Kontabilistët:I paqartë fiskalizimi, faza e tretë të nisë me biznese pilot

Kontabilistët:I paqartë fiskalizimi, faza e tretë të nisë me biznese pilot

07:16, 08/07/2021
A+ Aa A-

Nga 1 shtatori 2021 parashikohet të nisë faza e tretë e fiskalizimit për bizneset që kryejnë transaksione me para në dorë me konsumatorin.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo paralajmëron vështirësi për fiskalizimin edhe për sipërmarrjet e vogla. Problematika do të krijohet te bizneset që tregtojnë disa artikuj ushqimore (që mbajnë mall në magazinë) dhe zgjedhin të lëshojnë fatura të fiskalizuara nëpërmjet pajisjeve fiskale.

Dhamo rekomandon që për bizneset siç janë minimarketet është me lehtë përdorimi i programeve softëare, pasi mundëson menaxhim më të lehtë të magazinës. Për bizneset e vogla të shërbimit, siç janë parukeritë, berberët apo dyqanet ushqimore të lagjeve më e favorshme është përdorimi i kasës së përshtatur për fiskalizimin.

“Me përdorimin e programeve software bizneset e vogla kanë mundësi të kontrollojnë lëvizjen e mallit në magazinë. Pra ndjekjen e inventarit do ta kenë më të thjeshtë ta ndjekin në këtë mënyra sesa me faturimin e vjetër nëpërmjet letrave.

P.sh minimarketet e kanë të domosdoshme përdorimin e software për menaxhimin e inventarit.

Problemi me kasat është që nëse është një faturë me 70 artikull biznesi është i detyruar të fiskalizojë një për të gjithë artikujt (pra t’i shkruajë një për një të gjithë artikujt) dhe duhet të ketë gjendje të tyre në magazinë, pasi nuk ka sesi të bëjë daljen e tyre nga magazina. Janë shumë problematika dhe transaksione specifike që nuk u është dhënë zgjidhje nëpërmjet ligjit.

Ndërsa bizneset e vogla të shërbimit, siç janë parukeritë, berberët apo dyqanet e vogla ushqimore të lagjes mund të lëshojnë faturat elektronike nëpërmjet kasave”, thotë Dhamo.

Për zgjidhjen e problemeve dhe paqartësive që po lindin kontabilisti Sotiraq Dhamo rekomandon se duhej që fillimisht fiskalizimi të zbatohej vetëm për një grup biznesesh.

“Aktualisht të gjitha bizneset janë bërë pilot, pasi atyre u është thënë që zbatojeni këtë proces të ri, pasi nuk do të keni penalitete. Rekomandoj se mënyra e duhur do të ishte të zgjidhej një grup biznesesh pilot, ku të shihej çfarë problemesh do të krijoheshin dhe t’u jepej zgjidhje atyre dhe gjithë bizneseve të tjera”.

 

Faza e dytë nisi me probleme

Faza e dytë e fiskalizimit, që nisi në 1 korrik për transaksionet pa para në dorë midis taksapaguesve (B2B), po shoqërohet me shumë problematika. Pezullimi i gjobave deri në fund të vitit ka bërë që shumë subjekte të lëshojnë fatura të pafiskalizuara, me pretendimin që nuk ka gjoba. Teksa shumë biznese, nga 34 mijë subjektet që duhet të përfshiheshin në fazën e dytë, nuk e kanë kryer ende fiskalizimin, subjektet që kanë filluar ta zbatojnë atë, janë të paqarta nëse duhet të pranojnë faturat me blloqe, pasi tremben se nuk do t’u njihen si shpenzime të zbritshme, apo nuk do u njihet TVSh e rimbursueshme.

Drejtoria e tatimeve ka bërë të ditur se deri tani 22 mijë subjekte janë pajisur me certifikatë elektronike, që është hapi i parë për fillimin e procesit të fiskalizimit, pasi mundëson kryerjen e nënshkrimit elektronik. Në total, janë 34 mijë subjekte që do të përfshihen në fazën e dytë.

Ndërsa në total, në procesin e fiskalizimit pritet të përfshihen 100 mijë subjekte, 70% e të cilëve do të duhet të përdorin fiskalizimin duke filluar nga 1 shtatori. Ministrja e Financave Anila Denaj tha në Kuvend se nga 1 janari do të gjobiten të gjitha subjektet që nuk do të zbatojnë fiskalizimin (lëshimin e faturave në mënyrë elektronike).

 

Printimi i faturës së fiskalizuar

Me ligjin e fiskalizimit sipas kontabilistit Armand Mala fatura që printohet, qoftë edhe me një artikull të jetë, printohet në tre faqe. Kjo sipas tij jo vetëm shton vështirësisë e biznesit, por e bën gati të pamundur ruajtjen e faturave që nevojiten për pasqyrat fiskale.

“Në njërën faqe printohen të dhënat e shitësit e blerësit, ne njërën faqe fusha me të dhënat e artikullit dhe në njërën nënshkrimi elektronik. Kjo është një hangari për biznesin. Argumenti i administratës tatimore është se do të jetë elektronike, por biznesi sërish i printon faturat dhe i mban në dosje për çdo rast. Në fund të vitit mund t’i çojë diku në një zyrë kontabiliteti për hartim pasqyrash, apo diku për auditim” thotë Mala./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco