KLSH: Verifikimi i pompave të naftës nga koncensionari, hapësirë për konflikt interesi

KLSH: Verifikimi i pompave të naftës nga koncensionari, hapësirë për konflikt interesi

07:23, 26/01/2022
A+ Aa A-

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) zhvilloi një auditim performance me objekt “Efektiviteti i masave të marra për mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet me peshën dhe matjet” duke u ndalur në një prej koncesioneve të dhëna nga qeveria sa i takon verifikimit të pompave të naftës dhe gazit.

Gjetjet e audituesve kanë qenë të ndryshme duke nisur nga “përplasjet” e kuadrit ligjor ku ligji për metrologjinë dhe përfshirja e kontratës koncesionare nuk janë të ndara qartësisht e deri tek mënyra sesi është ndarë risku i kontratës apo hapësirat e mundshme për konflikt interesi.

Në monitorimin e kontatës nga njësia përkatëse e ngarkuar me këtë detyrë është konstatuar se nuk ka një metrolog, ndërkohë që raportet e monitorimit gjykohet se nuk kanë analizë të pavarur, por janë kopjim i raporteve të koncesionarit.

Konkretisht pyetjes nëse kanë rezultuar efektive politikat dhe masat e marra nga MFE për garantimin mbrojtës së konsumatorit nga abuzimet me peshën dhe matjet, audituesit i janë përgjigjur.

“Përjashtimi që i bëhet institucionit publik në ushtrimin e plotë të funksionit të inspektimit të instrumenteve të verifikuara prej koncesionarit/subjekteve të autorizuara nga DPM, rrezikon t’i bëjë të pakontrollueshëm instrumentet matëse, përdoruesit e tyre dhe shërbimin e verifikimit metrologjik.

Nga ana tjetër, shërbimi i metrologjisë ligjore për verifikimin e shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm, është deleguar (nëpërmjet koncesionimit) pa ofruar siguri që autoriteti delegues të ketë kapacitete të mjaftueshme për të monitoruar dhe për të mbikëqyrur zbatimin e detyrave të deleguara, si dhe ka pasur një metodologji dhe manual mbi mënyrën e monitorimit.

Mungesa e ekspertëve metrolog, në komisionin e monitorimit të zbatimit të kontratës koncesionare për shërbimin e verifikimit të shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm, nuk ofron siguri të arsyeshme mbi cilësinë e shërbimit të ofruar prej koncesionarit” thuhet në dokument.

Vendosja e masave administrative i njihet koncesionarit

Lidhur me kuadrin ligjor KLSH nënvizon se përcaktimet në nenin 48 dhe 50 të Ligjit nr.126/2020 “Për Metrologjinë”, bien në kundërshtim me Kreun II “Qëllimi dhe parimet e inspektimit”; Kreun III “Organizimi dhe funksionimi i inspektorateve në nivel qendror dhe vendor”; Kreun IV “Rregulla të përgjithshme për programin e inspektimit”, dhe Kreun V “Procedura e inspektimit në Ligjin nr.10433”, datë 16.06.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ku përcaktohet se, vetëm institucionet shtetërore të nominuara inspektoriate në bazë të ligjit kryejnë detyra inspektimi dhe ndërmarrin sanksione administrative.

“Gjithashtu në pikën 2 të nenit 48 të ligjit të metrologjisë, ka një trajtim me dy standarde, pasi kur verifikimi metrologjik i instrumenteve matës kryhet nga koncesionari/subjekti i autorizuar, inspektimi metrologjik përfshin vetëm ekzaminimin fizik dhe dokumentar të produkteve apo proceseve objekt të këtij ligji dhe jo atë laboratorik (sikundër ndodh në rast se ky shërbim ofrohet nga DPM), duke implikuar kështu inspektime më pak të thelluara në rastet e subjekteve private” thuhet në dokument.

Audituesit nënvizojnë se sipas shkronjës “c” të pikës 3 në nenin 48, inspektorit të ISHMT, i është hequr e drejta e bllokimit të instrumentit matës (kur ky instrument verifikohet nga koncesionari/subjekti i autorizuar). Kjo do të thotë se, të drejtën e bllokimit “pra marrjen e masës administrative” të instrumentit matës, ligji ia ka njohur koncesionarit/subjektit të autorizuar, i cili më përpara ka kryer shërbimin e verifikimit të këtij instrumenti.

“Ndërkohë theksojmë se, subjektet e autorizuara nga DPM, vetë DPM dhe koncesionari, kanë të drejtë vetëm verifikimin metrologjik të instrumentit, jo edhe marrjen e masave administrative. Në këto kushte, në gjykimin e grupit të auditimit, ligjvënësi nuk mund të jetë i sigurt, që koncesionari/subjekti i autorizuar do të bllokojë një instrument, të cilin më përpara e ka verifikuar vetë ai” vlerëson KLSH.

Riskun financiar e mban shteti, biznesi dhe konsumatori

“Përgjatë shqyrtimit të Ligjit nr. 126/2020 dhe paralelisht me të edhe të kontratës koncesionare me qëllim krahasimin e tyre, rezultoi se, nenet 14 dhe 21 të kësaj kontrate, kanë të bëjnë me marrjen e kompetencave inspektuese të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe mbajtjen e një risku të lartë financiar nga MFE ose subjektet përdorues të instrumenteve deri tek konsumatori, ndërkohë që koncesionari ka mbajtur vetëm riskun e investimit, ku rezultoi se:

-Në nenin 14, pika 14.3, shkronja “a”: “Pas fillimit të kryerjes së shërbimit, Palët mund të bien dakort për rritjen e frekuencës së verifikimit të rregullt të instrumenteve matës, për një periudhë tranzitore, në rast se:

Gjatë kryerjes së verifikimeve në terren rezulton se mbi 5% e totalit të instrumenteve matës të verifikuara rezultojnë me probleme.

-Në vijim të përcaktimit të mësipërm, sa i përket rritjes së frekuencës, rezultoi se, është parashikuar edhe në nenin 22 pika 1 në Ligjin nr.126/2020 “Për Metrologjinë”, ndërsa në ligjin e mëparshëm të metrologjisë nr.9875, datë 14.02.2008 nuk ka ekzistuar, duke përshtatur kështu ligjin nr.126/2020 “Për Metrologjinë” me kontratën koncesionare.

-Në nenin 14, pika 14.6: “Nëse në çdo kohë, pas datës efektive Koncesionari/Shoqëria Koncesionare pëson një pakësim në të ardhurat e tij sipas kësaj kontrate, për rrjedhojë të rënies së numrit të inspektimeve me mbi 5%, që vjen vetëm si pasojë e ndryshimeve ligjore, Koncesionari/Shoqëria Koncesionare mund të njoftojë me shkrim Autoritetin Kontraktues dhe të propozojë shtesa/ndryshime të kësaj kontrate me qëllim që Koncesionari/Shoqëria Koncesionare, të vendoset në të njëjtën pozitë financiare siç do të kishte qenë nëse nuk do të kishte ndodhur ky pakësim në numrin e verifikimeve si treguar në këtë paragraf”;

Ndërsa konstatojmë që nuk parashikohet në asnjë nen të kontratës mbi masat që duhet të marrë koncesionari nëse nuk realizon të ardhurat e parashikuara për buxhetin e shtetit (sikundër parashikohen në Kreun 5 “Arsyetimi i Vendimit të Koncesionit”, të studimit të fizibilitetit, ku në zbatim të VKM nr. 575, datë 10.07.2013 ”Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/PPP”, i ndryshuar, është llogaritur “Krahasuesi i Sektorit Publik”, i cili ka vlerësuar të ardhurat nga koncesionari për llogari të buxhetit të shtetit, do të jenë në formën e të ardhurës nga tatim-fitimi dhe TVSh, në vlerën rreth 240 milionë lekë për vitin 2019, rreth 244 milionë lekë për vitin 2020, e kështu me rradhë për vitet objekt koncesionimi” vlerëson auditimi.

Hapësira për konflikt interesi

“Në nenin 21, pika 21.1.6 – “Koncesionari ka të drejtë të kryejë inspektime/verifikime shtesë, tek subjektet që kanë në zotërim instrumente matës të karburanteve, jashtë frekuencës së zakonshme dhe pa aprovimin paraprak të Autoritetit Kontraktues apo subjekteve që do të inspektohen, si dhe ka të drejtë të bëjë kontrolle rutinë për të siguruar që shpërndarësit e karburantit, që kanë rezultuar me probleme dhe nuk janë riparuar, të mos jenë në përdorim.

-Në nenin 21, pika 21.1.7 – Bllokimi i menjëhershëm të instrumentave matës kur konstaton probleme teknike dhe mbylljen me një shirit deri në riparimin e tyre”.

Pra koncesionarit i jepen të drejta të verifikimit si dhe inspektimit metrologjik, të cilat janë jashtë objektit të koncesionit, ku përcaktohet se: “Koncesionari kryen verifikimin fillestar, verifikimin pasardhës, verifikimin jashtë rradhe”. Për pasojë mund të krijojë hapësira për konflikt interesi, duke ndikuar negativisht në transparencën, trajtimin e barabartë dhe jodiskriminues të subjekteve që tregtojnë karburant, si dhe për rrjedhojë, uljen e cilësisë së shërbimit e mbrojtjen e konsumatorit.

-Në vijim të këtij argumenti theksojmë se, arsyeja kryesore e ndarjes së inspektimit metrologjik nga strukturat e DPM-së ishte konflikti i interesit. Kjo ndarje u realizua për arsye që i njëjti institucion që kryen shërbime metrologjike të verifikimit të mos ndërmarrë dhe saksione administrative, ndërkohë që nëpërmjet kontratës koncesionare, jemi duke u rikthyer në situatën e mëparshme.

Përgjatë shqyrtimit të Ligjit nr. 126/2020 dhe paralelisht me të edhe të kontratës koncesionare, rezultoi se, shoqërisë koncesionare i është dhënë e drejta e inspektimit dhe marrjes së masës administrative të bllokimit të instrumenteve matës, ndërkohë që ajo është shpallur fituese që në krye të herës vetëm për ofrimin e shërbimit të verifikimit të instrumenteve matës, sepse funksionin e inspektimit metrologjik dhe marrjes së masës administrative, e kryen Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.

Theksojmë se, ofrimi i mundësisë ndaj subjektit privat që tashmë kryhen shërbimin e verifikimit metrologjik, që të kryejë edhe inspektimin/bllokimin e instrumenteve matës, mund të krijojë hapësira për konflikt interesi, duke ndikuar negativisht në transparencën, trajtimin e barabartë dhe jodiskriminues të subjekteve, që tregtojnë karburant, si dhe për rrjedhojë në uljen e cilësisë së shërbimit dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Këto përcaktime bien në kundërshtim me pikën 1 në nenin 7 të Ligjit nr.126/2020 “Për metrologjinë”, si dhe Kreun II, IV, dhe V në Ligjin nr.10433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Për më tepër që arsyeja kryesore e ndarjes së inspektimit metrologjik nga strukturat e DPM-së ishte për arsye që i njëjti institucion që kryen shërbimin e verifikimit, të mos ndërmarrë dhe saksione administrative, ndërkohë që nëpërmjet kontratës konçesionare, jemi duke u rikthyer në situatën e mëparshme.

Konkluzione: Ofrimi i mundësisë subjektit privat që tashmë kryhen shërbimin e verifikimit metrologjik, që të kryejë edhe inspektimin/bllokimin e instrumenteve matës, në gjykimin e grupit të auditimit mund të krijojë hapësira për konflikt interesi, duke ndikuar negativisht në transparencën, trajtimin e barabartë dhe jodiskriminues të subjekteve, që tregtojnë karburant, si dhe për rrjedhojë, uljen e cilësisë së shërbimit e mbrojtjen e konsumatorit.

Gjithashtu në lidhje me përcaktimin e frekuencës e verifikimit metrologjik, në kushtet e mungesës së një metodologjie të saktë dhe shkencore për llogaritjen e riskut të instrumenteve matës, për saktësinë e tyre të matjes, mund të bëhet shkak për arbitraritet dhe shkelje të konkurences së lirë nga operatori i koncensionit, si dhe rritje të kostos së shërbimimit të verifikimit të shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm” thuhet në auditim. https://panel.klsh.org.al/storage/phpFef4nA.pdf/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco