VIDEO/ Skema e pensioneve sërish në krizë, defiçiti u thellua me 23%

VIDEO/ Skema e pensioneve sërish në krizë, defiçiti u thellua me 23%

07:32, 23/08/2021
A+ Aa A-

Defiçiti i skemës së pensioneve është thelluar me 23%, në krahasim me një vit më parë. Shpenzimet janë rritur me shpejtësi, për shkak të presionit, të plakjes së popullsisë, në krahasim me  ritmet e grumbullimit të të ardhurave nga kontributet. 

Nga SYRI TV.

Defiçiti i skemës së pensioneve është thelluar me 23 përqind në këtë 6-mujor, krahasuar me vitin 2020,  për shkak se shpenzimet po rriten me shpejt se ritmet e grumbullimit te të ardhurave nga kontributet.

Megjithëse  të ardhurat nga sigurimet shoqërore në 6-mujorin e parë ishin më rritje në krahasim me 2020, kjo nuk e ka penguar defiçitin e skemës së pensioneve të zgjerohet më tej.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) raportoi se gjatë janar-qershor deficiti i skemës së pensioneve (shpenzimet që nuk u mbuluan dot me të ardhura) arritën në 12,6 miliardë lekë ose 23 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, ku deficiti i skemës ishte 10.3 miliardë lekë.

Edhe pse qeveria rriti masën e kontributeve, përmes rritjes së pagës minimale në 1 janar 2021 me 30,000 lekë nga 26,000 lekë që ishte më parë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të frenuar deficitin të zgjerohet, pasi shpenzimet e skemës janë në presionin e plakjes së popullsisë. ISSH njoftoi se vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti kanë plotësuar kriteret për pension rreth 11 mijë persona. Zakonisht skema e pensioneve shtohet me 15-16 mijë pensionistë në vit, ku shumica janë përfitues të skemës se pleqërisë. Vlera e deficitit në skemën e pensioneve është gati dyfish më e lartë se në vitin 2013, edhe pse në skemë janë shtuar 180 mijë kontribuues të rinj që nga 2013-ta.

Deficiti i skemës së pensioneve do të ishte më i lartë nëse nuk do të ishte miratuar reforma e re pensioneve që hyri në fuqi në fillim të vitit 2015, e cila rriti moshën e daljes në pension e për rrjedhojë  frenoi numrin e pensionistëve të rinj në skemë.

Shkaqet për  mosbalancimin e  skemës së  pensioneve, janë numri i ulët i kontribuuesve, mosdeklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës.

Të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, tregojnë se, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ka rënë me 11%, personat që paguanin sigurime kanë pësuar rënie me 47%.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco