VIDEO-SYRI TV/ Bizneset nuk rikuperojnë humbjet, arkëtohen 20 milion euro më pak

VIDEO-SYRI TV/ Bizneset nuk rikuperojnë humbjet, arkëtohen 20 milion euro më pak

15:07, 19/10/2021
A+ Aa A-

Pas dy goditjesh me tërmetin dhe pandeminë, bizneset shqiptare ende nuk kanë rikuperuar humbjet financiare. Të dhënat e ministrisë së financave tregojnë se të ardhurat nga tatim fitimi janë 20 milion euro më pak për 9 mujorin, krahasuar me vitin 2019 kur ekonomia ishte e hapur.

Nga Syri Tv

Pavarësisht se ekonomia shqiptare ka filluar t’i rikthehet normalitetit pas goditjes që mori nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia Covid 19,  ku të ardhurat në arkën e shtetit për periudhën Janar-Shtator janë në tejkalim të planit, duket se bizneset ende nuk e kanë rimarrë veten siç duhet. Sipas treguesve fiskale të publikuar nga Ministria e Financave, tatimi mbi fitimin, që është tregues direkt i performancës ekonomike të një biznesi është realizuar në masën 24.8 miliardë lekë.

Në krahasim me vitin e kaluar, ku ekonomia u mbyll për një periudhë kohe dhe qytetarët ishin nën efektin e masave kufizuese anticovid, rritja rezulton me 4.9 miliardë lekë, ose 24.3% më shumë se 9-mujori 2020, çka është normale për shkak se këtë vit ekonomia u hap totalisht. Por po ta krahasojmë me 2019 i cili ishte një vit normal për bizneset, ka një rënie të ndjeshme të të ardhurave nga fitimi i tyre prej 2.4  miliardë lekësh apo rreth 20 milionë eurosh.

Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton se sektori i shërbimit ka pasur rritje 27% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2020, si rrjedhojë e mos aplikimit të masave anticovid gjatë sezoni turistik, gjë që nxiti qytetarët shqiptarë por edhe të huaj që të pushonin në vendin tonë, si dhe sektori i ndërtimit me rritje 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, duke qenë se nuk ka pasur asnjë kufizim për shkak të pandemisë, ku puna ka vijuar normalisht dhe numri i lejeve të dhëna është rritur.

Por me gjithë ndikimin që kanë dhënë këto sektorë në rritjen e të ardhurave, sërish ato nuk janë në nivelin e vitit 2019, dhe duket se peshën e kanë mbajtur kryesisht bizneset e tjera, që kanë vijuar të vuajnë pasojat e pandemisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco