SYRI TV/ Pas hakerave, AKSHI jep 6 mln euro për Policinë e Shtetit

12:17, 27/09/2022
A+ Aa A-

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpenzon 6 miliardë lekë për përmirësimin e sistemeve të sigurisë, pas rënies pre e grupit të hakerave “Homeland Justice”. Tenderi është fituar nga shoqëria “Advanced Bussines Solution-ABS”, ndërkohë, referuar dokumenteve, përmirësimi i infrastrukturës teknologjike është parashikuar para se të identifikohej sulmi kibernetik

SYRI TV

Vetëm pak ditë pasi grupi i hakerave që fshihen nën emrin “Homeland Justice” publikoi të dhëna sekrete nga sistemet e Policisë së Shtetit, qeveria ka vendosur të shpenzojë mbi 6 miliardë lekë të tjera për forcimin e sigurisë.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njofton se ka mbyllur tenderin me objekt “Ngritja e infrastrukturës qendrore për sistemet e Policisë së Shtetit”. Tenderi kishte fond limit 678 milionë lekë të reja dhe është fituar nga shoqëria “Advanced Bussines Solution-ABS”, me ofertë 623 milionë lekë të reja ose rreth 6 milionë euro.

Procedura është shpallur në korrik të këtij viti, kohë që përkon me sulmin e parë të hakerave të huaj mbi sistemet kibernetike shqiptare. Referuar dokumenteve, përmirësimi i infrastrukturë teknologjike është parashikuar që më herët, para se të identifikohej sulmi kibernetik. Por, në të njëjtët dokumente konstatohet se sistemi informatik i Policisë së Shtetit ishte lehtësisht i cenueshëm nga ndërhyrjet keqdashëse.

“Marrë shkas nga zhvillimi teknologjik i Policisë së Shtetit dhe rritja e numrit të sistemeve TI, nevoja për sigurimin e kësaj infrastrukture teknologjike është emergjente për institucionin” thuhet në dokumentet e tenderit.

Ky projekt synon plotësimin e nevojave, riorganizimin e shërbimeve në infrastrukturën e re sipas standardeve teknike të nevojshme, vijohet më tej në dokumentet e AKSHI-t. Këto të dhëna, si edhe të tjera që gjenden në projektin me vlerë 6 milionë euro dëshmojnë qartësisht se siguria e sistemeve kibernetike në Policinë e Shtetit ka qenë shumë e ulët.

Ky nivel sigurie u ka lehtësuar punën hakerave të huaj, të cilët kanë arritur me lehtësi të depërtojnë në infrastrukturën on-line të policisë, duke marrë nën kontroll, ndër të tjera, komunikimet zyrtare dhe sistemin e hyrje-daljeve, Tims.

Qeveria shqiptare vendosi që prej datës 1 maj 2022, të gjithë shërbimet për qytetarët të ofrohen on-line. Por, institucionet qeveritare nuk kanë qenë aspak të përgatitura për të siguruar të dhënat personale dhe sensitive të shqiptarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco