Evidentohen 5 linja të evazionit fiskal, në fokus individët shumë të pasur

Evidentohen 5 linja të evazionit fiskal, në fokus individët shumë të pasur

07:33, 19/08/2021
A+ Aa A-

Sektori i ndërtimit, pragu i xhiros, kafenetë, restorantet, hotelet, nivelet e pagave në një grup profesionesh dhe pasuria e individëve do të jenë në fokusin e tatimeve në luftën ndaj informalitetit për vitin 2021.

Sektorët me ekspozim të lartë ndaj evazionit fiskal u publikuan në Strategjinë e Përmbushjes së Detyrave të DPT-së gjatë këtij viti.

Individët me pasuri të madhe në fokus

Të ardhurat nga burime të tjera veç pagave nuk deklarohen. Ka shumë individë që plotësojnë kushtet dhe nuk e deklarojnë deklaratën e të ardhurave individuale. Shumë individë bëjnë një jetesë që nuk justifikohet me të ardhurat e deklaruara.

Tatimet do të grumbullojnë të dhënat e DPT-së ose nga palët e treta lidhur me të ardhurat e individëve. Më pas do të njoftohet çdo tatimpaguesi që plotëson kushte që të bëjë deklaratat tatimore. Do të evidentohet numri i individëve me pasuri të mëdha që nuk justifikohet me të ardhurat e deklaruara.

Ndërtimi sektor me evazion të lartë

Sektori i ndërtimit do të jetë në shënjestrën e tatimeve në luftën ndaj evazionit fiskal këtë vit. Tatimet kanë vënë re se, të ardhurat që lidhen me ndërtime të tatueshme deklarohen në mënyrë të pasaktë si të ardhura që lidhen me ndërtime të përjashtuara. Ndërkohë, blerjet që deklarohen se, lidhen me ndërtimet e përjashtuara devijohen në ndërtimet e tatueshme.

Tatimet do të bëjnë vlerësim risku të të gjithë tatimpaguesve në sektorin e ndërtimit, teksa kontrollet do të ushtrohen tek kompanitë me risk të lartë.

Kompanitë e ndërtimit që të jenë në rregull me tatimet duhet të sigurohen që të dhënat në sistem përcaktojnë saktësisht të ardhurat dhe blerjet përsa i përket projekteve të ndërtimit të përjashtuara dhe të tatueshme.

Evazioni me pragun e xhiros

Në të shkuarën, kur ndryshonin pragjet e regjistrimit, disa tatimpagues ndryshonin edhe xhiron e tyre që të ishte më poshtë pragut të regjistrimit. Kjo ndodhte duke pakësuar artificialisht xhiron me grupe regjistrimi më poshtë pragut, ndarje të biznesit për të qëndruar nën prag, kalimi artificial nga statusi i punësuar (që tatohet nga 13 deri në 23%) në statusin e vetë-punësuar (që nuk tatohet nën prag).

Tatimet njoftuan se do të analizojnë të dhënat dhe tendencat e tatimpaguesve përpara dhe pas ndryshimit. Bizneset me risk më të lartë do të kontrollohen.

Ndërkohë bizneset e dyshuara duhet të sigurohen që nuk i ndryshojnë artificialisht të ardhurat e raportuara. “Në qoftë se biznesi juaj është ndarë, do t’ju duhet të shpjegoni se përse e keni bërë këtë gjë. Nëse keni ndryshuar statusin e punësimit nga i punësuar në vetë të punësuar, do t’ju duhet të shpjegoni se përse e keni bërë këtë gjë”, sqaruan tatimet.

Evazioni në sektorin shërbimeve dhe turizmit

Bizneset në njësitë e shërbimeve, bare, kafe , restorante dhe hotele historikisht paraqiten problematike për evazionin fiskal. Zakonisht ato nëndeklarojnë të ardhurat, punonjësit, pagat dhe shpenzimet. Kasat fiskale nuk përdoren, kuponët nuk lëshohen, ripërdoren apo nëndeklarohen. Një projekt i bërë në vitin 2019 tregoi se tatimpaguesit mund të përmirësohen. Tatimet pohojnë se evazioni në këtë linja të biznesit do të luftohet, duke u bazuar në normat e të ardhurave, blerjeve, shpenzimeve, numrin e punonjësve dhe nivelet e pagave. Gjithashtu do të zhvillohen një mori kontaktesh përshkallëzuese me tatimpaguesit, që do të përfshijnë: Telefonatat, letrat, intervistat dhe kontrollet.

Pagat e nëndeklaruara një linjë tjetër evazioni

Tatimet kanë verifikuar se niveli i pagave të deklaruara për disa punonjës në profesione të caktuara janë nën mesataren apo nën pritshmëritë. Në vitin 2020, shumë punëdhënësve dhe punëmarrësve u janë dërguar letra. Bizneset përmirësuan pagat për 63 për qind të lajmërimeve që morën, bënë me dije Tatimet.

Grupi prej 37% që nuk u përmirësua do të intervistohet. Strategjia e përdorur në vitin 2020 do të përsëritet në një popullatë më të gjerë dhe do të përcaktohen udhëzuesit për standardet e pagave për profesionet kryesore.

Kjo qasje do të zgjerohet për të përfshirë mjaft lloje punësimi. Tatimet bëjnë thirrje se të gjithë punëdhënësit e punëmarrësit në të gjithë sektorët duhet të vlerësojnë e të përmirësojnë nivelin e deklaruar të pagës aty ku është e mundur./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco