Komisioni Europian rrëzon amnistinë fiskale të Ramës: Rrezikon vendin

Komisioni Europian rrëzon amnistinë fiskale të Ramës: Rrezikon vendin

09:29, 06/07/2022
A+ Aa A-

Komisioni Europian shpreh shqetësime serioze për draftin e prezantuar nga qeveria “Rama” për amnistinë fiskale dhe e konsideron atë një rrezik thelbësor për reputacionin e Shqipërisë.

Përmes një deklarate të shpërndarë të hënën nga delegacioni i BE-së në Tiranë, shkruan “Birn”, Komisioni Europian deklaroi se drafti dobëson kontrollin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, çka shqetëson shtetet anëtare të Bashkimit Europian, si dhe partnerët e tjerë.

Përfaqësuesit e Komisionit Europian e kanë shprehur qëndrimin para zyrtarëve të qeverisë shqiptare gjatë takimit të 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë mbajtur më 29 qershor në Bruksel.

“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore”, thuhet në njoftimin për shtyp.

“Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”, shtohet aty.

Qeveria shqiptare publikoi para pak ditësh për konsultim publik një draft të ri të projektligjit kontrovers të amnistisë fiskale, pasi u detyrua të tërheqë një projekt të ngjashëm nga shqyrtimi parlamentar vitin e kaluar nën presionin e Komisionit Evropian.

Projekti parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.

Qeveria e Kryeministrit Edi Rama publikoi në vitin 2020 një nismë për amnisti fiskale, ndërsa u përball me kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili theksoi se një amnisti fiskale mund të përdoret për pastrim parash.

Gjatë takimit të përbashkët BE-Shqipëri, që u bashkëdrejtuara nga Andrew Williams, sekretar i Përhershëm i Nënkomitetit në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të KE dhe Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, u diskutuan dhe marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe, për të cilat KE kërkon qartësi dhe të barazi në konkurrim për kompanitë europiane.

“Komisioni theksoi nevojën për qartësi të marrëveshjes tregtare në lidhje me mënyrën se si kompanitë e BE-së mund të konkurrojnë mbi baza të drejta dhe të barabarta për kontrata publike, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, thekson njoftimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shqiptari06/07/2022 11:54

Ligji per Amnistine e Krimit dhe te Korrupsionit! Ky ligj e kthen Shqipërinë në një Organizatë të Strukturuar Kriminale, ku askush nuk ka nevojë për të shkuar në shkollë, të bëhet mesues, mjek, inxhinier, ekonomist, agronom, veteriner, fermer apo infermjer,mjafton të merret me një aktivitet kriminal dhe bëhet miliarder!!! Kjo eshte fare e thjeshte per t'u kuptuar edhe nga njeriu me idiot dhe me analfabet mbi kete Planet!! Psh, Damian Gjiknuri ka vjedhur nga buxheti i shtetit 30 milion euro. Keto miliona Damiani i shperndan neper 15 miqte, vartesit dhe shoket e vet pa lidhje familjare. Ata nga keto 30 miliona euro do te perfitojne nga Damiani nga 1% secili, pra nga 300 mije euro secili. Damianit do ti mbeten te sigurta: 30 milion - 4.5 milion = 25.5 milion euro te thata dhe te pastruara me ligjin "Rama". Por miqte e Damianit, pra "Cunat e Londres dhe te Tiranes", keto "milionat e tyre", me ndihmen e Damianit me pushtet, mund t'i investojne duke marre koncensione, PPP, tendera per investime publike, rruge, spitale, shkolla, apo troje shteterore, dhe ti 4-fishojne apo 10-fishojne me tej. Me keto miliona ata edhe mund te blejne vota per te blere pushtetin e Damianit per gjithe jeten. Kjo eshte ajo "Skema e amnistise se krimit" qe BABLOKU do te aplikoje ne Shqiperi!!

Shto koment

Denonco