VIDEO/ Beteja e jahteve në Kuvend kundër 3 taksave të reja, Çipa: Ja përfitimet që ka turizmi shqiptar prej tyre

VIDEO/ Beteja e jahteve në Kuvend kundër 3 taksave të reja, Çipa: Ja përfitimet që ka turizmi shqiptar prej tyre

12:35, 09/11/2021
A+ Aa A-

Jahtet turistike, biznesi për turizmin VIP, po rrezikon të jenë viktimat e radhës së Paketës Fiskale 2022. Këto ditë, përfaqësuesit e tyre janë duke debatuar fort me deputetët në Komisionin e Ekonomisë, për të mos lejuar vendosjen e tri taksave mbi këtë shërbim të ri që i ka sjellë të ardhura të ndjeshme sektorit.

Arben Çipa, kryetar i Industrisë së Turizmit dhe Operatorëve Turistikë Detarë argumentoi sot në “Kafe Shqeto” për gazetarët Dori Daka dhe Flavio Qarri, se përse nuk duhen vendosur tri taksat që lidhen me furnizimin e jahteve.

Kujtojmë se ky biznes sapo është fuqizuar duke arritur në 1020 jahte në sezon dhe përfitimet për shtetin dhe operatorët janë disa herë më të larta krahasuar me grupet turistike.

Çipa tregoi se shpenzimet e një jahti në portet shqiptare fillojnë nga 3 mijë euro deri në 8 mijë euro, të ardhura neto këto e në rast se ky shërbimi do të goditet me  taksat e parashikuara në Paketën Fiskale 2022, do të duhen 7-10 vjet  maksimumi për t’i rikthyer këto mjete luksoze lundrimi, pasi kjo lloj industrie është shumë sensibël dhe nuk vepron sipas vendimmarrjeve të politikave sekondare.

INTERVISTA E PLOTË ME Z. ARBEN ÇIPA:

Flavio: Z. Çipa, po flasim më shumë në “Kafe Shqeto” se në komisionet parlamentare, për ato që duhet të ishin debate për Paketën Fiskale 2022. Duket se nuk është lënë jashtë tentativave makute edhe industria juaj për të cilën është mburrur kjo qeveri në dy mandatet e shkuara. Cila janë rreziqet që paraqet për ju, Paketa e re 2022?

Çipa: Në fakt në “Kafe Shqeto” do t’i themi shqeto problematikat, që duhet të dëgjohen në veshin e qeverisë apo të atyre që vendosin për politikat e turizmit.  Vetëm para 3 ditësh kemi pasur një interpelancë me Komisionin e Ekonomisë në lidhje me një problem që nuk është finalizuar, por po i paraprijmë kësaj, me qëllim mos shtimin e tre taksave të reja që lidhen me taksat që i referohen furnizimit të jahteve.

Po ç’punë kemi ne si operatorë me jahtet dhe me karburantet?! - Kjo do të ishte pyetja juaj e radhës. Ne në fakt nuk jemi përfaqësues të hidrokarbureve, por jemi përfaqësues të Industrisë së Turizmit, e cila ka shumë hallka që lidhen edhe me hidrokarburet. Pra, për t’u bërë konkret dhe të kuptueshëm: nëse në vitin 2015, kur u votua ligji për dhënien e karburanteve pa akcizë, ky ishte vendim i drejtë që solli dhe rezultatet, ishte fenomen i ri.

Në 2016-ën, numri i jahteve u shtua 110-120% pak a shumë.  Dhe në vitin 2021, vit ku vazhdon të jetë pandemia, numri i jahteve arriti në 1020 për sezon dhe vazhdon. Kjo padyshim falë politikave të karburantit pa akcizë.

Por, nëse pyesni, çfarë roli luan kjo për turizmin, nuk është fakti që ato vijnë vetëm për karburant dhe largohen. Dhe në fund të fundit, edhe sikur kështu ta shihnim, humbje nuk kemi; ndoshta fitimi i marzhit është modest, por nuk kemi humbje.

Në krahun tjetër kemi fitime pa dyshim. Së pari, jemi koshient të gjithë që realiteti i turizmit shqiptar në botën perëndimore është jo i qartë dhe i pastër, pasi ne jemi identifikuar si destinacion turistik, por jo nga të gjitha tregjet e hapura. Në këtë kuadër, këto pesë vite kanë luajtur rol pozitiv në një kategori klientele që do t’i quaj VIP dhe janë VIP. Ka luajtur një rol pozitiv në ndryshimin e imazhit të porteve ku jahtet mbërrijnë.

E dyta, është një zinxhir i tejzgjatur i shërbimeve që mbahen nga kjo lloj industrie duke filluar nga agjencitë detare, agjencitë e transportit, shumë hallka të tjera që quhen piloti, kapiteneria që janë taksa të detyrueshme dhe pa përjashtuar rastet kur shumë klientë që quhen VIP (pasi kjo kategori është kategori e VIP-ave) kërkojnë për të organizuar një tur, qofte edhe ditor dhe këto ture paguhen në shuma, shumë herë më serioze se sa një grup turistik. Pra, kjo politikë e hidrokarbureve lidhet direkt me shërbimet turistike.

Dori: Cilat do të ishin humbjet që do t’i vinin PBB të vendit nga kjo masë që është duke u diskutuar për t’u marrë?

Arben Çipa:  Një parantezë ju lutem: nëse një jaht që mbërrin në portin e Durrësit apo të Sarandës a Vlorës, shpenzimet e tyre në bazë të kapacitetit ose gjatësisë më saktë, fillojnë nga 3 mijë deri në 8 mijë euro. Këto janë shpenzime neto, që do të thotë se nuk kemi kosto të tjera, përjashtuar këtu hidrokarburet. Çështja e hidrokarbureve është tjetër, ka çmim tjetër, kurse ne po flasim për shërbimet që nga momenti që mbërrin në port deri në momentin që largohet. E nëse bëhet fjalë për 1020 jahte në sezon, llogariteni të paktën me një mesatare prej 5 mijë euro dhe e kuptoni se këto janë të ardhura neto pa asnjë lloj kostoje.

Tani, cilat janë këto lloj taksash që planifikohen?!

Sa i përket taksave që planifikohen dhe unë besoj se nuk do të përfundojmë tek kjo vendimmarrje, është Taksa e Akcizës. Në fakt nafta, që mund ta quajmë hiodrokarbur tranzit, për arsye se kjo depozitohet dhe kalon direkt në shërbimin e jahteve, nuk ka akcizë, është duty free si në çdo vend të vend të botës. Janë modele që i kemi marrë nga shtetet, nuk kemi shpikur; ne aplikojmë praktika të njohura në botë shumë herët; e para kjo. E dyta, kërkohet të aplikohet një Taksë e Qarkullimit me 27 lekë të vjetra. Po ku ka qarkullim në këtë rast? Nuk ka, prandaj dhe pika e dytë mbështet të parën...

Flavio: Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë është nesër. Ky moment që ju po shpenzoni me ne është informim dhe pjesë e lobingut e lutjes për arsyetim të pushtetarëve aktualë, përfshirë dhe opozitën. A kanë ata qasjen e mjaftueshme për të dëgjuar sugjerimet e grupeve të interesit, aktorëve e faktorëve siç jeni ju?

Çipa: Përshtypja ime gjatë interpelancës ishte se informacion total dhe të hollësishëm ata nuk kanë pasur. Dhe mendoj se po atë ditë me shpjegimet në detaje dhe me politikat mikro dhe makroekonomike, mendoj se u bë e qartë dhe ishte e shumë e nevojshme, ndaj na u dha një dritë jeshile në besimin tonë se kjo nuk do të ndodhë. Gjithsesi ne ju falenderojmë juve për mundësinë që po na jepni se sensibilizojmë grupin e ekonomisë po dhe hallka të tjera të interesuara.

Flavio: Një mesazh të fundit?

Çipa: Mesazhi i fundit dhe i qartë është, në rast se ndodh dhe merret një vendim i kësaj natyre, jahtet do t’i rikthehen destinacioneve të hershme dhe ne do të kërkojmë të paktën 7 -8 apo 10 vjet vjet maksimumi për t’i rikthyer këto jahte, pasi kjo lloj industrie është shumë sensibël dhe nuk vepron sipas vendimmarrjeve të politikave sekondare.

Dori: Këto vendime që priten të merren ku bazohen nga ata (deputetët)?

Cipa: Kemi përshtypjen se nga fakti që panë një lëvizje e cila siguron të ardhura, mendoj se tentojnë ta shfrytëzojnë këtë, por mënyra e shfrytëzimit nuk i nxjerr aty ku destinacioni na pret dhe ku do të jetë e mira e gjithë destinacionit shqiptar për jahtet.

Flavio: Dhe sidomos po të kemi parasysh konceptin që njerëzve të pasur vetëm tek paratë nuk ia hedh dot, do të jetë shumë e vështirë për t’u vjelë taksa jahteve.

Çipa: Në çdo vend të botës, kur bëhet fjalë për shërbime të kësaj natyre, ingranohet qeveria dhe politikat konkuruese përballë shteteve të tjera dhe i kthejnë ballin shërbimeve të kësaj natyre. Ndërsa ne i kthejmë shpatullat dhe të mos them më poshtë, këtij lloj shërbimi...

Dori: Kam përshtypjen që vazhdojmë të mbetemi vend me mendësi komuniste dhe në ekonomi.

Çipa: Unë e kam arritur edhe sistemin komunist po do të thosha se këto janë politika të reja dhe mirë është që këshilltarët e duhur për këto politika apo vendimmarrje të jenë ata që janë profesionistë./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco