VIDEO-SYRI TV/ Anulohet tenderi i Velierës, pritet rritje e kostove

VIDEO-SYRI TV/ Anulohet tenderi i Velierës, pritet rritje e kostove

11:37, 16/11/2021
A+ Aa A-

Bashkia e Durrësit anuloi procedurën për tenderin prej 2.5 milion eurosh shtesë për përfundimin e projektit të Velierës. Dyshimet janë se bashkia po rishqyrton disa nga kriteret kualifikuese për këtë tender, të cilat mund të sjellin rritje të mëtejshme të kostove për këtë projekt. Deri më tani janë shpenzuar rreth 6 milion euro dhe projekti ende nuk ka përfunduar

SYRI TV

Në 8 Nëntor, Bashkia e Durrësit pritej që të mbyllte fazën e pranimit të ofertave për fazën e radhës të ndërtimit të “Velierës”, një projekt betoni me vlerë 2.5 milionë euro në hyrje të Portit të qytetit, i cili është kundërshtuar nga urbanistë, projektues e shoqëria civile.

Por, me një lëvizje të orëve të fundit, Bashkia e Durrësit ka vendosur të anulojë të gjithë procedurën e emërtuar “Faza e katërt e sheshit publik para hyrjes së Porti Durrës”. Bashkia e drejtuar nga Emirjana Sako ka marrë këtë vendim pasi është konstatuar se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme, siç thuhet në dokumentet zyrtarë. Tenderi u shpall në 21 Tetor të këtij viti dhe bashkia e qytetit bregdetar vendosi në dispozicion të projektit rreth 250 milionë lekë të reja pa TVSH. Ofertat e kompanive të interesuara pranoheshin deri në fundjavën e kaluar.

Megjithatë, në një njoftim të shpërndarë në 11 Nëntor, pra tre ditë pas mbylljes së afatit të tenderit, Sako njofton për anulimin e procedurës. Burime konfidenciale nga Bashkia e Durrësit deklarojnë për “Syri TV” se po rishqyrtohen disa prej kritereve kualifikuese, të cilat, me shumë mundësi, do të shtojnë kostot e ndërtimit të strukturës gjigande prej betoni.  Megjithatë, edhe fondi aktual, rreth 2.5 milionë euro, është vlerësuar shumë i lartë, për më tepër duke pasur në konsideratë faktin se financat e Bashkisë së Durrësit janë në një krizë të rëndë për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe efekteve të pandemisë nga Covid-19. Me këtë tender, i cili pritet të rihapet sërish, kostoja e Velierës arrin në rreth 10 milionë euro.

Për këtë projekt të Bashkisë së Durrësit, i nisur që në kohën kur qyteti drejtohej nga Vangjush Dako, ka pasur beteja të gjatë ligjore dhe shoqërore. Pak vite më parë, Gjykata administrative e shkallës së parë vendosi pezullimin e punimeve, pas një padie të organizatave të shoqërisë civile. Por, ky vendim u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila i hapi rrugë ndërtimit të strukturës me hekur e beton. Tashmë, çështja “Veliera” është në shqyrtim pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, pas një kallëzimi të shoqatave të ambientalistëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco