Tatimet: Pas 1 shtatorit, faturat e pafiskalizuara do të jenë të pavlefshme

Tatimet: Pas 1 shtatorit, faturat e pafiskalizuara do të jenë të pavlefshme

07:29, 25/08/2021
A+ Aa A-

Nga 1 shtatori pritet të nisë zbatimin faza e tretë e fiskalizimit për bizneset që lëshojnë transaksione me para në dorë për konsumatorin.

Numri total i bizneseve aktive që do të përfshihen në tre fazat e fiskalizimit sipas të dhënave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve (DPT) është rreth 120,000. Në fazën e tretë është grupi i fundit i subjekteve që do të përfshihen në proces. Numri total i tatimpaguesve që pritet të kryejnë procesin e fiskalizimit nga 1 shtatori është rreth 90,000 subjekte të biznesit të vogël (BV), një pjesë e të cilëve tashmë janë fiskalizuar dhe lëshojnë fatura.

Sipas të dhënave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve (DPT) deri më 18 gusht janë fiskalizuar 20,927 biznese dhe janë lëshuar mbi 16 milionë fatura të fiskalizuara. 46% e subjekteve të fiskalizuara janë të vogla. Nga totali i bizneseve që pritet të fiskalizohen 18% e tyre ka nisur faturimin e ri.  Rreth 46,000 tatimpagues janë pajisur me certifikate elektronike, si një ndër kushtet e domosdoshme për fiskalizimin, sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Bazuar te ecuria e deritanishme e fiskalizimit, kontabilisti Sotiraq Dhamo tha për Monitor se nga 1 shtatori procesi është i parealizueshëm. “Duke u nisur nga të dhënat e tatimeve për fiskalizimin e plotë të 20,927 bizneseve është e pamundur që rreth 100,000 biznese e mbetura, të fiskalizohen për 7 ditë. Numri i bizneseve që kanë marrë certifikatën e sigurisë është treguesi kryesor se sa prej tyre kanë hyrë në rrugën e fiskalizmit. Këto të dhëna tregojnë se ende ka edhe biznese të mëdha të pafiskalizuara. Sakaq edhe biznesi i vogël duhet të kishte nisur fiskalizimin, pasi transaksionet e blerjes (furnizimin) e kryen me bizneset e mëdha, ndërsa në shitje detyrimi për faturat e fiskalizuara nis nga 1 shtatori. Bazuar të shifrat zyrtare mendoj se procesi është i parealizueshëm deri më 1 shtator”, nënvizon z. Dhamo.

Tatimet: Pas 1 shtatorit faturat e pafiskalizuara nuk do të jenë të vlefshme

Konfuzioni te procesi i fiskalizimit pritet të shtohet me përfundimin e afatit të lejuar për përdorimin e blloqeve tatimore që është 31 gushti 2021, ndërsa 15 gusht 2021 ishte afati i fundit i lëshimit të tyre nga DPT.  Po si do të ndërveprojnë bizneset e pafiskalizuara me  ato të fiskalizuara me përfundimin e afatit të përdorimit të dokumentacionit tatimor ekzistues që është deri në datën 31.08.2021. Drejtoria e Përgjithme e Tatimeve tha për Monitor se pas 1 shtatorit faturat e pafiskalizuara nuk janë të vlefshme.

“Përmbushja e detyrimeve që burojnë nga ligji është detyrim për të gjitha subjektet e ligjit. Të gjithë subjektet tatimpagues që mbartin detyrimin të lëshojnë fatura, me hyrjen e plotë në fuqi të ligjit do të duhet të lëshojnë vetëm fatura të fiskalizuara. Për efekte fiskale pas datës 1 Shtator nuk do të jenë të vlefshme faturat e tjera (jo të fiskalizuara) përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në ligj. Duke qenë se ky proces është një proces i ri, administrata tatimore ka garantuar suportin dhe mbështetjen për çdo subjekt tatimpagues si para fillimeve të efekteve të ligjit edhe në vijim, duke garantuar edhe mosndëshkueshmërinë e rasteve të kundërvajtjeve të konstatuara të cilat rezultojnë të paqëllimshme apo që kanë ardhur jo për faj të tatimpaguesit. Gjithsesi, është detyrim ligjor për çdo tatimpagues që të angazhohet dhe të marrë masat e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore”, nënvizuan tatimet.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo shpjegon se thelbi i i sqarimit që ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është se nga 1 shtatori dhe më pas nuk do të njihen më si shpenzime faturat e pafiskalizuara.  “Nëse një subjekt bën një blerje dhe nuk është faturë e fiskalizuar nuk do të pranohet nga tatimet, ose për çdo transaksion shitjeje që subjekti do të kryejë nuk do t’i njihet fatura nëse nuk e fiskalizon. Nëse kjo është e realizuaeshme ose jo nuk mund ta them me siguri, pasi në periudhën korrik-gusht të gjithë ishim dëshmitarë që ka pasur shumë raste për mos kryerje të transaksioneve. Kjo për arsye të mosfunksionimit të sistemit dhe se kompanitë që ofrojnë zgjidhjet software nuk ishin gati për të gjitha shërbimet. Për mosnjohjen e faturave të pafiskalizuara nga 1 shtatori, së pari tatimet duhet të vërtetojnë nëse kompanitë e certifikuara për zgjedhjet softëare i kryejnë të gjithë veprimet që i nevojiten biznesit për fiskalizimin, me qëllim që të mos krijohen probleme. Së dyti, duhet të këtë një informacion nëse të gjitha subjektet që kanë detyrimin të fiskalizohen kanë marrë certifikatën e sigurisë nga AKSHI, pasi ishin me mijëra në fund të muajit korrik që duhet të aplikonin për certifikatën”, shton z. Dhamo.

Efektet e mosnjohjes të faturave të pafiskalizuara

Mosnjohja e faturave të pafiskalizuara pas 1 shtatorit do të rrisë informalitetin dhe deri të mbylljen e bizneseve të vogla. Për këto arsye kontabilisti Dhamo propozon shtyrje të afatit për njohjen e faturave që nuk fiskalizohen. “Në këtë situatë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të shtyjë sërish afatin e njohjes së faturave të pafiskalizuara, sepse subjektet e vogla do të kenë shumë probleme, pasi janë më pak të përgatitur. Përveç heqjes së gjobave deri më 31 dhjetor 2021 është e paqartë se si do të veprohet për njohjen e shpenzimeve, nëse faturat nuk do të jenë të fiskalizuara. Subjektet do të ndodhen para faktit që ose do të marrin mall pa faturë dhe do të shesin pa faturë, pasi nuk i njihet fatura e pafiskalizuar. Nëse një market i vogël nuk ka arritur të marrë certifikatën deri më 1 shtator 2021, nuk arrin të lëshojë fatura të fiskalizuara dhe ky subjekt furnizohet nga një tjetër biznes i vogël që është i pafiskalizuar dhe për këtë arsye nuk di si do të veprojë. Në këtë situatë ose do të ulë qepenat ose do të shesë mallin e pafiskalizuar, pra do të veprojë në informalitet.

Për këto arsye rekomandoj se DPT duhet të veprojë ashtu siç ndodhi edhe në fazën e dytë të fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë mes bizneseve, të njihen faturat e pafiskalizuara deri në një afat të caktuar p.sh, deri më 1 nëntor, pasi është absurde të mbyllësh këtë numër të lartë biznesesh që nuk janë fiskalizuar. Gjithashtu në udhëzim duhet të saktësohet se cilat janë rastet që përbëjnë fiskalizim të arsyeshëm dhe paarsyeshëm, përveç rasteve kur mungon interneti siç e parashikon ligji”, thekson ai.

Edhe faza e dytë e fiskalizimit nga 1 korriku nisi me numër të ulët të bizneseve që kishin detyrimin të pajiseshin me certifikatën e sigurisë. Duke qenë se pjesa më e madhe e bizneseve nuk ishin të pajisur me certifikatë sigurie kontabilistët paralajmëruan problematika me njohjen e TVSH-së të faturave të pafiskalizuara. Faza e dytë parashikonte fiskalizimin e 34 mijë bizneseve. /Dorina Azo/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco