Ekspertët: Jo, tatimit progresiv mbi profesionistët e vetëpunësuar

Ekspertët: Jo, tatimit progresiv mbi profesionistët e vetëpunësuar

07:05, 28/05/2022
A+ Aa A-

Kontabilistët, audituesit dhe Shoqatat e Biznesit kundërshtojnë njëzëri ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për vendosjen e tatimit progresiv te profesionistët e vetëpunësuar të shërbimeve. Ekspertët thonë se taksa deri në 23% për këtë kategori është antikushtetuese, si dhe do të nxisë informalitetin. Për grupet e interesit, ndryshimet e shpeshta fiskale jo vetëm që rrisin kostot e sipërmarrjes, por edhe do të shtojnë pasigurinë te to. Bizneset janë edhe kundër publikimit të pagave një herë në vit. Prodhuesit kërkojnë penalitete të diferencuara nga sektori i shërbimeve dhe njësitë tregtare, shkruan Dorina Azo e Monitor.

Nismat për ndryshimet në ligjin e tatimit mbi të ardhurat për profesionet e lira, atë të procedurave tatimore për dyfishim penalitetesh për mosdeklarim punonjësish apo nëndeklarim pagash, si dhe për publikimin një herë në vit të listës së rrogave kanë shkaktuar debate të forta te kontabilistët, audituesit dhe shoqatat e biznesit.

    Propozimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të tatuar të ardhurat e të vetëpunësuarve që ofrojnë shërbime me tatim progresiv nga 13 deri në 23% (nga zero që është tatimfitimi për këtë kategori deri në fashën e xhiros 14 mln lekë dhe zero TVSH deri në 10 mln lekë) janë konsideruar nga ekspertët dhe bizneset antikushtetuese, nxitëse të informalitetit dhe emigrimit të profesionistëve të rinj.

    Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera, pohoi për “Monitor” se ndryshimet do të vijnë për t’u dhënë fund deformimeve që i janë bërë sistemit fiskal, ku të punësuar që trajtohen me taksë progresive kanë dalë nga listëpagesat, duke u regjistruar si të vetëpunësuar. “Sistemi i ri parashikon që të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime, profesionet e lira, do të trajtohen njëlloj si të punësuarit me pagë.

    Nga të ardhurat e tyre do të zbritet çdo shpenzim që ata realizojnë, do të dalë fitimi neto, nga fitimi neto do t’i zbriten edhe përfitimet që ka individi i punësuar, si taksim zero për pagat deri në 40,000 lekë. Fitimi neto pas çdo zbritje që do t’i bëhet, do të taksohet, siç taksohet çdo i punësuar. Norma e tatimit për këtë kategori do të jetë 0% për të ardhurat deri në 40,000 lekë, 13% nëse të ardhurat mujore janë deri në 150,000 lekë dhe 23% për shtesën e tyre”, theksoi z. Lera.

    Në draftin e ri parashikohet që të ardhurat nga punësimi përfshijnë dhe të ardhurat e fituara nga një person i vetëpunësuar nëse 50%, ose më shumë e të ardhurave të fituara, merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm, ose më shumë se 90% e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë, ose tatimpaguesi është i detyruar të ndjekë udhëzimet e klientit për të përfituar të ardhurat.

    Drejtori i përgjithshëm i politikave fiskale veçoi se nga ndryshimet do të përjashtohen individët tregtarë, si të vetëpunësuar në bar-bufe, kafe, restorant të vogël apo market që do të vazhdojnë të kenë taksën zero deri në 2029, pasi këto struktura nuk janë domethënëse për sistemin tatimor dhe janë burim punësimi.

    Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikohet t’i propozohet FMN-së për t’u përjashtuar nga taksimi i ri një listë me profesione, si: berber, estetiste manikyri, parukiere, murator, elektricist, hidraulik, të cilët ofrojnë shërbime, por që në fakt janë biznese të hapura për publikun.

    Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që projektligji të përfundojë hartimin në muajin qershor dhe më pas të konsultohet me grupet e interesit. Drafti i ri do të përfshijë edhe konceptin e taksimit për dhuratat në të holla dhe të trashëgimisë në të holla me normë 15%. Nga taksimi do të përjashtohen dhurimet dhe trashëgimitë brenda familjes. Ndërsa të ardhurat nga lojërat e fatit, që aktualisht taksohen me 15%, do të vazhdojnë të taksohen me të njëjtën normë.

    Kategoritë e profesioneve të lira që preken

    Nisma për ndryshimin e taksimit të profesioneve të lira prek 80% të kësaj kategorie sipas CEO-s së agjencisë së pasurive të paluajtshme “Century 21”, Jonian Antoni. Përfaqësuesi i shoqatës së NAREA-s thekson se, nga ndryshimet fiskale preket sektori i shërbimeve dhe turizmi sezonal.

    “Një analizë e thjeshtë tregon se ndryshimet godasin 70-80% të të vetëpunësuarve të profesioneve të lira, që vijojnë aktivitetin në mënyrë të ndershme. Nuk mund të shkatërrohet puna e mirë, e ngritur nga shumica e të vetëpunësuarve të shërbimeve për të sulmuar 20-30% që mund të kenë abuzuar me këtë sistem.

    Sektorët që preken më shumë janë profesionet e lira të shërbimit, si: IT, avokat, real estate, konsulent biznesi, konsulent financiar, parukier, estetiste. Gjithashtu, preken edhe fermerët, por sidomos bizneset sezonale në zonat e turizmit (makina me qira, guida turistike, minimarkete plazhi, lokale etj.).

    P.sh.: një ekspert IT, i cili mund të faturojë 5-10 mln lekë në vit, mund të punonte, si konsulent edhe nga Shqipëria, duke ofruar shërbimet në të gjithë botën. Tashmë, prej sistemit, ai do të taksohet shumë më tepër dhe kjo mund ta incentivojë edhe drejt emigrimit”, – nënvizon z. Antoni./MONITOR

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco