Në fund të janarit, Enel ishte në fazën përfundimtare për shitjen e tre termocentraleve me gaz dhe dy impianteve eolikë që zotëron në Rusi.
Një operacion që do t'ia kishte dorëzuar ato një kompanie në sektorin e energjisë të kontrolluar nga Kremlini. Dhe pikërisht për këtë arsye, Francesco Starace, CEO i ENEL prej 8 vitesh, vendosi të marrë pjesë në videokonferencën e organizuar më 25 janar nga qeveria e Moskës midis Vladimir Putin dhe një grupi sipërmarrësish dhe menaxherësh kryesorë italianë, nga Marco Tronchetti Provera të shoqërisë Pirelli tek kreu i Bankës Unicredit Andrea Orcel, kompanitë e të cilëve kanë investime të konsiderueshme në Rusi.
Dhe ky takim u zhvillua, pavarësisht kërkesës së bërë nga qeveria kompanive të kontrolluara prej saj për të mos u paraqitur në takim. Lufta dukej se nuk kishte filluar ende, siç ndodhi më vonë, por përqendrimi i trupave në kufijtë e Ukrainës kishte provokuar tashmë reagimin e përfaqësive diplomatike perëndimore.
‘Kërkesa erdhi vetëm një mbrëmje para dhe në atë moment mospranimi mund të rrezikonte shitjen e centraleve’. Sipas burimeve pranë kompanisë, Francesco Starace do ta shpjegonte kështu zgjedhjen për të marrë pjesë në videokonferencën me Putinin gjithsesi. Një zgjedhje që çoi në krisje të marrëdhënieve me qeverinë, siç u theksua pak ditë më parë nga Copasir (Komiteti Parlamentar për Sigurinë e Republikës) në një raport që nënvizonte se si disa kompani shtetërore ‘do të kishin qëndrime jokoherente, kontradiktore dhe të paqarta me kompanitë ruse, duke mos marrë parasysh, ndër të tjera, indikacionet e formuluara nga ekzekutivi’. Një referencë e qartë për Enel-in, sepse ftesa për të mos marrë pjesë në ballë për ballë me Putinin u shkoi edhe Claudio Descalzi dhe Marco Alverà, respektivisht Administratorët e deleguar të Eni dhe Snam, të cilët ndryshe nga Enel u rreshtuan sipas moral suasion të qeverisë.
Starace arriti t'u shpjegonte pozicionin e tij bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Draghi-t: ftesa për mospjesëmarrje kishte mbërritur shumë afër takimit dhe mund të kishte penguar shitjen e termocentraleve, sepse Kremlini mund ta kishte interpretuar mungesën në takim si një qëndrim politik. Gjithsesi, agresioni kundër Ukrainës e vuri operacionin në krizë: kompania blerëse përfundoi nën sanksione, duke bllokuar fazën përfundimtare.
Por kjo nuk është e vetmja arsye që ka ftohur marrëdhëniet me Enel. Qeverisë nuk i ka pëlqyer ativiteti i lobimit ndaj kompanisë për të kundërshtuar disa dosje për të cilat qeveria Draghi po investon. Për shembull, tenderat për koncesionet e hidrocentraleve të parashikuara në dekretin e liberalizimeve (të kontestuara nga shoqëritë e shërbimeve publike dhe Partia Demokratike). Enel i ka bërë të ditur qeverisë se në fakt ka luftuar, por në nivel europian.
© SYRI.net