VIDEO-SYRI TV/ Ndryshon sërish “guaska” e Portit të Durrësit, investitori strategjik nuk gjen qetësi

13:10, 30/06/2022
A+ Aa A-

Ndryshon për herë të katërt brenda dy viteve emri i kompanisë guaskë që do të ndërtojë portin e jahteve në Durrës. Kompania “Symphony Real Estate Development, që mban statusin e investitorit strategjik, me administrator biznesmenin nga Dubai Muhamed El Alabar, tashmë do të quhet “Eagle Hills Real Estate”. Qeveria ka lejuar që kjo kompani private të shfrytëzojë 80 ha tokë publike në qendër të Durrësit

SYRI TV

Kompania “guaskë” që ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e portit të jahteve në Durrës ka ndryshuar sërish emër dhe administrator, për herë të katërt në dy vitet e jetës së saj.

Kompania “Symphony Real Estate Development” tashmë do të quhet “Eagle Hills Real Estate” dhe administrator në Shqipëri do të jetë biznesmeni nga Dubai, Muhamed El Alabar.

Ky vendim është marrë nga djali i biznesmenit, Rashid El Alabar, i cili ka rolin e përfaqësuesit të kompanisë mëmë të Portit të Jahteve të Durrësit, të regjistruar në ishujt Kajman.

Kryeministri Edi Rama e prezantoi për herë të parë projektin e debatuar “Durrës Jaht Marina” me vlerë 2 miliard dollarë në fund të vitit 2020.

Ai deklaroi se investimi do të kryhej nga “Emmar”, një kompani e njohur nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, në pronësi të Muhamed El Alabar.

Por në qershor të vitit 2021, regjistrohet në Shqipëri kompania “Symphony Real Estate Development”, e cila ishte në pronësi të një shoqërie me emër të ngjashëm në ishujt offshore të Karaibeve.

Administrator i kompanisë në Shqipëri u emërua Oltian Hoxholli. Ai u largua nga detyra pak muaj më vonë, pasi media zbuloi se Hoxholli ishte administrator edhe në një kompani në pronësi të Erion Isufit, kunatit të deputetit Lulzim Basha.

Në vend të tij u emërua administrator Viktor Heinz.

Në dhjetor të vitit 2021, një kompani nga Dubai, “North East Real Estate” merr në pronësi kompaninë guaskë në ishujt Kajman dhe rrjedhimisht edhe shoqërinë në Shqipëri.

Pronari i ri cakton administrator Rashid El Alabar.

Ky i fundit, në qershor 2022, në cilësinë e përfaqësuesit të pronarëve, ndryshon emrin e kompanisë në Shqipëri dhe cakton babanë e tij, Muhamed El Alabar si administrator të saj.

Në përfundim të të gjitha këtyre lëvizjeve, kompania që ka fituar të drejtën pa garë për të ndërtuar portin e jahteve në Durrës është në dorë të Mohamed El Alabar.

Por, kompania investuese nuk është “Emmar”, ajo që kryeministri Rama e prezantoi fuqishëm kur foli për herë të parë për këtë projekt të dyshimtë.

Tashmë, projekti “Durrës Jaht Marina” ka fituar statusin e investitorit strategjik, ndërkohë që qeveria i dha të drejtën që kompania private të shfrytëzojë mbi 80 hektarë pronë publike në qendër të Durrësit, në zonën pranë portit aktual të mallrave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco