Guvernatori i BSH, Sejko takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Guvernatori i BSH, Sejko takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar

14:11, 27/09/2022
A+ Aa A-

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.

Diskutimet u fokusuan në zhvillimet e fundit makroekonomike, ecurinë e ekonomisë shqiptare nën këndvështrimin e një ambienti sfidues botëror me inflacion të lartë si dhe përgjigjet e autoriteteve në këtë drejtim. 

Më konkretisht, temat e diskutuara ishin: ecuria aktuale dhe perspektiva e inflacionit dhe aktivitetit ekonomik, zhvillimet e sektorit bankar dhe financiar, si dhe politikat e duhura ekonomike, të cilat do të mundësojnë ruajtjen e ekuilibrave dhe do të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Gjithashtu, gjatë takimit u prekën dhe disa nga prioritetet e reformave strukturore të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e mëtejshëm të potencialeve prodhuese të vendit dhe do të adresojnë disa prej dobësive strukturore të tij.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke dhënë një kontribut të qenësishëm në mjedisin makroekonomik dhe zhvillimin e sistemit financiar.

Në vijim, ata shtuan se situata ndërkombëtare mbetet ende e paqartë , duke shtuar elementet e pasigurisë dhe nevojën për monitorimin me kujdes të dinamikës së zhvillimeve mbi inflacionin.

Në këtë kuadër, pjesëmarrësit ndanë të njëjtin mendim mbi rëndësinë e madhe që ka monitorimi i vazhdueshëm i situatës, si dhe koordinimi i politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur për të dhënë stimujt e nevojshëm për rritjen ekonomike në afatgjatë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco