Përkeqësohet blegtoria, bie numri i gjedhëve, dhenve, dhive dhe prodhimi i qumështit më 2020

Përkeqësohet blegtoria, bie numri i gjedhëve, dhenve, dhive dhe prodhimi i qumështit më 2020

20:33, 25/06/2021
A+ Aa A-

Sektori i blegtorisë u përkeqësua më tej vitin e kaluar, pasi numri bagëtive ra si për gjedhin, delet dhe dhitë, të cilat ndikuan edhe në rënien e prodhimit të qumështit.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i gjedhëve në vitin 2020 është 362.583 krerë, duke shënuar rënie me 12,76 %, në krahasim me vitin 2019. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në qarkun e Fierit me 16,15 % dhe në qarkun e Korçës me 10,87 % ndaj numrit gjithsej të gjedhëve.

Në vitin 2020, numri i të leshtave është 1,55 milionë krerë, duke shënuar rënie me 11,40 %, krahasuar me vitin 2019. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 75,39 % ndaj numrit gjithsej të tufës. Përqendrimi më i madh i numrit të të leshtave është në qarkun e Vlorës me 23,92 % dhe në qarkun e Korçës me 15,79 % ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Numri i të dhirtave në vitin 2020 është 774.332 krerë, duke pësuar rënie vjetore me 10,26 %, në krahasim me vitin 2019. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit me 79,89 % ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Përqendrimi më madh i numrit të të dhirtave është në qarkun e Vlorës me 18,91 % dhe në qarkun e Gjirokastrës me 11,69 % ndaj numrit gjithsej të krerëve. Në vitin 2020, numri i krerëve të derrave është 158.401 krerë, duke shënuar rënie vjetore me 13,84 %, krahasuar me vitin 2019. Përqendrimi më madh i numrit të derrave është në qarkun Lezhë me 35,61 % dhe në qarkun Fier me 19,62 % ndaj numrit total të krerëve

Prodhimi i qumështit në vitin 2020 është 1,05 milionë tonë, duke shënuar një rënie me 5,39 %, në krahasim me vitin 2019. Struktura e prodhimit të qumështit, referuar vitit 2020 është: qumësht lope 85,28 %, qumësht dele 7,10 % dhe qumësht dhie me 7,62 %.

Në 2020, prodhimi i qumështit nga lopët është 897.349 tonë, ose 5,20 % më pak, krahasuar me 2019. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi në 2020 është 3.028 kg për krerë duke u rritur me 1,56 %, krahasuar me 2019. Prodhimi qumështit nga delet, për vitin 2020, ka pësuar rënie me 8,60 %, krahasuar me vitin 2019.

Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles është 65 kg për krerë duke shënuar rritje me 2,88 %, krahasuar me vitin 2019. Prodhimi qumështit nga dhitë në 2020 është 4,49 % më i ulët se një vit më parë.

Rendimenti mesatar vjetor i qumështit nga dhitë në nivel vendi është rreth 126 kg për krerë duke shënuar rënie me 0,28 %, krahasuar me vitin 2019. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 150 mijë tonë, duke shënuar rënie me 4,02 %, në krahasim me vitin 2019.

Prodhimi i vezëve për vitin 2020 është 861 milionë kokrra, duke shënuar rënie me 0,40 %, në krahasim me vitin 2019. Prodhimi i mjaltit ka shënuar një rritje me 11,7 %, krahasuar me vitin 2019. Qarqet ku është shënuar prodhimi më i lartë janë Shkodra me 21,4 % dhe Vlora me 14,7 % të prodhimit të përgjithshëm. Qarku me prodhimin më të ulët është Durrësi me 3,0 % ndaj prodhimit të përgjithshëm të mjaltit. /Monitor/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco