Si po na rrënohet blegtoria, kur mijëra ton qumësht pluhur presin në magazinat e Evropës

Si po na rrënohet blegtoria, kur mijëra ton qumësht pluhur presin në magazinat e Evropës

12:22, 26/06/2021
A+ Aa A-

Nga Edmond Panariti.

Përse po rrënohet blegtoria? Përse po na firojnë delet dhitë, lopët?

Përgjigje: Prodhimi nuk ka leverdi

Arsyetim: Prodhimi nuk është konkurues me importin. Sepse diskriminohet dhe shtypet pa mëshirë dhe padrejtësisht.

Pasoja: Është vetëm çështje kohe kur shumë stalla dhe baxho do të mbyllen, pa kthim. Nëse nuk ndërhyjmë për ta mbrojtur dhe mbështetur bagëtinë ajo do të vazhdojë pikiatën.

Po pse? Sepse me 1 kg qumësht pluhur që në tregun Evropian blihet me 2 euro (jashtë Evropës e gjen shumë më lirë) prodhohen 10 litra qumësht, 15 mozzarella, 64 kavanoza kos me cilësi dhe shije që nuk dallohet nga qumështi i freskët. Ndërsa me 1 litër qumësht të freskët, prodhohen 10 herë më pak.

Me mijëra ton qumësht pluhur ndodhen të ruajtura në magazinat e Evropës. Ky qumësht pret të hidhet në treg.

Evropa ka superprodhim të tij dhe prandaj një pjesë të madhe të qumështit të freskët e "than" e kthen në pluhur dhe e fut në magazina. Sepse nuk do t'i mbyllë fermat e saj. Sepse do të mbajë me çdo kusht dhe çmim në këmbë blegtorinë e saj edhe si qëllim strategjik.

Bashkimi Evropian jo vetëm që nuk ndalon përdorimin e qumështit pluhur si shtojcë në qumështin lëng, apo për t'u përdorur për djathë, gjizë, kos etj., por vendos sanksione të rënda për ato vënde të cilat ndalojnë përdorimin e tij në prodhimet e tyre.

Kështu bëri me Italinë, kur kjo e fundit insistoi që prodhimet e saj të markës si Djathi Parmezan etj të prodhoheshin vetëm me qumësht lëng. Iu vu ultimatum Italisë në vitin 2016 pavarësisht reagimit të prodhuesve të saj!

Përpos kësaj fermat blegtorale dhe qumështi në BE, subvencionohen shumë fort. Prandaj nuk ka fuqi kërkush ta ndalë këtë presion që vjen nga BE. Për këtë arsye nuk ka qumësht dhe prodhim me bazë qumështi të importuar nga jashtë pa qumësht pluhur. Dhe provohet kollaj në laborator.

Por si i bëhet?
Qumështin nga jashtë nuk e ndalim dot edhe pse prodhohet dhe shitet te ne 40 përqind më lirë. Për ta penguar këtë diskriminim, pyetjet për qeverinë janë: A mundemi tja paguajmë direkt fermerit këtë hendek 40 përqind, që të prodhojë dhe shesë në kushte të barabarta? A kemi këllqe t'i kërkojmë Evropës, të na nivelojë të paktën koston e prodhimit të qumështit vendas duke na dhënë para shtesë për fermat dhe prodhuesit? Siç bën për të vetët!

A kemi guxim të rinegociojmë marrëveshjen e tregtisë së lirë? Për t'u mbrojtur nga shtypja e padrejtë. 

Kaq!
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Vendi yne 26/06/2021 14:40

Cdo qeveri ne Shqiperi ka punuar kunder prodhimit vendas.Qekur lejuan Erzenin Lufren e te tjerat te prodhojne dhe shesin qumesht.Cdo gje bulmeti ketu eshte me qumesht pluhur dhe vaj Palme.Ku i ka Lufra dhe Erzeni gjithe ato lope e bageti te mbaje shqiperine 24 ore me kos qumesht djath dhe prodhime te tjera.Ne kohen e diktatures kishte stalla pa fund dhe qumeshti e kosi nuk dilte per te gjithe.Kjo qeveri e ka bere balte fare ne Cdo gje

Shto koment

Denonco