Në 9 muaj/ Mbi 7 mijë biznese ‘ulin qepenin’ në Shqipëri

Në 9 muaj/ Mbi 7 mijë biznese ‘ulin qepenin’ në Shqipëri

14:22, 07/09/2021
A+ Aa A-

Mbi 7 mijë biznese kanë ulur zyrtarisht qepenët në 9 muajt e parë të këtij, ku një ndikim kryesor ka pasur pandemia e COVID-19.

Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të përditësuara më 7 Shtator, rezultojnë 7097 biznese të cilat janë transferuar në Regjistrin Pasiv.  Duket se edhe ky vit po pason 2020-ën në këtë drejtim, ku  në total 9584 subjekte u transferuan nga administrate tatimore nga Regjistri Aktiv në Regjistrin Pasiv.

Sipas legjislacionit në fuqi, një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; apo deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore. Në regjistër janë të pasqyruara të gjitha bizneset që nga viti 1991 e më tej, që kanë marrë status pasiv.

Numri total i subjekteve të listuara aktualisht arrin në rreth 133 mijë, ku kryeson Tirana, e ndjekur nga Durrësi, e më pas Vlora.  Qëllimi i publikimit të kësaj liste është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv.

‘Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj’, thekson Administrata Tatimore./Scan

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco