Treguesit e besimit të biznesit u përkeqësuan në muajin korrik

Treguesit e besimit të biznesit u përkeqësuan në muajin korrik

11:32, 08/08/2022
A+ Aa A-

Pesimizmi i bizneseve solli rënie të Treguesit të Ndjesisë Ekonomike në muajin korrik. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ky tregues pësoi rënie me 2.5 pikë krahasuar me muajin e kaluar. Rënia u përcaktua nga përkeqësimi i besimit në industri, ndërtim, shërbime dhe tregti, ndërsa treguesi i besimit të konsumatorëve regjistroi pothuajse të njëjtat vlera si një muaj më parë. Megjithatë, vlera e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike qëndron mbi mesataren afatgjatë.

Treguesi i Besimit të Industrisë ra me 3.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht nga rënia e balancës për prodhimin aktual dhe asaj të kontratave porositëse. Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin dhe çmimet në të ardhmen janë në rritje në muajin korrik dhe ato për punësimin janë në rënie të lehtë.

Treguesi i Besimit në Ndërtim regjistroi rënie me 1.9 pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë. Ky zhvillim u ndikua si nga përkeqësimi i balancës për aktivitetin ndërtues, ashtu edhe nga treguesi për kontratat porositëse. Rënie regjistruan pritjet për punësimin, por edhe ato për çmimet, pas rritjes së dukshme të muajit paraardhës.

Treguesi i Besimit në Shërbime shënoi rënie me 6.1 pikë përqindje në muajin korrik, ndikuar nga performanca më e dobët e treguesve të ecurisë së biznesit dhe kërkesës për shërbime. Bizneset në aktivitetin e shërbimeve vlerësojnë një reduktim të ndjeshëm të punësimit aktual. Ndërkohë që pritjet për punësimin janë në kahun e përmirësimit të lehtë, pritjet për ecurinë e çmimeve në të ardhmen e afërt u paraqitën me rënie.

Treguesi i Besimit në Tregti ra për të dytin muaj me radhë, pas rritjes në muajin maj. Në muajin korrik u shënua një rënie me 0.5 pikë përqindje. Treguesi u ndikua kryesisht nga vlerësimet jo të mira të bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Gjithashtu, pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm dhe punësimin janë në dobësim, krahas pritjeve për çmime në rritje.

Treguesi i Besimit Konsumator rezultoi me vlerë thuajse të njëjtë në muajin korrik si edhe një muaj më parë, por duke vijuar të mbetet larg mesatares afatgjatë. Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe situatën për të ardhurat dhe shpenzimet.

Nga ana tjetër, situata e tyre financiare dhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë në të ardhmen paraqitet në rënie. Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, kundrejt pritjeve për ngadalësim të tyre në të ardhmen./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco