Ndryshon vendimi për organizimin e Agjencisë së Koncesioneve; Kryetari i ATRAKO-s do emërohet nga Këshilli i Ministrave

Ndryshon vendimi për organizimin e Agjencisë së Koncesioneve; Kryetari i ATRAKO-s do emërohet nga Këshilli i Ministrave

13:03, 27/09/2022
A+ Aa A-

Ndryshon vendimi për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO).

Në fletoren zyrtare është botuar vendimi i ndryshuar “Për organizimin, funksionimin, si dhe procedurat e nivelin e tarifave të shërbimeve që do të ofrohen nga agjencia e trajtimit të koncesioneve”.

Ndryshimet e vendimit përcaktojnë që tashmë Kryetari i ATRAKO-s do të emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë. Në vendimin e vitit 2020 në pikën 8 të tij përcaktohej vetëm se marrëdhëniet e punës së kryetarit dhe të nëpunësve të ATRAKO-s rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

Pas kësaj pike në vendimin e ri ndër tjetër përcaktohen edhe kriteret që duhet të plotësojë, kryetari i ATRAKO-s, si: të jetë shtetas shqiptar, të ketë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë; të ketë përvojë në profesion, të paktën 3 vjet; të mos jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake etj.

Vendimi përcakton edhe rastet kur kryetari i ATRAKO-s shkarkohet nga detyra, si nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo të një kundërvajtjeje penale me dashje apo kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës; dh) vërtetohet se ka përgjegjësi për mosrealizimin e objektivave të vendosur për ATRAKO-n etj.

ATRAKO siguron të ardhura nga shërbimet që kryen në dobi të autoriteteve kontraktuese dhe nga donatorë të ndryshëm. Tarifa për shërbimet e ofruara nga ATRAKO shpallet në dokumentet e procedurës konkurruese dhe paguhet nga operatori fitues, përpara nënshkrimit të kontratës, me autoritetin kontraktues.

Tarifat janë të përcaktuara në vendim. Konkretisht për projekte koncesioni apo PPP me vlerë investimi deri në 700 mln lekë, tarifa është 700 mijë lekë. Për projekte me vlerë investimi mbi 700 mln lekë deri në 2,1 mld lekë tarifa është 1,4 mln lekë. Për projekte koncesioni me vlerë investimi mbi 2,1 mld lekë deri në 7 mld lekë tarifa është 2,8 mln lekë. Ndërsa për projekte koncesioni me vlerë investimi mbi 7 mld lekë tarifa që paguhet në ATRAKO është 4,2 mln lekë.

Vlera e kontratave koncensionare e cila dominohet nga hidrocentralet dhe rrugët, pa përfshirë ato që janë në proces zbatimi për 2022 sipas të dhënave të buxhetit të vitit 2022 llogariten në vlerën e 636,7 mld lekë.

Ndërsa kontratat koncensionare me Partneritet Publik-Privat të planifikuara për 2022 kapin shifrën e prej 214 miliardë lekësh. Shuma përfshin financimin e 7 kontratave./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco