Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës

Rindërtimi, deri në gusht u realizua vetëm 53% e programit

Rindërtimi, deri në gusht u realizua vetëm 53% e programit

07:21, 22/09/2021
A+ Aa A-

Në dy vitet e fundit nëpërmjet buxhetit të shtetit qeveria ka ofruar një paketë të konsiderueshme për rindërtimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019, por alokimi i fondeve ka qenë i vakët dhe shumë larg planifikimeve edhe vitin e kaluar, por edhe ketë vit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave gjatë 8- mujorit 2021 fondet e çelura për rindërtimin ishin 15,7 miliardë lekë ose sa 53 për qind e planit vjetor prej 28 miliardë lekësh shumë poshtë planit të periudhës prej18 miliardë lekësh.

Alokimet mujore të 2021 tregojnë se, nga fondet e shpenzuara në 8 mujor për riparimin e pasojave të tërmetit, 26% ( 3.9 miliardë lekë) u përdoren në muajin prill në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Edhe vitin e kaluar qeveria planifikoi të investonte në programin e rindërtimit 28 miliardë lekë, por në realitet u shpenzuan pak më shumë se 16 miliardë ose rreth 60 për qind e planit vjetor.

Ndryshe nga zërat e tjera të shpenzimeve, fondet e rindërtimit do të mbartën vit pas viti në buxhetet pasardhëse deri sa të realizohen të gjitha investimet e programuara.

Shumica e projekteve të mëdha po ndërtohen me donacione, teksa qeveria e ka rritur borxhin publik pikërisht për financimin e programit. Në fondin total të rindërtimit mungon transparenca se sa fonde janë nga donatorët dhe sa nga burimet e brendshme buxhetore.

Ndër projektet më të mëdha janë ndërtimi i 524 apartamenteve në Kurbin nga qeveria turke, ndërtimi i 2000 apartamenteve në Durrës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërtimi i 22 shkollave në fazën e parë dhe rreth 40 në fazën e dytë nga Komisioni Europian etj.

Në 26 Nëntor 2019, Shqipëria u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.3 i shkallës Rihter, më i madhi i regjistruar në vend në 30 vitet e fundit.

Si pasojë e fatkeqësisë, mbi 202 mijë njerëz u ndikuan në mënyrë direkte dhe indirekte. Tërmeti shkaktoi 51 viktima dhe 913 të plagosur. Për më tepër, më shumë se 17 mijë njerëz u zhvendosën nga vendbanimet ekzistuese për t’u strehuar në struktura të përkohshme, e më pas në banesa me qira .

Pasojat e tërmetit u shtrinë në hapësirën e 11 bashkive, përfshirë dy më të mëdhatë ë të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Ndër bashkitë më të prekura ishin gjithashtu Shijaku, Kruja, Kamza, Kavaja, Kurbini, Lezha, Rrogozhina dhe Mirdita.

Në të njëjtën kohë, dëmi ekonomik nga tërmeti sipas raportit të detajuar të vlerësimit, të hartuar nga Banka Botërore, Komisioni Europian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, rezultoi në vlerën mbi 1.1 miliardë lekë sa 7.7 % të prodhimit të Brendshëm Bruto.

Procesi i rindërtimit përfshin, programin e zhvillimit të objekteve të reja, programin e rindërtimit të infrastrukturës publike, programin e krijimit të fondit të banesave, programin e granteve të rindërtimit dhe programin e masave të rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike./B.Hoxha/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco