VIDEO NGA SYRI TV/ Bankat i kthehen PPP-ve, kredi 26 milionë € për shoqërinë ‘Orikum-Llogara’

VIDEO NGA SYRI TV/ Bankat i kthehen PPP-ve, kredi 26 milionë € për shoqërinë ‘Orikum-Llogara’

15:46, 26/08/2021
A+ Aa A-

Bankat shqiptare i kthehen PPP-ve. Tre banka tregtare shqiptare kanë financuar një kredi prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare ‘Orikum-Llogara’, në pronësi të kompanisë ‘Gjikuria’. Kredia në fjalë është kredia më e madhe e dhënë nga sektori bankar shqiptar në dy vitet e fundit.

Nga SYRI TV

Sektori bankar ne vend I rikthehet ppp-ve. Tre banka tregtare shqiptare kanë financuar një kredi të përbashkët prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare ‘Orikum-Llogara’.

Sipas Revistes Ekonomike Monitor tre bankat financuese të projektit janë banka Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank. Kredia është aprovuar që në muajin mars të këtij viti, ndërsa disbursimet kanë nisur së fundmi.

Ajo do të ketë një afat maturimi 10 vjeçar dhe një normë minimale interesi prej 6% në vit. Kredia në fjalë është kredia më e madhe e dhënë nga sektori bankar shqiptar në dy vitet e fundit. Shoqëria ‘Rruga Orikum–Llogara’ u themelua në fund të vitit 2018, me aksioner të vetëm kompaninë e ndërtimit ‘Gjikuria’ dhe ka si objekt të aktivitetit ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor ‘Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)’.

Rruga ka një gjatësi prej afërsisht 15 kilometrash dhe pritet t’i kushtojë buxhetit rreth 10 miliardë lekë (sipas listës së investimeve bashkangjitur buxhetit 2021), që do të paguhen përgjatë 13 viteve.

Gjatë një inspektimi të kryer në muajin prill të këtij viti, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se, deri në atë moment, ishte realizuar rreth 13% e volumit të përgjithshëm të punimeve. Kjo rrugë ishte një nga projektet e partneritetit publik privat të shpallura si pjesë e paketës ‘1 miliardë euro’.

Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrë vetë përsipër rrezikun e kredisë. Pavarësisht nga kjo, sektori bankar ka ofruar tashmë përsipër financime të konsiderueshme në projektet e PPP-ve në infrastrukturë. Projekti më i rëndësishëm i PPP-ve në ndërtimin e rrugëve është ai Rrugës së Arbrit, për një vlerë totale prej afërsisht 40 miliardë lekësh.

Ky projekt po mbështetet me një kredi të konsiderueshme nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT). Në gusht të vitit 2018, BKT miratoi një hua prej 9.5 miliardë lekësh te kompania ‘Gjoka 87’, kompania që po zbaton projektin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit përmes një kontrate PPP-je me qeverinë shqiptare.

Në vitin 2017, BKT gjithashtu ka miratuar gjithashtu një kredi prej 28.5 milionë euro te ‘Albania Highway Concession’, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. Në të gjitha rastet e mësipërme, garancitë kryesore e dhënë nga huamarrësit janë vendosja e barrës siguruese mbi aksionet e kompanive, si edhe mbi llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave nga këto shoqëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco