Pandemia...si e theu mitin 'dasma nuk anulohet'

Pandemia...si e theu mitin 'dasma nuk anulohet'

07:27, 22/08/2021
A+ Aa A-

Pandemia ndaloi dasmat, por jo dashurinë. Në kushtet e rritjes së numrit të të infektuarve në vend, biznesi i organizimit të eventeve u mbyll tërësisht. Rihapja këtë vit, graduale dhe me rregulla të forta, shihet si një ogur i mirë, por me problematika, të cilat lidhen me shkurtimin e vendeve të punës, uljen e buxheteve familjare për organizimin e dasmave, si dhe anulime të eventeve. Ekspertët e fushës presin një bum rikthimi në fund të 2022 dhe fillim të 2023…

Yllit dhe Armelës, dy të rinj të fejuar të cilët jetojnë prej vitesh në Itali, nuk do t’ua merrte mendja kurrë se, data e vendosur për të festuar dashurinë e tyre në fillim të gushtit 2020 do të anulohej. Të rinjtë ishin ndër të parët që u përballën me izolimin, duke qenë se jetojnë në një nga zonat më të prekura të Italisë nga Covid-19. Si ky çift pati e shumë të tjerë, të cilët në kushtet e një situate emergjence shëndetësore të panjohur, shtynë planet e gëzimit ose i anuluan.

Shprehja e famshme e industrisë së eventeve në vitin 2020, “dashuria nuk anulohet”, bëri thirrje për çiftet që të martoheshin në momentet e rihapjes apo organizime të dasmave më të vogla mes pandemisë dhe të ruajnë një festë madhështore për më vonë.

Në fakt, më shumë se gjysma e çifteve e shtynë vendimin për t’u martuar për një moment të dytë, një pjesë fare e vogël e anuluan tërësisht dhe pjesa e mbetur ishin ata që organizuar një event familjar me rreth 25 veta, duke respektuar rregullat. Po këtë vit, si është panorama e organizimit të eventeve familjare? Bizneset shqiptare pohojnë se si, dritë në fund të tunelit, 2021 po sjell rritje të kërkesës, e cila është në nivelet e vitit 2019, por me një buxhet dukshëm të kufizuar. Shqiptarët po rinisin të martohen, por me organizime më pak vanitoze dhe më ekonomike.

Sipas kontakteve me dhjetëra shitës vendorë, përfshirë fotografë, planifikues e organizues dasmash, luleshitës dhe make up artistë, për të parë se si po zhvilloheshin gjërat në vend, na u bë e ditur se: Disa çifte e kanë anuluar plotësisht; të tjerë po e shtyjnë sërish; një pjesë e tyre e organizuan por me numër të kufizuar të ftuarish; çifte të tjerë bënë dasma në ilegalitet vitin e shkuar, si dhe ka shumë presion për në vjeshtë 2021.

Frederika Muço është administratore e një prej kompanive të para në këtë sektor. Fillimisht, ajo e nisi duke dhënë fustanet e nusërisë me qira, më pas zgjeroi shërbimet, duke përfshirë edhe dekore. Sipas Frederikës, vihet re një sofistikim i kërkesave te fustanet e nusërisë dhe ulje e kërkesës për dekore.

Sipas saj, edhe për shkak të pandemisë, po preferohen dasmat e limituara në numër të ftuarish dhe po kthehet vëmendja te detajet, seti fotografik i mirëkuruar dhe më pak vëmendje te dasmat e mëdha. Për sa u përket kostove, çdo gjë varet nga buxheti i çiftit. Sipas saj, kostot e një fustani nisin nga 400 euro dhe nuk vihet re një ulje e tyre për shkaqe të mbylljes së aktivitetit prej më shumë se një viti.

Violanta Daku, administratore e agjencisë “Class Event”, thotë se puna ka ecur mirë pas rihapjes dhe shqiptarët janë popull që duan të festojnë. Por, sipas znj. Daku, ajo çfarë është vënë re këtë vit është ulja e shpenzimeve. Çiftet e reja e duan luksin dhe të bukurën dhe po i përqendrojnë shpenzimet te vetja dhe më pak te dekori këtë vit, zgjedhim paketat më ekonomike. Ndër vite, sipas saj, kërkohen edhe shërbime si make up, veshje edhe të familjarëve, dekori etj.

Menaxherja e “Ami Event” thotë për “Monitor” se viti i shkuar ishte më i vështiri në dekadën e fundit, në të cilin ajo merret me këtë biznes. Sipas Arjolës, 2021 po nis të sjellë një frymë të re tek industria e eventeve, sidomos ato familjare, me një pjesë të tyre që janë të etur t’i kthehen normalitetit dhe një pjese tjetër, që kanë vuajtur humbjen e njerëzve të dashur dhe nuk mendojnë më për festime. Sipas saj, parashikohet një rritje e kërkesave pas 2022.

Armand Peza, drejtues i “Geraldina Sposa”, pohon se këtë vit kërkesa ka por janë pretendime të ulëta, me buxhet të reduktuar. “Mendoj që industria e eventeve shpërthimin do ta ketë pas 2023. Krizat e mëdha duan kohë. Jemi sektor vanitoz, luksi gjithnjë lihet në fund në kohë krize. Këtë vit e kemi nisur mirë, por gjithsesi jemi në përpjekje të vazhdueshme, s’bëhet fjalë më për fitime dhe çmimet nuk mund të zbresin. Ne jemi Ballkan, ne vazhdojmë të festojmë, ne shpenzojmë edhe atë që nuk e kemi” – thotë ai.

Peza pohon se aktualisht, i gjithë tregu është i tkurrur. Ka rënë numri i eventeve si prezantime produktesh, promovime e biznesesh apo protokolle shteti. Ndërsa eventet familjare, vijojnë të zhvillohen.. Sipas tij, tregu ndërkombëtar nuk është gati, Shqipëria është një hap përpara pasi nuk pati mbylljen e Europës.

“Sektori ynë ka qenë ndër më të goditurit, pasi përveç kaosit të momentit të parë, që askush nuk e dinte se si do të duhet të ristrukturonte veten për të vepruar në një treg me pandemi, nga ana tjetër kemi qenë të varur nga urdhrat e qeverisë, të cilat nuk ishin favorizuese për ne.

Nuk diskutohet që në ruajtje të shëndetit, masat e para ishin të drejta, por më tej, viti ishte aspak favorizues për zhvillimin e organizimin e eventeve. Nuk ishin vetëm dasmat që u ndërprerë. Ishin evente promovimi, korporatash, etj. Të gjitha u zhvendosën në një normalitet të ri, atë online. Për hir të së vërtetës, janë bërë edhe festa familjare, por në shkelje dhe të fshehura.

Kjo ka ndodhur sepse shqiptarët e kanë të shenjtë ditën e dasmës, nuk duan kurrsesi që ta shtyjnë, lidhet me një besëtytni. Çiftet më intelektuale gjetën një zgjidhje më operative, realizuan një set fotografik dhe një darkë të ngushtë familjare. Kjo të kushtëzon, sepse shpenzimet e tyre ishin më të tkurrura, nuk ishin të gatshëm të përballonin strukturat tona që, në rastin e Geraldinës ka 64 punonjës. Ne dëshironim që të riaktivizonim motorin tonë, por s’e bëmë dot me sukses. U detyruam të shkurtonim vende pune, aktualisht kemi 22 punonjës” – thotë ai.

Sipas z. Peza, problematikë të madhe patën me paradhëniet. “Nëse xhiroja jonë vjetore shkon në rreth 600 mln lekë të vjetra, 1/3 e vlerës ishte parapagim. Nëse do ndiqnim udhëzimet e qeverisë, 200 mijë euro do na duhet të kthenim, para të cilat nuk ishin pasi përdoren për riinvestime, prodhime etj.

Gjetëm një kompromis me klientët tanë, që kjo shumë ju njihet deri në një moment që do vendosni për një datë tjetër ose mund ta merrni përmes shërbimeve të brendshme të kompanisë në formë tjetër nëse çifti nuk të dojë të bëjë dasmë më. Eventet që u anuluan ishin të pakta, të tjerat u shtynë për një moment të dytë, ”-thotë ai./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco