Shehu/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco