Paga dhe pensione të pamjaftueshme - Si shqiptarët prej vitesh kanë hyrë në një vorbull varfërimi

Paga dhe pensione të pamjaftueshme - Si shqiptarët prej vitesh kanë hyrë në një vorbull varfërimi

22:57, 10/11/2021
A+ Aa A-

Nga Pano Soko

Shqiptarët janë shumë të apasionuar pas debatit. Nëse shikon se kush janë eventet mediatike që marrin më tepër audiencë në publikun shqiptar, janë ato që kanë debat brenda tyre. Dhe mes tyre hierarkia vendoset nga niveli i intensitetit. Sa më i fortë, sa më i nxehtë, sa më shumë përplasje të ketë në debat, aq më i ndjekur është debati, d.m.th aq më i ndjekur është emisioni.

Duket se kemi një lidhje gati speciale me adrenalinën që prodhon debati. Dhe kjo nuk do të ishte një gjë e keqe, nëse nuk do të kishim parasysh një element tjetër, për mbajtjen e debatit. Qytetarët e Republikës, në një masë të madhe të tyre (nuk po them të gjithë, sepse patjetër që ka shumë njerëz që janë shumë selektivë në përzgjedhjen e ushqimit të tyre shpirtëror, por pjesa më e madhe po them) nuk i kushtojnë shumë rëndësi përmbajtjes së debatit, por thjesht formës.

Mjafton që të ketë debat, qoftë ky social, mes dy të panjohurish që për një arsye ende obskure për mua, parapëlqejnë që mospëlqimet, divergjencat, apo konfliktet mes tyre t’i zgjidhin në sy të publikut, apo të jetë një debat sportiv, artistik apo qoftë edhe politik (sidomos politik).

E kjo afëri e madhe me debatin si formë dhe jo si substancë, ka bërë që manipulimi i ndërgjegjes publike nga aktorë dhe faktorë që marrin apo ndikojnë në marrjen e vendimeve të marrë përmasa dominuese. Jepu thjesht një sherr në TV, s’ka rëndësi për çfarë çështje flitet, dhe të gjithë do të ngulen aty të shikojnë. Pak rëndësi ka përse ndodhi ky sherr, a ka apo s’ka lidhje me mua si individ, a më intereson apo jo, këto të gjitha shumëzohen me zero.

Dhe ky është një proces që misionin e vet e ka të largojë vëmendjen nga ato tema që duhet të ishin sot thelbi i debatit në Republikën tonë. Nuk është thjesht Rama që del me poture, apo Akademia e Barinjve karema psikologjike që terheqin vëmendjen. Është një industri e gjithë që tashmë është duke performuar me këtë qëllim, mbajtjen e vëmendjes larg çështjeve thelbësore, që vërtet duhen diskutuar.

Ja p.sh, kur ka qenë debati i fundit që ju keni ndjekur që ka folur për varfërinë në Shqipëri. Sesi Shqipëria po varfërohet. E mbani mend??? As unë... E pra Shqipëria po varfërohet vit pas viti dhe askush nuk flet për të. Por natyrisht gjejnë kohën të flasin për çdo gjë tjetër vetëm për çështje të tilla si pensionet, pagat, çimet, nuk flet askush. I gjen të përmendura nëpër rreshtat e debateve,nganjëherë të bërtitur dhe me të madhe madje, por gjithmonë thjesht në një formë që as nuk prekin e as nuk pjekin, askënd.

E pra sot do të flas për varfërinë. Se si shqiptarët prej vitesh kanë hyrë në një vorbull varfërimi që duket se nuk ka ndërmend të ndalojë së shpejti.

Dhe pikënisjen e mora nga dy shifra të publikuara së fundmi, një nga Eurostat dhe një nga BB, që tregonin që sot në Shqipëri 31% e popullsisë jetojnë në kushtet e varfërisë zyrtare, pra poshtë 5 dollarëve në ditë, ndërsa 51% e tyre janë aty në kufi, pra me 5 USD në ditë, apo 5.1 apo 5.2, thjesht diçka të vogël më shumë. Pra, zhveshur nga ekzaktësia e akullt e matematikës, më shumë se gjysma e popullsisë së vendit sot jeton në varfëri. Dhe kjo është shqetësuese.

Por e dini çfarë? Nuk më shqetëson më shumë shifra në vetvete, sesa më shqetëson tendenca e spirales së varfërimit që ecën e nuk ndalet.

Në tabelën në ekran ju shikoni ecurinë e pensionit mesatar në fshat dhe në qytet që nga viti 2015 e deri në vitin 2020, me të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave. Pensionet, sikundër mund ta dini, ndahen ne pensione urbane dhe rurale, ku këto të fundit janë më shumë si ndihmë ekonomike, sesa pensione. Nëse shikoni ne tabele, ndryshimi vjetor i pensioneve për te gjashta vitet kane qene shume shumë i ulët, gati qesharak. Sot që flasim një pensionist ne qytet merr mesatarisht 157 mije lek te vjetra pension, ndërsa një pensionist ne fshat merr 92 mijë lekë të vjetra në muaj pension. Që nga viti 2015 deri në vitin 2020, pensionet e qytetit janë rritur me vetëm 1147 Lek, pra me 11 mije lekë të vjetra, ne 6 vjet. Madje, nëse e shikoni, në vitin 2020 pensioni mesatar është ulur, pasi është rritur numri i personave qe përfitojnë pensione të ulëta dhe është ulur shumë numri i individëve që përfitojnë pensione të larta.

Gjithsesi akoma më tragjike është situata me pensionet rurale ku rritja që nga viti 2015 ka qenë vetëm 8400 lekë të vjetra. Vetëm 8400 lekë rritje pensioni në 6 vjet. Pra në gjashtë vjet, nuk ua kemi rritur pensionin as për të blerë një kile mish, as një kile mish nuk blejnë dot.

E njëjta situatë është edhe nëse shikojmë se si ka ecur paga mesatare. Siç mund ta shikojnë dhe ne tabelën në krah, paga mesatare, sipas INSTAT në vitin 2015 paga neto (pra gjithmonë krahasimi bëhet me pagën neto, me atë që individi çon tek shtëpia e vet) ka qenë 40 201 Lekë, ndërsa pas 6 vitesh ajo ka shkuar 44’576 Lek ne 2020. Pra qe nga viti 2015 paga është rritur me 43 mije lek te vjetra. Mesatarisht është rritur me 7 mije lek ne vit, ose gati 5.5 Euro rritje të pagës mujore për çdo vit. Siç edhe mund ta shikoni madje, ne 2016 paga mesatare ka pësuar dhe një rënie për shkak te uljes se numrit te punonjësve qe merrnin paga te larta dhe shtimi i te punësuarve qe merrnin paga minimale.

Po ashtu edhe pjesa e administratës shtetërore. Shiko, ne konceptin e gjere popullor, administrata publike lidhet ne mënyrë gati automatike me pushtetin, me partine dhe pikturohen ne tablo sikur jane te gjithë te korruptuar, te favorizuar etj.. Por unë nuk jam dakord. Nga 160 mije punonjësit e administratës publike, jane 20-30 mije ata qe korruptojnë, korruptohen, favorizojnë apo favorizohen, te paafte, te pamerituar qe ua gjen dhe ngroh partia vendin e punes. Dhe keta kryesisht i gjen ne kupolat drejtuese. Por ngaqë jane shume te zhurmshëm dhe bejne gjera qe na prekin apo na cenojnë te gjithëve, krijohet kjo bindja e përgjithshme qe jane te gjithe ashtu. Jo, une nuk jam dakord, nuk jane te gjithe. Përveç atyre, 130-140 mije te tjerët jane njerëz te ndershëm, familjare qe punojne per familjet e tyre dhe që çojnë rrogën te fëmijët.

Dhe pavarësisht se shumë pak flitet për të, kryesisht per shkak te afilimit qe i behet administratës me pushtetin, situata është njelloj dramatike. Kjo qe shikoni ne ekran eshte ecuria e pagave ne nivelet e ulta te administratës publike, sipas INSTAT. Pra ketu nuk jane perfshire rangjet e larta drejtuese, vetem te ultat. Dhe po te shikoni, qe nga viti 2015 administrates publike i eshte rritur paga me vetem 46 mije lek ne 6 vjet, apo rreth 7 mije lek rritje te pages mujore cdo vit. 4 bidone qumesht dhe nje gote kos. Kaq e kemi rritur pagen e punonjesve.

Gjithsesi, kjo është një fotografi e situatës qe tregon nivelin e gjendjes ne nje moment te caktuar. Per te kuptuar tendencen do te duhet qe ecuria e pagave te krahasohet me ecurine e çmimeve. Sepse duhet kuptuar qe kur varferohet ekonomikisht nje shoqeri? Kur rritja e pagave, pensioneve rriten me pak nga sa rriten çmimet. Nese pagat dhe pensionet rriten me shume sesa çmimet, atëherë themi që shoqëria po prosperon, pra po bën progres, po bëhet më e pasur.  

Tani, shtresat për të cilat po flasim janë shtresat te mesme e poshtë te popullsisë. Natyrisht qe pjesa me e madhe e shpenzimeve te tyre mujore i dedikohet ushqimit, bukës, ujit, orizit, zarzavateve, frutave etj. Dhe natyrisht qe krahasimi i ndryshimit te pagës se tyre, do te duhet te krahasohet me se shumti me ndryshimin e çmimit te këtyre artikujve, pra atyre ushqimore.

Dhe unë për reference kam marrë nga INSTAT të dhënat e ecurisë se çmimeve ne zërat e Frutave dhe Perimeve qe nga viti. Siç mund ta shikoni, rritja e çmimeve ka qene goxha e majme. Ndërsa siç i pamë më parë, pensionet dhe pagat mezi rriteshin nga 1%, nga 2% apo në disa raste dhe pësonin rënie nga njeri vit ne tjetrin, këtu rritja ka qene galopante, me deri ne 15% apo dhe 17% rritje ne vit, na tregon INSTAT.

Pikë së pari, për të pasur një ide të përgjithshme, le të krahasojmë nominalisht rritjet respektive në 5 për të gjitha kategoritë.

Siç mund ta shikoni ne ekran, ne vitin 2016, frutat u rriten me 17.4%, perimet u rriten me 11%, ndërkohë qe nga krahu tjetër paga mesatare u ul me 0.7%, pensioni ne qytet u rrit me 2%, ai ne zonat rurale u rrit me 2.7% dhe paga e administratës u rrit me 2%.

Ne vitin 2017, çmimet e frutave u rriten me 11.3%, perimet u rriten me 11.5%, paga mesatare u rrit me 2.7%, pensioni mesatar ne qytet u rrit me 4.4%, ai ne zonat rurale me 2.9% dhe paga mesatare e administratës u rrit me 2.4%.

E kështu me radhë...

Pra duket qarte qe çmimet kane fluturuar si lepuri dhe pagat e pensionet si breshka. Vetëm se këtë radhë, fabula e përrallës qe breshka ia kalon lepurit, vështirë se ndodh. Breshka ia kalon lepurit vetëm në përralla.

Gjithsesi shume prej jush ndoshta nuk janë familjare me keto %, iu duken shume te komplikuara. Prandaj për ta pasur me te qarte, unë u mundova te përgatis nje krahasim qe te isha sa me i kuptueshëm për ata qe nuk duan % por me vlera me te zakonshme. Dhe pike se pari mesatarizova rritjen e frutave dhe perimeve dhe i integrova ne nje indeks te vetëm “Fruta-Perime”.

Dhe po e nisim me pensionet ne qytet. Ne vitin 2016, kur pensioni mesatar ne qytet u rrit me 100 Lek, çmimet e fruta perimeve u rriten me 700 lek. Ne 2017 kur pensioni mesatar u rrit me 100 lek, çmimet u rriten me 250 Lek, Ne vitin 2018 kur pensioni u rrit me 100 Lek, çmimet u rriten me 409 Lek. Ne vitin 2019, kur pensioni u rrit me 100 lek, çmimet u rriten me 333 Lek dhe ne 2020 qe është edhe viti me i keq, pensioni mesatar u ul. Pra kur pensioni mesatar u ul me 100 lek , pra kujdes jo rritje po ulje e pensionit mesatar, çmimet e fruta perimeve u rriten me 313 Lek.

Pra siç duket qarte, çmimet e kanë superuar rritjen e pensioneve çdo vit, madje disa fish, jo thjesht ne disa përqind, por ne disa fish. Duke pasur parasysh qe pensionistet pensionin e shpenzojnë kryesisht per fruta-perime, pra për ushqim, ky është tregues i rritjes se varfërisë ne mënyrë eksponenciale.

Por qe te vazhdojmë më tej. Kjo është dhe ecuria e krahasuar e pagës mesatare dhe çmimeve te fruta perimeve. Siç e shikoni ne vitin 2016, kur paga mesatare u ul (pra kujdes u ul) me 100 lek çmimi i krahasuar i fruta perimeve u rrit me 960 lek. Ne 2017, kur paga mesatare u rrit me 100 lek, çmimet u rriten me 416 lekë... e kështu me radhe siç mund ta shikoni dhe vete. Edhe ne këtë rast çmimet e krahasuara kane superuar rritjen e pagës mesatare me disa fish duke varfëruar këdo qe frutat dhe perimet i zënë një pjese të rëndësishme të shpenzimeve mujore.

Dhe e njëjta panorame paraqitet edhe ne rastin e pensioneve ne zonat rurale, apo ne rastin e pagës mesatare te nivelit te ulet ne administratën publike. Pra kemi çmimet e fruta-perimeve qe superojne disa fish rritjet e pensioneve apo pagave vjetore.

Këto raporte mes % se rritjes se çmimeve dhe pagave dhe pensioneve ruhen dhe ne komponente te tjerë. Pra pensionet u rriten me 6% apo me 8% ne 6 vjet, ndërkohë qe ushqimet (makarona, oriz, miell, sheqer etj..) për të njëjtën periudhe u rriten me 20%, pra 2-3 here me shume. E njëjta gjë dhe me tej, Kur paga mesatare u rrit 10% ne 6 vjet, me ujin e ujësjellësit fatura u rrit me 45%, apo energjia elektrike me 20%. Ne çdo rast krahasimor, çmimet gjate kësaj periudhe kane superuar disa fish rritjet e pagave apo pensioneve. Dhe kjo është varfëri. Shtresa e popullsisë qe unë iu referova qe përfshinte personat me page te mesme te ulet, pensionistët apo administratën e ulet, janë le të themi pjesa magjistrale e shoqërisë, me 90%+ te numrit te familjeve. Pra ata janë shoqëria dhe shoqëria po varfërohet.

Po kush e ka shkaktuar këtë?

Arsyet janë nga me te ndryshme, por qe unifikohen ne një pike. Ekonomia. Nëse duam qe te kemi paga te larta, pensione te larta, duhet te rrisim ekonominë. Sa me shume rritet ekonomia, aq me shumë rriten pagat, aq më shumë rriten sigurimet shoqërore, aq me shume rriten taksat ne buxhet, aq me shume rriten pensionet, pagat e administratës. Po ne e kemi lënë ekonominë te degradoje. Ekonominë e rrisin investimet, po ne s’kemi pasur investime te mëdha te reja, ohuu qëkur s’mbahet mend.  

Pse nuk vijnë investitorët? Sepse këtu ka shumë korrupsion, nuk ka gjykata, krahu i punës i kualifikuar është larguar dhe po largohet nga vendi, toka nuk merret vesh kujt i takon. Pra shkurt, sepse ky vend ngjan më shumë me një han sesa me një Republikë.  

Qeveria ka rritur borxhin gati 3-fish krahasuar me atë qe gjeti kur erdhi ne pushtet, po te përfshijmë dhe koncesionet. Këto lekë supozohet qe te përdoreshin për të rritur ekonominë e me pas te rriteshin pagat e pensionet. Por nuk ndodhi. Pse? Pse borxhi u rrit me 200% dhe pagat e pensionet u rriten me 8%? Ku shkuan leket? U futen ne xhep. Shume pak prej tyre u futen ne ekonomi, pjesa me e madhe u futen ne xhep apo ne offshore. Prandaj ekonomia as e ndjeu fare hyrjen e sasive kaq të mëdha të parasë, sepse ato s’u futën në ekonomi, ato u futen ne llogari bankare.

Ekonomia nuk rritet sepse njerëzit po ikin. Kush do ta rrisë ekonominë e një vendi, përveçse shtetasve të vet. E kur këta shtetas ikin, atëherë s’mbetet njeri të rrisë ekonominë.

Ekonomia nuk rritet sepse këtu korrupsioni rrëmben çdo gjë që mund të rriste ekonominë. Korrupsioni është shkaktari kryesor i gjendjes ku jemi sot. Korrupsioni 30-vjeçar. Para që ikin nga qarkullimi dhe shkojnë nëpër xhepa individësh.

Ekonomia nuk rritet, sepse në vend që shteti të ndihmojë produktet e prodhuara në vend, prodhuesit vendas, thur makinacione që të varrosë prodhimin vendas dhe i hap rrugën prodhimeve të huaja që e nxjerrin paranë jashtë vendit.

Ekonomia nuk rritet sepse këtu prona është ende e asnjërit dhe e disave. Ne nuk zgjidhëm dot çështjen e pronës, vajtëm 30 vjet. Edhe këtë për shkak të korrupsionit politik të të gjitha krahëve.

Ekonomia nuk rritet sepse ne nuk arritëm asnjëherë të ndërtojmë një sistem arsimor që i përgjigjet tregut.

Studentët mbarojnë shkollën dhe punojnë kamerier në më të mirën e rasteve...

S’ka shteti lek të rrisë pensionet e pagat e administratës. Natyrisht, sepse po të tenderosh një rrugë me 20 milionë euro/km s’të mbeten lek për pensione…

E keqja është që e keqja nuk po ndalet dhe varfëria po gllabëron një e nga një shqiptarët, derisa t’i marrë të gjithë...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco