FOTO/ Të ardhurat e bashkive, varësi të lartë nga betoni

FOTO/ Të ardhurat e bashkive, varësi të lartë nga betoni

08:23, 20/08/2021
A+ Aa A-

Të ardhurat e pushtetit vendor u përmirësuan ndjeshëm në 6-mujorin e parë të vitit 2021, duke ndjekur të njëjtën trajektore si të ardhurat e buxhetit qendror.

Sipas të dhënave nga ‘Projekti ‘Financat Lokale’, (në bashkëpunim me Drejtorinë e Financave Vendore pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë), të ardhurat vendore paraqiten me performancë në rritje, jo vetëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 që i përket periudhës së mbylljes totale nga pandemia COVID-19 (36% më shumë), por ato paraqiten me rritje edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, përkatësisht në masën 4 % ( + 508 milionë lekë).

Struktura e të ardhurave tregon për një varësi të lartë të buxhetit vendor nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Në 6- mujorin e parë u arkëtuan nga ky tatim 4,3 miliardë lekë, me një zgjerim gati 14% në raport me 6-mujorin e parë 2020.

Të ardhurat që sigurohen nga taksimi i ndërtimeve të reja (Taksa e ndikimit në infrastrukturë), e cila zë rreth 31% të totalit të të ardhurave vendore, ‘Taksa e ndërtesës’ me rreth 21%, ose ndryshe një masë realizimi 2.8 miliardë lekë dhe ‘Tarifa e pastrimit dhe higjienës’ me 19% ose ndryshe një realizim rreth 2.6 miliard lekë.

Të ardhurat e veta të pushtetit vendor përbëjnë 6% të totalit të të ardhurave publike në 6-mujorin e parë të vitit 2021 me një realizim prej 15.3 miliardë lekë, ku 91% ose 13.9 miliardë e zënë taksat dhe tarifat vendore.

Në janar-qershor 2021 pati përmirësim të performancës së të ardhurave ku më mirë paraqitet grupi i taksave të pasurisë me rritje me rreth 59%, ose ndryshe me një realizim në vlerë absolute rreth 3.5 miliard lekë, dhe pas tij vjen zëri i taksave dhe tarifave të tjera lokale me rritje prej 32%, ose me një realizim rreth 10 miliard lekë.

Nga taksat mbi pasurinë në 6-mujorin e parë të vitit 2021, janë akumuluar gjithsej 3.5 miliardë lekë ose rreth 1.3 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Peshën më të madhe e ka zëri i taksës mbi ndërtesën me një realizim rreth 2.8 miliardë lekë, ose 80% të totalit të të ardhurave nga taksat mbi pasurinë.

60% e totalit të të ardhurave vendore (ose 9.2 miliardë lekë) është mbledhur nga Bashkia e Tiranës gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2021. Burimi më i madh i të ardhurave për këtë bashki është ‘Taksa e ndikimit në infrastrukturë’ e cila arrin vlerën e 3.4 miliardë lekë ose rreth 37% të të ardhurave nga taksat dhe tarifat, ose rreth 22% të totalit të të ardhurave vendore për 61 bashkitë.

Të grupuara sipas numrit të popullsisë, bashkitë me mbi 100 mijë banorë (11 bashki përfshi edhe Tiranën) kanë realizuar 82% të totalit të të ardhurave të veta vendore në rang vendi.

Shpenzimet nga bashkitë u ulën me 30% këtë vit

Shpenzimet e pushtetit vendor gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti arritën në 24.3 miliardë lekë, ose rreth 42% të planit vjetor të miratuar, duke zënë rreth 9.2% të totalit të shpenzimeve publike të qeverisjes së përgjithshme.

Në shpenzimet e realizuara në 6-mujorin e parë të vitit 2021, peshën më të madhe e zënë shpenzimet e personelit me rreth 48.8% e totalit të shpenzimeve vendore, pas tyre vijnë shpenzimet operative me rreth 27.8%; shpenzime të tjera për subvencione dhe transferta me rreth 3.1%, ndërsa shpenzimet për investime zënë rreth 20.4%.

Shpenzimet për investime kanë pësuar një rritje të lehtë prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa investimet e Bashkisë së Tiranës përbëjnë rreth 34% të totalit të investimeve të realizuara nga pushteti vendor gjatë kësaj periudhe.

Shpenzimet të tjera korrente (ku përfshihen edhe transfertat familjare, subvencionet) kanë pasur një rënie gjatë 6 mujorit të parë 2021 me rreth 20 milionë lekë ose ndryshe me rreth 20% krahasuar me një vit më parë.

Peshën më të madhe e zunë shpenzimet e realizuara nga transfertat nga buxheti i shtetit me rreth 55%, ndërsa ato nga të ardhurat e veta zënë rreth 43%, 1% shpenzimet me burim financimin e huaj dhe 0.2% shpenzimet e realizuara me burim financimi të ardhurat jashtë limitit.

Këtë vit vihet re rritje të shpenzimeve në funksionet si ‘Rendi dhe Siguria’, ‘Çështjet Ekonomike’, ‘Strehimi dhe komoditetet e komunitetit’, ‘Mbrojtja e mjedisit’, ‘Arsimi’, ‘Argëtimi kultura dhe feja’, dhe ‘Mbrojtja sociale’ në vlerën totale prej rreth 2.2 miliard lekë më shumë se një vit më parë.

Funksioni ‘Shërbimet e përgjithshme publike’ ka rritjen më të madhe të shpenzimeve gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021, krahasuar me një vit më parë me rreth 741 milion lekë ose 14% më shumë, dhe më pas vjen ‘Strehimi dhe komoditetet e komunitetit’ me rritje me rreth 19%.

Funksionet që paraqiten me financim me ulje janë ‘Shëndetësia’ me rënie me rreth 30% si dhe ‘Rendi dhe siguria publike’ me rreth 7%.

Të grupuara sipas popullsisë në 6-mujorin e parë të viti 2021, duke përjashtuar Bashkinë Tiranë, 10 bashkitë me mbi 100 mijë banorë kanë realizuar rreth 6.5 miliardë lekë ose 44% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor (60 bashki pa Tiranën).

/Monitor.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco